Njeriu pa kujtesë

Speciale

Njeriu pa kujtesë

Më: 31 gusht 2016 Në ora: 18:17

-Njihemi gjë ne të dy?

-Po, mendoj se po…

Nuk do të ishte e pazakontë si bisedë mes dy të panjohurve që mund të jenë shkëmbyer më parë, por përgjigjet hezituese të Henri Molaisonit ishin gjithmonë pak a shumë të njëjta edhe pas dekadash njohje. Nuk e kishte idenë me kë kishte të bënte. Henri, që për 50 vjet u identifikua si pacienti H.M, është nga më të njohurit në lëmin e kërkimit shkencor neurologjik. Për të janë shkruar dhjetra artikuj shkencorë dhe mund ta ndeshni si rast në ndonjë manual të psikologjisë dhe neurologjisë. Tragjedia personale e Henrit, humbja pothuaj e plotë e aftësisë për të formuar kujtime të reja duke iu referuar një momenti të dhënë në jetën e tij, ishte fat për shkencëtarët që falë saj mundën të studiojnë funksionimin e kujtesës, ndarjen në procese të ndryshme dhe për të kuptuar nga cilat zona cerebrale kontrollohet kjo aftësi.Henri Molaison u lind në 1926 në Konektikat të Shteteve të Bashkuara, fëmijë i vetëm nga prindër me origjinë irlandeze. Kaloi një fëmijëri të zakonshme dhe të shëndetshme deri në moshën 10 vjeçare, kur filloi të vuante nga krizat epileptike gjithnjë e më të rënda. Asokohe mendohej se heqja kirurgjikale e disa pjesëve të indeve cerebrale mund të shërbente të paktën për të zvogëluar krizat. Në vitin 1953 Henri, 27 vjeç, iu nënshtrua këtyre lloje ndërhyrjesh. “Një operacion shumë eksperimental”, – do të thoshte më vonë Uilliam Skovill, kirurgu që e operoi. Pas ndërhyrjes Henri u zgjua plotësisht i paaftë për të kujtuar. Historia e tij tregohet në librin “I burgosuri i së tashmes” (Adelphi) nga Suzan Korkin, neuropsikologia që e studioi dhe e ndoqi profesionalisht edhe në aspektin njerëzor për 46 vjet.

Aspekti më magjepës i rastit Henri ishte thellësia dhe veçantia e amnezisë së tij, – pohon Korkini. –Në jetën e përditshme nuk mbante mend asgjë. Nuk dinte çfarë kishte ngrënë në drekë ose darkë, apo që unë isha mjekja që po e studioja prej vitesh. Nga ana tjetër nuk shfaqte mungesa të tjera konjitive, niveli i inteligjencës ishte mbi mesataren, aftësitë gjuhësore dhe ato të perceptimit ishin normale dhe nuk kishte simptoma psikiatrike.

Vullnetar

Gjatë gjithë jetës Henri iu nënshtrua kontrolleve dhe egzaminimeve duke bashkëpunuar me shkencëtarët fillimisht me Insitutin Neurologjik të Montrealit dhe më pas, për shumë vite në Mit të Bostonit. Shumë shkencëtarë kanë vlerësuar aftësitë që kishte dhe ato që i mungonin për të kompozuar hartën e funksionimit të memories. Para rastit Henri, nuk dihej vendndodhja e kësaj aftësie e menduar si aftësia për të krijuar kujtime të reja. Analizat e para psikologjike, pas ndërhyrjes dhe në vitet e mëpasshme, imazhet e trurit të marra nga skaneri dhe rezonanca magnetike bënë të dukshme strukturën përgjegjëse për kodifikimin e kujtimeve, siç quhet në gjuhën teknike dhe përfaqson një zonë cerebrale në lobin temporal medial, më saktë hipokampusi dhe stukturat që e lidhin (korteksi entorinal, peririnal, parahipokampusal). Gjatë ndërhyrjes Henrit iu hoqën këto struktura në të dy hemisferat e trurit. Ai s’mund të memorizonte asnjë informacion. Ishte si i ngecur në një të tashme të përjetshme që e bënte çdo gjë të dukej si dukuri e re. Nëse pas ngrënies, i jepej një vakt shtesë ashtu siç kishte ndodhur gabimisht edhe më herët, e konsumonte përsëri, pasi nuk e mbante mend ta kishte ngrënë. Dikush mund ti fliste, të dilte nga dhoma, të hynte përsëri pas 10 min dhe për të ishte sikur e shihte për herë të parë.

Arkiv i dyfishtë

Një nga përfundimet e dala gjatë viteve të para të rastit Henri ishte se kujtesa nuk ishte e vetmja aftësi, por mund të diferencohej në procese të ndryshme, e rregulluar nga zona cerebrale të ndryshme. Ai kishte një kujtesë afatshkurtër normale, ishte i zoti si gjithë njerëzit për të memorizuar një seri numrash, por kishte mungesa katastrofike të kujtesës afatgjatë. Kjo do të thoshte se të dy proceset kishin lokalizime të ndryshme në tru. Ashtu siç u zbulua, kujtesa afatshkurtër realizohet nga procese të korteksit cerebral (të shpërndarë në zona të ndryshme sipas llojit të informacionit që përfaqsojnë: fytyrë, trup, vende, fjalë etj), ajo afatgjatë në lobin temporal medial. Në më pak se një minutë informacionet e kujtesës afatshkurtër zhduken, por mbeten vetëm nëse përsëriten vazhdimisht, ashtu si ndodh kur s’kemi mundësi të shënojmë një numër telefoni. Për periudhën kohore midis 30-60 sekondave kujtimi i ndonjë gjëje që kishte parë apo dëgjuar zhdukej nga kujtesa pa mundësi për ta ruajtur, vetëm nëse do të përdorte strategji, për shembull ta përsëriste disa herë informacionin dhe në disa raste ia kishte arritur. Sapo shpërqendrohej pak, ky kujtim zhdukej sepse nuk i kishte më strukturat për të magazinuar kujtimet afatgjata. Ai mund të dukej normal në një bisedë, arrinte të mbante mend pyetjet për pak kohë sa për të dhënë një përgjigje, por zgjaste fare pak. “Nëse një person na ndërpriste bisedën, atëherë ai fillonte fliste me të, harronte atë që i kisha thënë pak më parë madje nuk mbante mend as që kishte folur me mua”, – rrëfente Korkini.

Llotari

Studimet vazhdonin dhe Henri dha të dhëna për të teorizuar dallime të rëndësishme, për shembull ajo midis kujtesës deklarative ose eksplicite (kujtime të përvojave të veçanta të së shkuarës, strukturë përgjegjëse për jetën tonë të përditshme), thellësisht e dëmtuar dhe kujtesës jo deklarative ose implicite e mbetur e paprekur tek ai. Mund të luante në llotari, të zgjidhte fjalëkryqe, një nga lojërat më të preferuara të tij, dhe të kryente disa llogaritje të vogla me mendje, por s’mund t’i bashkonte mendimet e momentit me kujtimet e së shkuarës së afërme. Mund të mësonte gjëra të reja, por pa u ndërgjegjsuar për këtë veprim. Në vitet 80, kërkuesit e kishin ushtruar Henrin për të vizatuar në pasqyrë (një test që konsiston në gjurmimin e një linje në formë ylli duke ndjekur konturet e imazhit të reflektuar mbi pasqyrë), një detyrë që kërkon pak praktikë për ta bërë. Ishte përmirësuar në disa prova, por nuk dinte të shpjegonte arsyen, mësonte, por pa e kujtuar që e kishte bërë. Ishte një nga të dhënat e para që mësimi i detyrave motorike (kujtesa procedurale) është edhe kjo një proces i pavarur nga kujtesa ashtu siç e kuptojmë zakonisht, ku janë të impenjuara strukturat nervore të muskulit dhe të trurit të vogël.

Post Mortem

Përtej dyshimeve të kërkuesve, situata e Henrit ngre pyetje dhe kureshtje: E njihte dhe a ishte i ndërgjegjshëm për veten? Çfarë mendonte për jetën e vet nëse nuk arrinte të hidhte shikimin pas? Korkini thoshte se amnezia e thellë e tij ia ndalonte edhe planifikimin e së nesërmes, përvec kujtimit të së shkuarës, pasi për të projektuar të ardhmen iu drejtohesh të njëjtave zona. Pavarsisht kësaj, Henri u falte një ndjesi familjare njerëzve edhe pa i njohur, Korkinin e kujtonte si një shoqe të vjetër gjimnazi. Henri e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në një shtëpi kujdesi. Para se të vdiste, në 2 dhjetor 2008, ishte përgatitur gjithçka nga Korkini dhe bashkëpuntorët e saj për të vazhduar studimin e trurit të tij edhe pas vdekjes. Organi i marrë u transferua nga Bostoni në San Diego, ku neuroshkencëtari Jakopo Anese në një maratonë prej 53 orësh në transmetim të drejtpërdrejtë në internet, i ndjekur nga 400 mijë njerëz, e preu në 2401 pjesëza me trashësinë e një fije floku, imazhet e të cilave u dixhitalizuan. Kohët e fundit indet e trurit të Henrit u transferuan në një laborator në Universitetin e Kalifornisë në Davis për tu vënë në dispozicion të kërkuesve që do të duan ta studiojnë. Ndërsa imazhet e dixhitalizuara do të jenë në qendër të një projekti të ndarë, të drejtuar nga Brain Observatory i Universitetit të Kalifornisë në San Diego. Një situatë kjo, që duket si një debat mes instuticionesh shkencore, por që nuk i shkon për shtat shpirtit të Henrit, i sjellshëm dhe i dashur që ia fali veten shkencës. Pyetjes së bërë nga një kërkues se çfarë mendonte për të gjitha analizat që i kishin bërë u përgjigj: “ Është një gjë e thjeshtë. Unë jetoj, ju mësoni!” / bota.al

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat