“Më vjen zor që kam dalë para publikut… kam sjellë burrin se më ka zhdukur pasurinë, jetën dhe familjen” - Bota Sot
“Më vjen zor që kam dalë para publikut… kam sjellë burrin se më ka zhdukur pasurinë, jetën dhe familjen”

Sociale

E hënë, 18 qershor 2018

“Më vjen zor që kam dalë para publikut… kam sjellë burrin se më ka zhdukur pasurinë, jetën dhe familjen”

Më: 20 maj 2018 Në ora: 21:54
Dafina akuzonte bashkëshortin pse nuk ka regjistruar pronën mbi të cilën është ndërtuar karburanti i tyre, që kur e krijuan atë.

Një çift bashkëshortësh janë bërë sot pjesë e rubrikës “Shihemi në Gjyq” të emisionit “E Diela Shqiptare”. Dafina ka kërkuar një seancë ndërmjetësimi me bashkëshortin e saj Naun, për shkak të një biznesi që kanë.

Ata janë pronarë prej shumë vitesh të një pike karburanti në fshatin Gjinar të Elbasanit. Por Dafina akuzonte bashkëshortin pse nuk ka regjistruar pronën mbi të cilën është ndërtuar karburanti i tyre, që kur e krijuan atë.

Sot në tokën ku ata kanë karburantin rezulton që pronar të jetë dikush tjetër. Dafina ka dyshimet e saj edhe mbi bashkëshortin…

Dafina – Më vjen zor sot që kam dalë para publikut, por ishte e pamundur se kisha një hall shumë të madh! Kam sjell burrin këtu sot se më ka zhdukur pasurinë, jetën dhe familjen!

Nauni – Ça pasurie e familje të kam zhdukur unë ty?

Dafina – Më ke zhdukur jetën! Më ke lodhur! Kam 10 vjet që vuaj dhe drejtësia nuk më jepet!

Nauni – Ne familjen e kemi “top”!

Dafina rrëfeu se ishin një familje shumë e mirë dhe e pasur, ndërsa tani vuajnë sepse bashkëshorti nuk ka regjistruar pronën, ku kishin ngritur biznesin. Ajo gjithashtu e akuzoi që ka shitur tokën pa i thënë familjarëve.

Image

Ndërsa Nauni i shqetësuar tha: “Do shiskam unë tokën dhe familjen time dhe t’ja jap atij tjetrit? Kurrë në botë!”

Ai tregoi se gjatë viteve 1993 aplikuan të Këshilli i Komunës për një pikë karburanti në Gjinar të Elbasanit. Ata e morën lejen e shesh-ndërtimit e më pas të ndërtimit të objektit nga firma “Shkumbini” dhe në vitin 1995 e hapën aktivitetin e tyre si pronë-shtet, me sipërfaqe 40 metra katrorë objekt dhe 800 metra katrorë sheshi i ndërtimit.

Dafina pretendonte se bashkëshorti i saj nuk ka tentuar ta regjistrojë pronën e tyre te Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, çka ky i fundit e mohoi. Ai tregoi se një miku i tij mori përsipër përfundimin e procedurave për regjistrimin e pasurisë, por më pas i tha se nuk ishte vendosur çmimi i shitjes së tokës, në mënyrë që Nauni t’ja blente shtetit dhe ta regjistronte në emrin e tij.

Ndërkohë që Dafina e ndërpreu duke i thënë se nuk ka patur lejen e shesh-ndërtimit të truallit prej 800 metrash katrorë, ndaj nuk kishte si ta regjistronte pasurinë.

Ndërsa jursitja Eni Çobani u shpreh se ai ka ngarkuar një person me detyrën e regjistrimit të pasurisë së tij pa asnjë lloj prokure, duke hequr vetë dorë nga përgjegjësia. Por Nauni tha se ka shkuar vetë te ZVRPP Elbasan dhe i kanë thënë po të njëjtën gjë, që nuk ishte vendosur ende çmimi i shitjes së tokës.

Dafina akuzoi bashkëshortin për shitjen e karburantit, pasi ai ishte pronë-shtet dhe ka qenë funksionale prej tyre për rreth 25 vjet. Ajo tregoi se e ka zbuluar pronësinë e karburantit nga dikush tjetër në vitin 2011, pasi kishte shkuar për ta regjistruar.

“Në 11 Janar të vitit 2011 unë aplikova në Hipotekë dhe pas një muaji shkova pyeta për të marrë certifikatën e pronësisë. Më tha që ka dalë pronari. Ç’është ky pronar se jam vetë unë. Më thanë që është Pjetër Topi dhe unë e pyeta a ka aplikuar dhe më tha jo. Po ku e di ti kur nuk ka aplikuar? Pse s’ma regjistron mua?”, tregoi Dafina e agravuar.

Ata komunikuan me zotin Topi në lidhje me pronësinë e karburantit dhe ai iu tha se nuk e dinte që do të kërkonin pronat e tyre. Kjo shkaktoi dyshimin te Dafina që bashkëshorti mund t’ia kishte shitur pronën Pjetër Topit.

Por Nauni u kundërpërgjigj duke thënë se nuk ka firmosur gjë dhe se bashkëfshatari i tyre ua ka marrë pronën me mashtrime.

Juristja Çobani ngriti pyetjen nëse janë në dijeni të faktit që familja Topi, në bazë të vendimit të Komisionit të Kthimit të Pronave, ka fituar të drejtën e kësaj pronësie, pasi janë pronarë të vjetër. Por Dafina po ashtu tha se e kanë fituar pronësinë me mashtrime dhe falsifikime. Ajo shtoi se iu drejtua edhe prokurorisë, e cila e pushoi çështjen.

Një fakt tjetër i çuditshëm në këtë çështje janë dy vendime nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ku më datë 30.06.2003, e njëjta gjyqtare ka vendosur vërtetimin e pronësisë së Anastas Topit mbi një sipërfaqe toke prej 383.4 dynym, pronësi e fituar para reformës agrare të vitin 1946 në Gjinar sipas parcelave: parcela me emërtimin popullor “Liqenza Topi”, me sipërfaqe 98.2 dynym, si dhe paralelisht në një vendim tjetër, e njëjta parcelë është me sipërfaqe 95.1 dynym. Një parcelë tjetër, e emërtuar “Reza e Topit”, në një vendim është me sipërfaqe 76 dynym, ndërsa te tjetri është 91.6 dynym. Po ashtu te parcela “Gropa e Haut” në një vendim është me sipërfaqe 161.4 dynym, ndërsa te tjetri është 78.6 dynym. Si dhe parcela e fundit “Gropshtirja e Topit” në njërin vendim është 48 dynym, ndërsa tjetra 47.1 dynym.

“Kemi ndryshime vlerash të konsiderueshme nga vendimi i parë te i dyti, por mos ngatërrojmë: është i njëjti vendim i shtypur dy herë! Por se cila nga këto ka ngelur në fuqi, këtë e ka për detyrë Prokuroria e Rrethit Elbasan, ku zotërinjtë janë të detyruar të shkojnë dhe të interesohen deri në fund për të vërtetën e kësaj historie!”, u shpreh zonja Çobani.

Dafina pretendoi se sekretarja e gjykatës i ka grisur kopjen e njërit prej vendimeve që posedonte, duke i thënë që nuk ka për ta parë më atë dosje. Duke marrë shkas nga kjo, juristja theksoi se kjo çështje duhet të shkojë patjetër në prokurori, pasi ka shkelje të rëndë të ligjit nëse është zhdukur njëri prej vendimeve.

Por Dafina tha se ka komunikuar me vetë gjykatësen, e cila i kishte mohuar të ishin vendimet e saj, pasi sipas saj, kishte marrë një vendim tjetër.

Ajo shtoi se lejen e shesh-ndërtimit të truallit me sipërfaqe 800 metra katrorë e kanë zhdukur edhe nga arkiva e gjykatës edhe nga e bashkisë.

Më datë 15.09.1994 Naun Peci është pajisur me lejen e ndërtimit të karburantit, çka nuk mund të mohoet nga asnjë institucion.

Ai ka paditur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, më datë 09.07.2013, Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave familjen Topi, si dhe ZVRPP-në Elbasan.

Gjykata vendosi që sipërfaqen prej 40 metrash katrorë ku ka objektin, do t’i njihet, ndërsa truallin do t’i duhet t’ia blejë familjes Topi, e cila është pronare e sipërfaqes prej 800 metrash katrorë.

Nauni rrëfeu se ka qenë gjatë gjithë këtyre viteve në emigracion për të siguruar të ardhura për të mbajtur familjen, ndaj dhe të gjithë çështjen e ka ndjekur Dafina.

Publiku i emisionit “E Diela Shqiptare” në këtë seancë ndërmjetësimi i dha të drejtë Dafinës, e cila i kërkoi bashkëshortit të ndjekë çështjen dhe të fitojë pronësinë e tyre.

Ndërsa Nauni shfaqi mirënjohjen për bashkëshorten dhe tha se do të qëndrojë me të derisa të jetë gjallë. Ai gjithashtu premtoi se do të mundohet ta rifitojnë pronën, duke e mbyllur edhe këtë seancë ndërmjetësimi me sukses.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test