Vera e tetë e Sverkës me fyt të tharë

Sociale

Vera e tetë e Sverkës me fyt të tharë

Më: 19 gusht 2017 Në ora: 18:52
Sferka

Thatësia e verës i ka detyruar banorët e Sverkës që të gjejnë zgjidhje kreative për ta mundur etjen, meqë gypat e ujësjellësit të fshatit tash e tetë vjet nuk bartin ujë.

Ky fshat i Klinës bashkë me disa të tjerë në afërsi detyrohen që çdo ditë t’i ndezin veturat e traktorët dhe të shkojnë te një krua në dalje të fshatit për t’i mbushur bidonët.

Disa të tjerë kanë bërë mundësi më të mira: e mbushin cisternën me ujë në krua për ta derdhur atë në pusin e shtëpisë.

Basri Gashi, banor i fshatit Sverkë tregon se katër ose pesë herë në ditë vijnë te pusi në fillim të fshatit për të mbushur ujë për nevoja elementare.

“Cisternat vijnë kah katër pesë herë në ditë me mush ujë po çka është më e keqja, se vendi jonë nuk është i pasur, dikush ka traktor e dikush nuk ka, ai që nuk ka duhet ndoshta me pagu 10 euro, 15 euro me ja çu një cisternë me derdhë nëpër puse, tani prej pusit duhet me hidrofora, me motorra me u furnizu” rrëfeu Gashi.

Ai tregoi se shumica e fshatit kanë bërë edhe shpuarjen e tokës 120 ose 200 metra por prapëseprapë këta bunarë nuk janë funksional pasi ata kanë filluar të kenë mungesë të ujit.

“Shumica që i kanë pak kushtet marrin ujë edhe nëpër markete. Njëri në Remnikë e ka lëshu një krua e po shkojnë po furnizohen me ujë të pijshëm, për ujë për pastrim e gjana të tjera elementare po e shihni edhe vetë, këtu” shtoi Gashi.

Baki Gashi, drejtor i Urbanizmit në komunën e Klinës i cili po ashtu me prejardhje është nga fshati Sverkë ka thënë se ujësjellësi në fshatin Sverkë ka qenë më herët funksional por që është dëmtuar prej disa personave.

“Në rrjetin e ujësjellësit në fshatin Sverkë është investuar para shumë kohe dhe ka qenë funksional, mirëpo tani dora e keqe e disa keqdashësve kanë bo dëme në rrjetin e ujësjellësit si dhe ndoshta me të drejtë apo pa të drejtë nuk ka qenë pagesa e rregullt ndaj kompanisë ‘Hidrodrini’” tha drejtori i Urbanizmit, Gashi.

Ai shpjegoi se kompania ‘Hidrodrini’ është përgjegjëse për rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimeve në komunën e Klinës.

“Unë jam në njohuri që projekti për rehabilitimin e ujësjellësit jo vetëm në Sverkë por në këtë vit edhe të përfshira edhe nëntë fshatra, është një investim nga CDI-ja dhe në menaxhim të kompanisë ‘Hidrodrini’ është duke u punuar, momentalisht janë duke e kryer pjesën e Gremnikut, mandej kalojnë Svërkë, Volljakë, Qypevë e Lartë, në Resnikë, në Dollovë” potencoi i pari i urbanizmit në komunën e Klinës.

Por gjithashtu Baki Gashi ju bëri thirrje edhe qytetarëve që të jenë më të përgjegjshëm ndaj kompanisë që t’i kryejnë obligimet e veta në mënyrë që mos të ndodhë edhe një herë të mbesin pa ujë pasi uji është nevojë elementare për banorët.

Gashi tha se sipas informatave që i ka nga drejtori gjeneral i kompanisë ‘Hidrodrini’ ky projekt do të duhet që të përfundoj në vitin 2017.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat