“Lashë Italinë për të punuar tokat e lëna djerrë nga shqiptarët”

Sociale

“Lashë Italinë për të punuar tokat e lëna djerrë nga shqiptarët”

Më: 25 gusht 2016 Në ora: 10:57
Dritan Isufaj

Shtëpitë e vjetra të fshatit Çeprat në njësinë administrative Shushicë të Vlorës kanë mbetur ende të ulëta dhe duket se moda e pallateve marramendëse do ta ketë të vështirë të depërtojë në zemrën e lagjes së vjetër. Miqtë vlonjatë, që na shoqërojnë, thonë se të gjitha shtëpitë janë të vjetra, ndonëse më pas janë rikonstruktuar. “Më e reja prej tyre duhet të jetë afër 100-vjeçare”, thonë. Ecim për pak kohë mes rrugicave të kësaj lagjeje të pjerrët. Dielli, tejet i nxehtë këtyre ditëve të fundit, ia ka lënë vendin një kohe të freskët. Kalimtarët janë të pakët. Hera-herës përshëndeten gratë e moshuara, që vijnë nga pazari të ngarkuara me trastat e rënda dhe që mezi ecin dhe iu merret fryma nga e përpjeta e rrugës. Ndërsa shoqërohen  nga çupa të reja, ndoshta studente, të veshura sipas modës më të fundit. Në fshat takojmë Dritan Isufaj. Ai është prodhuesi më i madh i fruta perimeve në zonë.

Edhe pse vapa i sjell lodhje të madhe,  Dritani vazhdon të punojë. E takojmë në oborrin e tij të këndshëm, teksa po lyen me bojë portën në dalje të shtëpisë së tij. Tani, siç e njohin të gjithë vjen nga një familje që ka punuar një jetë të tërë në bujqësi. "Unë kam lindur në këtë shtëpi - nis të na rrëfejë pasi kemi këmbyer përshëndetjet e para. Im atë është autodidakt, merrej me tregti dhe i vinte mbarë. Njeh mirë shumë gjuhë të huaja, ndaj edhe ka udhëtuar shumë. Dëshira e tim eti  kishte qenë të shkollohej, por kushtet e atëhershme nuk e lejuan, kështu që më ndihmoi mua të shkollohesha sadopak.

Ne kishim edhe një problem familjar, gjyshi im ishte shurdhmemec, edhe ky tregtar, kështu që babait iu desh që shumë herët që të punonte me të. Në fakt, babai që në fillim ka pasur një jetë të vështirë. Ndonëse në moshë të vogël, atë e internuan bashkë me shumë vlonjatë të tjerë në Sazan. Mirëpo, ia dolëm mbanë me kalimin e kohës. Arritëm të rimerrnin disa prej pronave tona të mëparshme dhe sot po zhvillojmë kultura bujqësore në to”, rrëfen  Dritan Isufaj, i cili është kthyer në vendin e tij pas një mungese prej 16 vitesh.

Emigrimi në shtetin italian për një kohë të gjatë ishte një mënyrë e mirë për të, për t’iu larguar sadopak trazirave që ka pasur vendi ynë në atë kohë. “Ishte koha e krizës piramidale në vitin 1997. Shqipëria nuk ishte më një vend i sigurt, as për mua, e as për familjen që do të krijoja. Kështu që, vendosa të largohesha”. Megjithatë, Dritani nuk e harroi asnjëherë vendin e babait të tij, i cili u kujdes shumë mirë për prodhimet bujqësore. “Në Treviso të Italisë punoja në ndërtim si shumica e shqiptarëve. Ishte një punë e lodhshme, por fitoja mirë. Aty krijova edhe një bazë ekonomike, të cilën më vonë e investova këtu, në toka.

Rreziku është edhe i madh sepse çdo nismë ka problematikat e veta. Mirëpo, unë kisha një shtysë më tepër që ishte im atë. Ai nuk u ndal kurrë duke u marrë me bujqësi. Grumbullonte dhe tregtonte gjithë prodhimet e bujqve në fshat. Ndaj, kur e pa se nuk do të mundte më të punonte si më parë, më thirri dhe i erdha në ndihmë. Një arsye më shumë ishte dhe fakti se tokat në këtë fshat janë të lëna djerrë. Shumica e banorëve janë larguar, dikush në zona urbane dhe të tjerë në emigrim. Askush nuk e punon më tokën si më parë. Janë me qindra hektarë tokë prodhuese e papunueshme.

Mirëpo, duke ditur që kjo tokë është frytdhënëse dhe jep prodhim të mirë, së bashku me tim atë, vendosëm ta vinim në përdorim. Dhe kështu shpenzuam kursimet tona, duke marrë disa toka me qira, rreth 20 hektarë, në të cilat kemi mbjellë kultura të ndryshme bujqësore”, thotë Dritani teksa afrohet në krye të parcelës për të vënë në punë pompat e ujit. “Toka ka nevojë për punë. Shqiptarët këtu janë bërë dembelë. Mendojnë se do vijë paraja vetë. Por, çdo gjë ka nevojë për investim, përkushtim dhe kohë. Kam tre vite që jam kthyer këtu dhe po shoh që Shqipëria mund të bëhet. Kur je në emigrim gjërat që dëgjon më tepër janë që shqiptarët vuajnë, nuk kanë të hanë, jetojnë në kushte mizore dhe kjo të bën të mendosh se vendi yt ndodhet në një situatë shumë të keqe. Mirëpo, kur i sheh gjërat nga afër, arrin të kuptosh se jo çdo e thënë është e vërtetë.

Këtu, shumica presin nga të tjerët. Kështu nuk ecet përpara: “Nuk mbahet shtëpia me miell hua”, thotë me shaka prodhuesi Isufaj. Dritani ka rreth 2 hektarë tokë të mbjella me perime, kryesisht patëllxhana, speca, domate, tranguj. Ndërsa, në krahun tjetër të fshatit ku ka marrë edhe toka me qira ka rreth një hektar të mbjellë me lulelakër, e cila sipas tij është shumë e leverdishme. “Lulelakra të jep fitim. Nuk ka nevojë për shumë shpenzime, do vetëm ujë dhe pak pleh. Kam tre vite që e kultivoj. Çmimi i saj në kohë më të mirë shkon në 250 lekë për kilogram dhe kjo është një vlerë shumë e mirë për fermerin. Ne kemi disa shpenzime me tokat e marra me qira, për të cilat paguajmë rreth 15 mijë lekë në vit për dynym. Megjithatë, kur ke prodhime të mira dhe shitje, kjo vlerë nuk përllogaritet”, përfundon ai.

Produktet e stinës marrin vlera më të larta me ardhjen e emigrantëve

Dritan Isufaj, prodhuesi më i madh i fruta-perimeve në zonën e Çepratit tregon se periudha më e mirë për shitjen e produkteve të stinë së verës është koha kur emigrantët mbërrijnë në vend, pasi sipas tij, çdo lloj prodhimi merr një vlerë më të lartë. “Produktet e fushës janë më të kërkuarat në treg. Aroma e tyre ndihet 10 metra larg dhe nuk mund t’i rezistosh. Unë, kur kam qenë vetë emigrant më merrte malli për prodhimet e vendit tim, të freskëta dhe cilësore. Sot, të paktën gjatë muajit gusht këto prodhime po njohin vlera të mira. Me ardhjen e emigrantëve janë rritur edhe kërkesat për treg. Mesa duket, kanë ardhur me xhepat plot”, thotë me buzëqeshje fermeri.

Ish-polici: 10 mijë lekë që merrja në muaj në Shqipëri, i fitoja brenda ditës në Itali

Fermeri Isufaj nga Çeprati i Vlorës në vitin 1997 ka dorëzuar detyrën si polic ushtarak në kampin e Pionierëve që ka qenë dikur në qytet. Megjithëse emri polic në atë kohë përbënte një rëndësi të madhe për Dritanin, nevoja për para ishte më e madhe se një famë ushtaraku. “Pasi mbarova ushtrinë në Kryegjatë të Fierit, më përzgjodhën si oficer në policinë e Vlorës. Kalova disa teste, që rezultuan pozitive për mua dhe u futa në punë. Kishte rreth 100 policë në atë kohë. Por, ne nuk kryenim ndonjë funksion. Qëndronim përherë në stolin rezervë, në rast se do të paraqitej ndonjë rrezik. Si punë nuk ishte keq, por nuk kishte pagë.

Paguhesha rreth 10 mijë lekë në muaj. Nuk ishte aspak e mjaftueshme”, thotë Dritani, teksa na tregon edhe emigrimin për në Itali. “Shumicën e të afërmve të mi e kisha në Itali. Edhe pse dëshira për të qenë në një punë shteti ishte e madhe, fitimet që merrja nuk më dilnin për bukën e gojës. Kur shkova në Itali ato 10 mijë lekë që merrja në muaj këtu, atje i fitoja brenda ditës. Paguhesha rreth 100 mijë lireta. Dhe kështu qëndrova atje për 16 vite me radhë, deri sa vendosa të rikthehesha për t’u marrë me bujqësi. Deri më tani kam njohur rezultate të mira. Nëse puna vazhdon kështu, nuk e lë më Shqipërinë”.

Lulelakra

Lulelakra është një perime që bën pjesë në familjen e kruciferëve, perime që përmbajnë squfur. Ajo është e pasur në vitamina C dhe përmban përbërës bioaktivë të cilët veprojnë kundër llojeve të ndryshme të kancerit. Për rezultate sa më të mira, është mirë që lulelakra të hahet e gjallë apo e zier pak. Lulelakrat janë të bardha, violetë, jeshilë, apo si limonat jeshilë apo ngjyrë portokalli. Lakra ngjyrë portokalli është 100 herë më e pasur në beta-karotinë se lakra e bardhë. Ekziston edhe lulelakra Romanesko, në ngjyrë jeshile dhe në formë spiraleje. Është një lulelakër shumë dekorative.

Pronësia në vitin 1930

Në vitin 1930 asnjë pjesë e tokës dhe truallit në rrethinat e Vlorës nuk ishte pa pronarë. Fermat bujqësore ishin të bazuara në fermat e vogla familjare. Nuk kishte ferma të mëdha. Si madhësi mesatare e një ferme ishte një sipërfaqe që mund të punohet me qe (pra, llogaritur mbi bazën e krahëve të punës dhe të “mekanizimit” të kohës me qe). Në rajonin e Vlorës dallohen edhe disa ferma të mëdha me 32-38 hektarë, ku punonin disa bujq së bashku.

Emigracioni

Të ardhurat që sigurohen nga emigracioni, për të gjithë periudhën 20-vjeçare, pas demokracisë kanë rezultuar jetike për vendin tonë. Duke iu referuar analizave të Bankës së Shqipërisë, rreth 26 për qind e familjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë, përfitojnë prurje valutore në formën e dërgesave nga emigrantët. Shpërndarja gjeografike e familjeve tregon se 59 për qind e këtyre të mësipërme jetojnë në zonën rurale dhe diferenca në zonën urbane, duke përftuar respektivisht rreth 66 dhe 34 për qind të totalit të dërgesave nga emigrantët. Dërgesat nga emigrantët përbëjnë komponentin më të rëndësishëm në të ardhurat mujore të familjes në zonën rurale, duke përfaqësuar rreth 40 për qind të saj.

Importet

Një vlerë shumë të lartë dhe të pajustifikueshme për vetë drejtimin e zhvillimit të bujqësisë shqiptare dhe avantazhet e shfaqura në këto vite, përbën grupi i importeve të fruta-perimeve dhe industrisë së përpunimit të tyre: (përfshirë lëngje frutash, konserva, reçele, salca etj, e deri tek patate të përpunuara për kuzhinat dhe restorantet). Janë mbi 75 milionë euro shpenzime për fruta-perime të importuara në vitin 2014. Sasia e fruta-perimeve që importohen vazhdon të jetë rreth 9 herë më e lartë se sa eksportet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat