Reforma pa dëshirë

Religjion

Reforma pa dëshirë

Më: 10 maj 2016 Në ora: 09:14

Në Greqi u përsërit rituali i vjetër: reformat e nevojshme u miratuan në momentin e fundit, kur i vjen radha pagimit të këstit të ndihmës. Nga kjo nuk pritet asgjë për përmirësimin e situatës, mendon Spiros Moskovou.
Spektaklin e Athinës e përjeton pothuajse me periudha të rregullta që nga viti 2010 dhe nën drejtimin e qeverive të ndryshme: sa herë që i vjen radha pagimit të këstit të ndihmës financiare ndërkombëtare ndaj Greqisë, qeveria përkatëse ofron gjithashtu një transhë reformash të premtuara prej kohësh dhe kursime. Kështu ndodhi edhe këtë fundjavë. Parlamenti grek vendosur me një shumicë të vogël prej 153 votash, pjesë të mëdha të një reforme të pensioneve dhe tatimeve që ishin të nevojshme prej kohësh.

Debati parlamentar dyditor ishte një tragjedi e pashoqe. Matadorët e të gjitha partive e akuzuan njëri-tjetrin si gënjeshtarë dhe mashtrues. Kyriakos Mitsotakis, kryetari i ri i Demokracisë së Re konservatore, kërkoi në sfondin e anketimeve shpresëdhënëse për veten dhe të partinë e tij, dorëheqjen e kryeministrit Alexis Tsipras dhe zgjedhje të parakohshme. Partia e tij, e cila verën e kaluar miratoi në Parlament një marrëveshje me huadhënësit ndërkombëtarë për një paketë ndihme të tretë, tani i hedh poshtë masat për zbatimin e saj. Megjithatë as në fundjavë dhe as para votimit nuk pati një debat konstruktiv publik për sugjerime më të mira apo alternativa.

Rritje ekonomike nuk po duket

Edhe në vitin e shtatë pas shpërthimit të krizës së borxhit, partitë kryesore greke nuk po gjejnë asnjë drejtim mbipartiak për rimëkëmbjen afatgjatë të vendit. Një konsensus minimum patriotik mbetet dëshira e madhe e politikës greke. Menjëherë pas marrjes së qeverisë nga e "majta" SYRIZA në fillim të vitit 2015, u bë më se e qartë se asnjë nga forcat ekzistuese politike në vend do t'i zbatonte vullnetarisht reformat aq të nevojshme për të mirën e përbashkët. Madje edhe ministrat përgjegjës ankohen vazhdimisht publikisht për masat e reja.

Nuk është çudi që reformat nuk mund të kenë sukses. Ato nuk i mbështesin sinqerisht as politika dhe as njerëzit. Fjala reformë është e papëlqyeshme për shumicën absolute të grekëve, sepse reformat konkrete të viteve të fundit sollën vetëm kursime, por asnjë përmirësim të qartë të situatës. Shpesh harrohet se të ashtuquajturat "reforma të nevojshme" mund të japin fryte vetëm nëse ato shoqërohen me rritje ekonomike. Dhe për rritje nuk mund të bëhet fjalë. Ekonomia greke ka humbur vitet e fundit 25 për qind të vëllimit të saj, programi i shumëlavdëruar i SYRIZA-s për të stimuluar produktivitetin ka mbetur pa efekt, sepse qeveria e Tsipras ka ndjekur deri tani një politikë më tepër armiqësore ndaj investimeve.

Si do të shkojë më tej puna me Greqinë? Ashtu si deri tani, me shtyrjen e krizës së borxheve. Edhe pse ne e dimë prej kohësh se "pasagjeri pa biletë" i eurozonës i quajtur Greqi nuk është në gjendje të ndjekë nga pikëpamja strukturore dhe fiskale këtë klub konkurrues, Evropa nuk është e gatshme që në rrethanat e një mjedisi të paqëndrueshëm dhe të rrezikshëm ndërkombëtar, ta cungojë eurozonën.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat