Koment: Finale në Siri?

Religjion

Koment: Finale në Siri?

Më: 8 shkurt 2016 Në ora: 15:14

Në një kohë që në Gjenevë synohet të zhvillohen bisedime, Rusia dhe Asadi krijojnë fakte në Alepo. Në këtë lojë pushteti ka një aktor politik që gëzohet dhe do të dalë prej saj si triumfues, mendon Alexander Kudasheff.

Shkatërrim në Alepo

Duket se ka ardhur momenti i finales në Siri. Bashar al-Asad po e merr situatën nën kontroll. Me ndihmën ruse, me ndihmën masive të aviacionit luftarak rus. Dhe ndoshta edhe me mbështetje masive logjistike dhe teknike për ushtrinë siriane në tokë. Lufta për Alepon ka karakterin e një beteje vendimtare. Nëse trupat e Asadit e rimarrin qytetin në dorën e tyre - atëherë despoti sirian ka fituar më shumë se një betejë. Ai do të kthehej sërish në faktor sundues në Sirinë e ndezur në flakë dhe në shpërbërje e sipër.

Nga ana tjetër: Siria është që tani gati një nocion gjeografik. Një mozaik i përbërë nga rajone, territore, fshatra, qytete, në të cilat herë sundon qeveria siriane, herë forcat opozitare, nganjëherë bandat vrasëse të Frontit Al-Nusra apo të të ashtuquajturit "Shteti Islamik". Njerëzit, qytetarët sirianë kanë vetëm një rol në këtë luftë të përgjakshme: Të jenë viktima. Jeta e tyre nuk llogaritet.

Rusia: Në krah të Asadit

Asad është rikthyer si faktor në sajë të rusëve. Ata e kanë shfrytëzuar vakuumin e pushtetit. Putini ndërhyri me vendosmëri. Një qëllim i tij: Ruajtja e pushtetit të Asadit. Këtij qëllimi i nënshtrohet aktualisht çdo veprim i rusëve. Vetëm kështu mund të shpjegohet vendosmëria ushtarake e rusëve - pa asnjë hezitim. Qëllimi tjetër: Stabiliteti në këtë rajon - edhe nëse kemi të bëjmë me një autokraci. Askush nuk flet më për pranverën arabe, ose për idenë e një demokracie arabe. Kjo ëndërr është lënë mënjanë siç lihen iluzzionet. Nëse një Siri e depërtuar nga plumbat mund të jetë një faktor stabiliteti, për këtë nuk ekziston ende një përgjigje.

I gjithë perëndimi, me në krye Shtetet e Bashkuara, pra Barack Obamën e ndjekin këtë gjendje me duar të lidhura. Ata e dinë se një intervenim ushtarak nuk sjell asgjë dhe mbart rrezikun e një shkallëzimi edhe më të tmerrshëm të situatës me më shumë palë të përfshira. Cilin krah do të merrnin trupat perëndimore?

Pa zgjidhje

Prandaj politikanët janë të vendosur për bisedimet e paqes në Gjenevë - edhe pse ato do të fillojnë vetëm në fund të shkurtit. Perëndimi shpreson në një zgjidhje në tryezën e bisedimeve, në një kohë që në terren në Siri po krijohen fakte. Pyetja themelore që shtrohet është: Kush do të duhet ta qeverisë Sirinë pas arritjes së një marrëveshjeje të paqes? Një opozitë që ka shumë pak përkrahës? Asadi mbështetur nga bajonetat e rusëve? Apo ta themi hapur - xhihadistët islamistë? Dhe tjetra a do të mund të kemi një Siri si para vitit 2011?

Mungesa e strategjisë së perëndimit ka krijuar në fakt këtë vakuum pushtetit, në të cilin mundën të hyjnë si milicët terroristë ashtu edhe Putini. Mbetet kështu një luftë e të tretëve dhe me këtë e dy fuqive rajonale, Arabisë Saudite dhe Iranit. Në Riad me sa duket janë kuptuar shenjat e kohës. Me qëndrime ngurruese, gati të trembura nuk ecet përpara. SHBA do ta mbështesë, në fakt do ta mbajë mbretërinë vetëm me kusht. Pra duhet gjetur forca tek vetja dhe Arabia Saudite ndërkohë po ofron mundësinë e trupave tokësore kundër të ashtuquajturit "Shteti Islamik". Një transformim gati revolucionar i mendësisë së mbretërisë - i lindur nga frika e fundit. Triumfuesi i vërtetë i kësaj loje vrasëse pushteti është në fakt Irani. Sepse Irani për shkak të luftës në Siri edhe pas saj synon të jetë fuqia sunduese rajonale e Lindjes së Afërt. Jeruzalemi është i shqetësuar për këtë. Loja finale për Sirinë ka filluar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat