Déjà-vu në politikën gjermane për refugjatët

Religjion

Déjà-vu në politikën gjermane për refugjatët

Më: 3 shkurt 2016 Në ora: 10:29

20 vjet më parë më shumë se 400.000 vetë erdhën prej luftës në Bosnje si refugjatë në Gjermani. Ata kanë hasur në probleme të ngjashme me ato të azilkërkuesve nga Siria sot.
Frika nga emigracioni i pakontrolluar po përhapet. Vetëm brenda një viti, erdhën në Gjermani 440.000 azilkërkues për shkak të luftës në Bosnjë. Qeveria është nën presion për të vepruar dhe ashpërson ligjin për azilin. Vetëm ata që përndiqen politikisht mund të qëndrojnë në Gjermani.

Debati mund të zhvillohej edhe sot në Bundestag. Megjithatë, ai u mbajt më 26 maj 1993. Në këtë ditë Parlamenti gjerman ndryshoi Kushtetutën duke futur të ashtuquajturën rregullore për vendet e treta të sigurta. Sipas saj refugjatëve që hyjnë nga një vend i BE-së ose një vend fqinji ë Gjermanisë, nuk kanë të drejtën e azilit dhe mund të dëbohen menjëherë.

Kemi një déjà-vu në politikën gjermane për refugjatët, debatet dje dhe sot duken mjaft të ngjashme. Kultura fillestare e mikpritjes duket se ka marrë fund, momentalisht në Berlin po bëhen të gjitha përpjekjet si të kufizohet dyndja e refugjatëve në Gjermani.

Pas deklaratës "ne mund t'ia dalim" - kancelarja Merkel ndërroi qëndrim duke thënë, se Gjermania u ofron shumicës së refugjatëve vetëm një qëndrim të përkohëshëm dhe se ajo pret nga refugjatët nga Siria dhe Iraku që të kthehen në shtëpitë e tyre, pas përfundimit të luftimeve.

Për zëvendësdrejtorin e organizatës gjermane "ProAsyl" ky është një "debat problematik në kohë të gabuar". "Ky më kujton situatën para dhe pas luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitet '90", thotë Bernd Mesovic. Edhe atëhere lidhur me refugjatët nga ish-Jugosllavia u fol për mysafirë të përkohshëm. Kjo nuk i shërben integrimit.
Gjermania asokohe veproi ndryshe nga shtetet e tjera evropiane. Refugjatëve boshnjakë iu dha një status i përkohëshëm qëndrimi, me pak përjashtime. Dhe pas Marrëveshjes së Daytonit, më 1995, shumë refugjatë boshnjakë, rreth 250.000, u larguan nga Gjermania, mbi bazën e një marrëveshjeje riatdhesimi mes Gjermanisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Mesovic e konsideron si turp që pikërisht Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, dhe jo Gjermania ose një tjetër vend evropian, u ofroi këtyre njerëzve asokohe mundësinë për një jetë të re. Disa prej refugjatëve, thanë në atë kohë, se presioni për t'u kthyer është një lloj "dëbimi i dytë" kujton Mesovic.

Rreth 250.000 refugjatë u larguan nga Gjermania mbi bazën e një marrëveshjeje riatdhesimi me Bosnje-Hercegovinën
Rreth 250.000 refugjatë u larguan nga Gjermania mbi bazën e një marrëveshjeje riatdhesimi me Bosnje-Hercegovinën
Por disa prej tyre, si Jasmina Borojevic, janë kthyer serish në Gjermani. Jasmina ishte fëmijë kur erdhi si refugjate me prinderit. Këtu ajo ishte në shkollën fillore. Pas luftës ajo u kthye në vendlindje në Modrica. Aty dikur u bë infermiere dhe tani ka ardhur sërish dhe punon në Gjermani.

Ka gjasa që historia e refugjatëve boshnjakë të përsëritet. "Kur të rikthehet paqja në Siri, sigurisht do të ketë si në rastin e ish-Jugosllavisë refugjatë që do të kthehen", beson Bernd Mesovic. Por do të ketë edhe nga ata që do ta mendojnë mirë këtë gjë, psh. nqs kërcënohen nga dhuna apo tortura.

Duke pasur parasysh të ardhmen e pasigurt eksperti i azilit thotë se duhet filluar integrimi sa më shpejt të jetë e mundur. Kështu mund të shmangen gabimet dhe politika e dikurshme ndaj refugjatëve. Sepse shumica e fëmijëve refugjatë që u rrit në Gjermani dhe flasin gjermanisht, u rikthyen më vonë përsëri. Herën e dytë ata nuk erdhën si refugjatë, por si studentë, inxhinierë apo me profesione mjekësore - si emigrantët model që dëshiron me entuziazëm Berlini.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat