Alarmojnë mediat e huaja: Në Kosovë janë kthyer 120 xhihadistë!

Religjion

Alarmojnë mediat e huaja: Në Kosovë janë kthyer 120 xhihadistë!

Më: 2 dhjetor 2015 Në ora: 00:41

Mediat italiane shkruajnë për alarmin e rikthimit të luftëtarëve të huaj të ISIS në Ballkan, ku radikalizimi, sipas tyre, është pasojë e politikave miope të Perëndimit.
Nëse ka shumë njerëz, dhe nga shumë anë, që tashmë i gjykojnë si të diskutueshme zgjedhjet e perëndimorëve në Libi, si dhe që vënë në dukje përgjegjësinë që këto politika kanë patur në provokimin e paqëndrueshmërisë rajonale, e cila ka favorizuar përhapjen e grupeve xhihadiste dhe të vetë Shtetit Islamik në anën tjetër të Mesdheut, sot i njëjti arsyetim përdoret nga shumëkush edhe në Ballkan, ku ndërhyrja e perëndimorëve, sipas disa analistëve, ka kontribuar për prishjen e mozaikut etno-kulturor të Ish Jugosllavisë, duke i lënë hapësirë radikalizimit të disa fraksioneve të popullsisë.

Komunitetet vahabite boshnjake, si ato të fshatit salafit salafit të Gorja Maoca dhe afro 20 celula terroriste, që sipas një reportazhi të “L’Espresso”, janë aktive në rekrutimin dhe stërvitjen e militantëve të Shtetit Islamik në Bosnje Hercegovinë dhe në të gjithë territorin e Ballkanit, mund të jenë pjesërisht, si një pasojë e konfliktit të 1992-1995, që ka bërë që elitat islamike fondamentaliste të hedhin rrënjë në institucionet e vendit.

Në po të njëjtën mënyrë, ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 në Kosovë, ka prodhuar një shtet, i cili, qysh prej shpalljes së pavarësisë në 2008, pjesërisht e njohur në nivel ndërkombëtar, është karakterizuar nga institucione politike të dobët, të paqëndrueshëm dhe të korruptuar, që në këto vite kanë prodhuar terrenin pjellor për lulëzimin e gjithfarëlloj trafiqesh dhe kontrabande, si dhe për zhvillimin, përmes OJQ-ve myslimane, të një radikalizmi islamik, të cilit sot po këto institucione përpiqen t’i bëjnë ballë, por me sukses të mangët.

Kështu, sipas asaj që shkruhet në një reportazh të gjatë mbi terrorizmin, botuar nga e përditshmja kroate 'Jutarnij list', e cila citon burime të shërbimeve të fshehta të Zagrebit, “një rrjet i fortë” grupesh xhihadistë është aktiv tashmë prej vitesh në Ballkan, dhe sidomos në Bosnje, Shqipëri dhe Kosovë. Pikërisht këto vende, janë ato që, menjëherë pas vendeve arabe, furnizojnë me numrin më të madh të luftëtarëve radhët e ISIS-it.

Me 92 qytetarë të nisur për në Siri vetëm gjatë vitit 2015, Borsnja është vendi i katërt në botë për numrin e militantëve të nisur për t’iu bashkuar xhihadistëve të ISIS. Menjëherë pas saj është Kosova, prej ku janë nisur gjatë këtij viti 83 luftëtarë. Dhe ku, duke nisur nga viti 2011, janë rikthyer nga fushëbetejat e ISIS-it në Siri dhe në Irak, plot 120 militantë kosovarë.

Zëdhënësi i policisë kosovare, Baki Kelani, ka siguruar se këta persona mbahen nën kontroll dhe që pas sulmeve të Parisit, edhe në Kosovë janë forcuar masat e sigurisë.

Veç kësaj, ministri i Brendshëm i Kosovës ka firmosur një urdhër me të cilin i është hequr liçenca 16 OJQ-ve myslimane “të dyshuara se kanë lidhje me rrjete terroriste’ dhe që janë të përfshira si në propagandim të ideve ekstremiste, ashtu edhe në rekrutim të të rinjve.

Por rreziku për sigurinë që paraqet rikthimi i luftëtarëve në Ballkan nuk mund të fshihet, e mbi të gjitha, duket se është prej kohësh një realitet i konsoliduar.

Vetëm pak ditë më parë, shkrime që lartësonin Shtetin Islamik dhe UÇK-në u shfaqën në qytetin e Mitrovicës.

Situata në Shqipëri nuk rezulton të jetë më e mirë, me 140 nënshtetas shqiptarë të nisur për në Siri si “foreign fighters”, nga të cilët 43 janë rikthyer në territorin shqiptar.

Vendi e ka rritur nivelin e sigurisë dhe ka forcuar kontrollet e sigurisë në kufijtë e tij. Ashtu si kanë bërë dhe Serbia e Mali i Zi, që megjithatë nuk janë imunë nga fenomeni i luftëtarëve që kthehen.

Ballkani konfirmohet kështu si klubi më i madh i rekrutimit të terroristëve në Europë, pak kilometra larg nga kufijtë e Italisë. Pavarësisht dhjetëra arresteve në muajt e fundit, ky rajon paraqet gjithmonë e më shumë një kërcënim për sigurinë e kontinentit europian.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat