Evropa Lindore në frikë

Religjion

Evropa Lindore në frikë

Më: 21 nëntor 2015 Në ora: 11:47

Në Evropën Qendrore dhe Lindore, atentatet e Parisit dhe vala më e fundit e terrorit islamik shihen gjithnjë e më dendur të lidhura me valën masive të refugjatëve drejt Evropës. Shqetësimi për sigurinë është në rritje.

Ceki, protesta kunder refugjateve

Pas atentateve të Parisit, në shumë shtete të Evropës Qendrore dhe Lindore jo vetëm është shtuar prania e policisë në qendrat e qyteteve. Janë ashpërsuar edhe kontrollet kufitare dhe mbikqyrja e kampeve të refugjatëve. Para së gjithash është ashpërsuar retorika kundër refugjatëve myslimanë.

Në Poloni, qeveria e re konservatore bëri të qartë se detyrimi për pranimin e refugjatëve nuk mund të respektohet më pas atentateve të Parisigt. Varshava nuk "ka mundësi politike" që ta vërë në jetë planin e BE, tha Ministri për Evropën, Konrad Szymanski. Ministri i ri i Jashtëm i Polonisë, Witold Waszzykowski u kërkoi refugjatëve sirianë që të kthehen në atdhe dhe të luftojnë. Në televizionin polak TVP ai tha se nuk është e pranueshme "që ne të dërgojmë ushtarët tanë në luftë në Siri në një kohë kur qindra mijëra sirianë e pinë kafenë e tyre në bulevardin (luksoz të Berlinit) "Unter den Linden"."

Krijim i një atmosfere kundër refugjatëve

Edhe kryeministri socialdemokrat i Sllovakisë, Robert Fico shkaktoi zemërim me reagimin e tij ndaj atentateve terroriste në Paris. Në një talkshow në televizion ai tha se si masa shtesë sigurie për parandalimin e akteve terroriste ai do të mbikqyrë të gjithë myslimanët në Sllovaki.

Në Hungari, shefi i partisë ekstremiste të djathtë Jobbik, Gabor Vona, tha se vërshimet e refugjatëve e kanë shtuar rrezikun e terrorit në Evropë. Prandaj duhet të jetë e qartë më e vonta pas atentateve të Parisit se vendi i tij nuk i pranon kuotat për pranimin e refugjatëve. Parlamenti hungarez votoi këtë javë pro një ligji, i cili i jep qeverisë të drejtën për ta kontestuar para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë rregulloren e kuotave të shpërndarjes së refugjatëve.

Rumania kundërshton kuotat

Edhe Presidenti liberal rumun, Klaus Iohannis e ka kritikuar disa herë rregulloren e kuotave, por në fund e mbështeti vendimin e BE. Në një konferencë shtypi pas atentateve të Parisit, Iohannis hoqi një vijë ndarëse midis çështjes së refugjatëve dhe rrezikut të terrorizmit. Ksenofobia dhe ultranacionalizmi nuk do të lejohet të helmojnë shoqërinë tonë, tha ai.

Qeveria bullgare reagoi ndaj atentateve të Parisit duke shtuar kontrollet në kufirin mes Bullgarisë dhe Turqisë. Në një kontroll në fillim të javës u arrestuan më shumë se 300 refugjatë ilegalë. Kryeministri Boiko Borisov tha pas atentave të Parisit se tani Evropa duhet ta rishqyrtojë politikën e "integrimit të grupeve të rrezikuara". Shumica e bullgarëve i refuzon refugjatët. Kisha ortodokse kërkoi nga qeveria që "t'i thotë ndal invazionit mysliman".

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat