Buxheti faktik 2017, ja si u përdorën fondet e rezervës nga qeveria

Shqipëria

Buxheti faktik 2017, ja si u përdorën fondet e rezervës nga qeveria

Më: 18 nëntor 2018 Në ora: 08:17
Mbledhje qeverie

Pjesa më e madhe e fondit rezervë të buxhetit të shtetit për vitin e kaluar është përdorur për të mbuluar blerjen e energjisë në një vit krize, dëmshpërblime në përputhje me vendime gjykatash, për banesa të dëmtuara apo për shpërblimet e pensionistëve në fund të vitit.

Ndërkohë, shteti shqiptar nuk ka harruar të ndihmojë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 100 mijë dollarë për të lehtësuar pasojat financiare të dëmeve nga uraganet në këtë vend. Këto të dhëna dalin në buxhetin faktik 2017, të sapodekretuar nga presidenti Ilir Meta.

Buxheti i shtetit përfshin gjithnjë, sipas ligjit, një fond rezervë, i cili përdoret për rastet e financimit të shpenzimeve, që nuk njihen dhe janë të pamundura të parashikohen gjatë procesit të përgatitjes së buxhetit.

Miratimi i përdorimit të tij bëhet me Vendim të Këshillit të Ministrave. Gjatë vitit 2017, shuma e Fondit Rezervë të buxhetit të shtetit është miratuar dhe ndryshuar si vijon. Në fillim ishte parashikuar shuma prej 1.5 miliardë lekësh. Me Aktin Normativ të gushtit 2017, shuma u rritë në 2.7 miliardë lekë, gati dy herë. Por, më ndryshimin e fundit që ju bë buxhetit në nëntor përfundimisht arriti në 2.4 miliardë lekë.

Deri në datën 31 dhjetor të vitit 2017, fondi rezervë i buxhetit të shtetit u përdor, nëpërmjet 28 Vendimeve të Këshillit të Ministrave, në shumën prej rreth 2.3 miliardë lekësh, nga 2.4 miliardë  lekë të planifikuara, ose në rreth 95.9 për qind të tij.

Nga fondi rezervë i planifikuar për vitin 2017, i përdorur nëpërmjet VKM-ve, rezulton se rreth 90 për qind e tij është përdorur për shpenzime korente (shpenzime operative dhe transferta të brendshme); 6 për qind e tij për investime publike dhe 4 për qind e tij janë përdorur për shpenzime personeli.

Sipas institucioneve, kryeministria dhe ministria e Financave kanë përdorur nga 1.7%, ministria e Arsimit 3.3%, ajo e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale 7.6%, ministria e Brendshme 16.3%.

Ndërkohë, gati gjysma e fondit, 1 miliard lekë, apo 43% e rezervës buxhetore, është përdorur për të mbuluar blerjen e energjisë nga entet shtetërore, në një vit të goditur nga kriza energjetike, për shkak të thatësirës së zgjatur të vitit të kaluar, kur dihet se sistemi ynë prodhues varet në një masë jashtëzakonisht të madhe nga uji i HEC-eve.

Rreth 40 milionë lekë, sa 1.7 për qind e fondit rezervë, i është dhënë Kryeministrisë për investime; rreth 38.9 milionë lekë, ose 1.7 për qind e fondit rezervë i është dhënë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë nëpërmjet shtatë vendimeve, si shtesë fondi në planin e buxhetit të vitit 2017 për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si edhe për financimin e kontratës së qirasë midis DPD e shoqërisë “Continental Group sh.a”.

Rreth 75.4 milionë lekë, ose 3.3 për qind e fondit reserve, i është dhënë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për financimin e pistës së atletikës në stadiumin 'Loro Boriçi', Shkodër.

Rreth 3.3 milionë lekë i është dhënë Ministrisë së Kulturës për përballimin e shpenzimeve për organizmin e aktiviteteve për kryerjen e ceremonialit funebër në nderim të shkrimtarit Dritëro Agolli. Ndërkohë, rreth 176 milionë lekë, ose 7.6 për qind e fondit reserve, i është dhënë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për shpërblimin e disa kategorive për festat e fundvitit.

Rreth 375.3 milionë lekë, ose 16.3 për qind e fondit rezervë, i është dhënë Ministrisë së Brendshme me pesë VKM për shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i vendimeve gjyqësore, për dëmshpërblimet e disa familjeve  për shkak të dëmtimit të banesave, për shpërblimin e disa punonjësve të angazhuar në situata emergjente, si edhe për dhënien e ndihmës familjes së një inspektori policie të vrarë në krye të detyrës.

Rreth 56.7 milionë lekë, ose 2.5 për qind e fondit reserve, i është dhënë edhe Ministrisë së Mbrojtjes për shpërblimin e disa punonjësve të angazhuar në situata emergjente.

Kontrollit të Lartë të Shtetit i janë dhënë 104.7 milionë lekë për investime; 65 milionë lekë u janë dhënë partive politike për financimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore, ndërsa Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i është akorduar fondi prej 88.9 milionë lekë për financimin e shpenzimeve të zgjedhjeve.

Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare i është akorduar shuma prej 14.9 milionë lekësh, ose 0.7% e fondit rezervë të akorduar; fondi prej 1 miliard lekësh është dhënë për blerje nga importi të energjisë elektrike dhe për zhvillimin urban janë akorduar rreth 175.8 milionë lekë.

Rreth 11.5 milionë lekë, baraz me 100 mijë dollarë, ose 0.5 për qind e fondit rezervë, i është dhënë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, për dhënien e ndihmës financiare, për Qeverinë e SHBA, për lehtësimin e pasojave të dëmeve të shkaktuara nga erërat e forta dhe përmbytjet në shtator 2017 në atë vend. Shifër kjo, simbolike për një vend të madh si Amerika, por dëshmi e një vullneti të mirë.

Përveç fondit rezervë të mirëfilltë, në buxhet parashikohet edhe një tjetër rezervë, Fondi Kontigjencë për risqet e borxhit, i cili për vitin e kaluar ishte vendosur në masën prej 4 miliardë lekësh. Për buxhetin e vitit 2017 ishte përcaktuar që kontigjenca për risqet e borxhit të përdoret për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në nivelin e borxhit.

Në datën 31 dhjetor 2017, kjo kontigjencë rezulton e papërdorur, pasi kursi i këmbimit rezultoi pozitiv për buxhetin, duke qenë se borxhi i jashtëm u zvogëlua në kushtet e forcimit të lekut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat