Rama: Kushtetuta nuk njeh refuzimin e ministrave

Shqipëria

Rama: Kushtetuta nuk njeh refuzimin e ministrave

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 21:23
Edi Rama

Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama tha sot se kushtetuta nuk i njeh asnjë të drejtë presidentit për të refuzuar propozimet për ministra, duke theksuar se refuzimi për dekretimin e gjeneralit Sandër Lleshi në postin e ministrit të Brendshëm, kishte shkaktuar një krisje kushtetuese. Deklaratat e tij zoti Rama i bëri gjatë seancës së parlamentit ku u votua shkarkimi i zotit Fatmir Xhafaj, ndërsa më pas në mbledhje qeverie emëroi zotin Lleshi si zëvendësministër të Brendshëm, duke i besuar drejtimin e këtij institucioni. Po sot, pas një viti, presidenti Meta dekretoi drejtorin e ri të shërbimeve sekrete Helidon Bendon.?

Në fjalën e tij në parlament, zoti Rama shmangu tonet e ashpra ndaj presidentit Ilir Meta, ndonëse mesazhet dërguar këtij të fundit nuk ishin të pakta. Ai fillimisht i kushtoi një pjesë të gjatë arsyetimit se përse sipas tij, kushtetuta nuk i njeh të drejtën Kreut të Shtetit për të refuzuar propozimet për anëtarë të kabinetit qeveritar. “Kushtetuta i ka të përcaktuara një për një, e zeza mbi të bardhë, të 12 kompetencat e Presidentit të Republikës. Ndër to nuk figuron gjëkundi kompetenca e refuzimit të Kryeministrit, për sa kohë ky gëzon besimin e shumicës në Parlament dhe po njësoj, të ministrave që gëzojnë besimin e Kryeministrit”, deklaroi ai.

Zoti Rama lexoi letrën që kishte marrë nga presidenti Meta, përmbajtja e së cilës ishte ajo e bërë publike, e ku shpjegohej se kreu i Shtetit nuk kishte krijuar bindjen e plotë për emërimin e zotit Lleshi. Një formulim që siç tha zoti Rama nuk kishte asnjë referencë kushtetuese apo ligjore.

Sipas kryeministrit, “krisja në këtë rast nuk është personale, as politike. Krisja është kushtetuese dhe ne do të bëjmë çmos në radhë të parë për ta ngjitur, uroj të gjejmë edhe nga ana e Presidentit të Republikës dëshirën dhe durimin për të mos ta çuar krisjen në thyerje”

Të dy drejtuesit më të lartë të Shtetit u takuan të dielën, ndërsa dje Presidenti Meta reagoi duke thënë se nuk do të lejojë “asnjë tentativë për të sfiduar autoritetin e institucionit të Kreut të Shtetit”. Zoti Rama u shpreh sot i habitur nga përmbajtja e deklaratës së zotit Meta e cila mbyllej me referenca mbi ndarjen e pushteteve në kohën e komunizmit, duke deklaruar se e kishte patur gati replikën, porse sipas tij “kjo kohë dhe ky vend imponojnë përqendrim tek rrugëdalja nga situata e paprecedente që është krijuar prej refuzimit të paprecedent të Presidentit të Republikës për të firmosur dekretimin e një ministri. Ky është një moment delikat sepse është vënë në pikëpyetje një ekuilibër i rëndësishëm institucional i vendit. Uroj me gjithë zemër që e gjitha kjo të mos bëhet me një qëllim që shkon përtej dekretit për gjeneral Sandër Lleshin”.

Zoti Rama u shpreh se kishte besim se presidenti nuk e kishte thënë fjalën e fundit për këtë temë dhe pse afati ka skaduar siç e pranoi dhe vetë, duke shtuar se “do t’i japim disa ditë kohë jo vetëm Presidentit që ta bluajë këtë çështje për të krijuar bindje të plotë, por dhe vetes për të hedhur hapin tjetër”. Hapi i parë i paralajmëruar ishte ai i emërimit sot të zotit Lleshi në postin e zëvendësministrit të Brendshëm, menjëherë pasi në sallën e parlamentit u votua dekreti për shkarkimin e zotit Xhafaj, i cili dha dorëheqjen disa ditë më parë. Zoti Rama e shoqëroi personalisht zotin Lleshi në ministrinë e Brendshme, të cilën ai do ta drejtojë plotësisht, ndonëse “de jure”, pa titullin e ministrit.

Më herët, gjatë ditës Presidenti Meta kishte njoftuar dekretimin e drejtorit të ri të Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo. Edhe ky i propozuar që prej një viti nga kryeministri Edi Rama, por me emërimin e mbajtur pezull, ndërkohë që vijoi ta drejtonte institucionin, si zëvendësdrejtor i shërbimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat