Protestuesit, Ramës: Hiq dorë nga teatri! Nuk do të shpëtojnë dot as miqtë e Sorosit!

Shqipëria

Protestuesit, Ramës: Hiq dorë nga teatri! Nuk do të shpëtojnë dot as miqtë e Sorosit!

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 13:40
Protesta

Dhjetëra qytetarë në protestë kundër shembjes së Teatrit. Mungesa e forcave policore mund të paralajmërojë arrestimin e organizatorëve. Gjatë marshimit zbulohen korrespodencat komprometuese me përfaqësues të KE-së. Në rast “kokëfortësie” të qeverisë artistët i bëjnë thirrje opozitës të djegë mandatet dhe Presidentit të heq dorë nga posti për t’iu bashkuar lëvizjes popullore

Protestuesit, Ramës: Hiq dorë nga teatri! Nuk do të shpëtojnë dot as miqtë e Sorosit!

Kthimi i ligjit “të ri” për Teatrin paraditen e djeshme. nga Presidenti Ilir Meta, nuk e ndali shoqërinë civile që të vijonte protestat kundër shembjes së Teatri Kombëtar dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, derisa kryeministri Rama të tërhiqet. Me dhjetëra artistë e qytetarë i’u drejtuan ditën e djeshme kryeministrisë dhe presidencës. Marshimi nisi nga Teatri Kombëtar dhe protestuesit u ndalën përballë Kryeministrisë për t’i bërë thirrjet e fundit, të cilat nuk lanë të përjashtuar opozitën, pasi “gardianët” e institucionit të parë të kulturës në Shqipëri i kërkojnë deputetëve të djegin mandatet, jo thjesht në mbrojtje të Teatrit, por në mbrojtje të demokracisë. Qytetarët u shprehën të vendosur për “të mos e lëshuar” Teatrin, madje ata të entuziazmuar për barrikadën e fundit që i’u bë kthimit të ligjit nga Presidenti kërkuan mbështetjen e mëtejshme të tij për restaurimin e kësaj godine, të konsideruar nga artistët, si “tempull i shenjtë”.

Robert Budina: Ne do të mbyllemi në Teatër, nëse duan ta shembin!

Regjisori Robert Budina, i pranishëm që në fillim të protestave, bën betejën e tij për të penguar shembjen e Teatrit. Gjatë marshimit të organizuar ditën e djeshme ai u shpreh se ndalja e ligjit që rrëzon teatrin nuk mjafton, pasi ka ardhur koha të merren masa për restaurimin e godinës. Përpos kësaj regjisori paralajmëroi, se ai së bashku me protestuesit e tjerë nuk do ta lëshojnë Teatrin Kombëtar, madje nëse do të jetë e nevojshme ata do të shkojnë deri në rezistencë fizike. “Ne do të mbyllemi atje, në qoftë se ata do të duan ta shembin!”, u shpreh ai. Për Budinën shembja e Teatrit, nuk është thjesht shembja e institucionit “mëmë” të artit dhe kulturës, pasi ky akt do të shënonte shembjen e demokracisë, ndaj ai këmbëngul se nëse do të nevojitet protestuesit do të mbyllen në TK, për të mbrojtur jo thjesht një godinë, por një simbol. Regjisori u shpreh dje se gjendja delikate në të cilën gjendet kultura në vendin tonë nuk është aspak e rastësishme. “Shembja e kulturës është shembja e shtetit!”, theksoi ai. Për Budinën lënia e lirë e Teatrit Kombëtar si “robinë” e pushtetit shënon rastin ideal edhe për kryeministrin për t’i ringjallur popullit shpresën dhe për t’i treguar atij se ky vend mund të bëhet. “Sigurisht që kjo kërkon edhe bashkëpunimin tonë, që shoqëria e ndërgjegjësuar të shkojë përpara. Por them se ne hapat i kemi bërë!”. Ai theksoi gjatë protestës paqësore para Kryeministrisë se prania në këtë marshim e deputetëve opozitarë, të cilët iu bashkuan vullnetit të qytetarëve është një shembull demokracie. Mirëpo marshimi i djeshëm, sipas regjisorit nuk është fundi i kësaj beteje. “Duhet ta çojmë më përpara, duhet të vërtetojmë që me aktivitetin tonë ne mendojmë për të ndërtuar dhe jo për interesa e për ta shkrirë vendin!”. Për të pavetëdija e këtij populli, për të kuptuar situatën në të cilën ndodhet gjatë këtyre 30 viteve demokraci është katastrofike, ndaj bën thirrje për bashkëpunim mes të gjitha palëve. Budina e konsideroi ngjarjen e teatrit si shansin ideal për të bashkëpunuar me kulturë, duke vendosur tullat e demokracisë ashtu siç duhet. “Unë jam i bindur se ju me maturinë tuaj do të dini ta stoponi këtë qeveri që nuk po pyet më për asgjë!”, konkludoi ai.

Ervin Goci: Ambasadorja shqiptare në Bruksel mashtroi në KE-në!

Pedagogu dhe gazetari Ervin Goci ditën e djeshme, gjatë marshimit drejt Presidencës, bëri me dije që në krye të fjalës se mungesa e pranisë së policisë gjatë protestës mund të paralajmërojë arrestimin e organizatorëve, të cilët edhe pse kanë lajmëruar më herët për këtë ngjarje, nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga ana e strukturave përkatëse. Ai zbuloi ndër të tjera fakte të dyshimta rreth korrespodencës që është bërë me Komisionin Evropian, si tregues që luftën për shembjen e Teatrit Qeveria e ka bërë në disa fronte. “Ambasadorja shqiptare në Bashkimin Evropian, Suela Janina i  shkruan KE-së, që procesi dhe projekti i Teatrit Kombëtar është iniciuar dhe i është ofruar palës publike, pra qeverisë shqiptare, nga subjekti privat  ‘Fusha.shpk’”. Sipas pedagogut, në korrespodencë thuhet se “Fusha Shpk” mundëson ndërtimin e Teatrit të ri në këmbim të një toke, ngjitur me teatrin, pronë e bashkisë Tiranë. “Pra është një korrespodencë që do të tregojë se kjo iniciativë i shërben shtetit shqiptar dhe jo kryeministrit. Kjo është futur si mekanizëm për dezinformimin e KE-së dhe diplomatëve evropianë. Një ambasadore gënjen dhe thotë se nuk preket metri në katrorë!”, u shpreh Goci.

Kastriot Çipi: Nëse Rama nuk tërhiqet, zgjidhja do të vijë nga rruga!

Regjisori Kastriot Çipi ditën e djeshme gjatë protestës në mbrojtje të teatrit u shpreh entuziast që në një situatë ku në vend mungojnë Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, ku Qeveria është njëngjyrëshe dhe Parlamenti ka vetëm një shumicë ekstreme të komanduar nga një person i vetëm, Presidenti del garant i mbrojtjes së demokracisë dhe Kushtetutës. “ Kjo mund të na bëjë të mendojmë se ne nuk jemi ende de facto në diktaturë, por diktaturën e kemi shumë pranë!”, u shpreh ai. Çipi u shpreh se qytetarët tanimë nuk kanë pritshmëri tek një kthesë e kryeministrit Rama. “Ne nuk presim që zoti Rama të ndryshojë mendje, ne presim që ai të sillet si diktator siç është sjellë gjatë gjithë kësaj kohe dhe të vazhdojë me kokëfortësi shkeljen e Kushtetutës dhe të bëjë çdo përpjekje për të shembur teatrin, për të tjetërsuar pronën publike dhe për të vjedhur në fund të fundit. Sepse, ky person po na ndalon të themi dhe atë që mendojmë tani po na e quan edhe shpifje kur vjedh!”. Regjisori mandej u bëri thirrje protestuesve që të vazhdojnë të mbajnë qëndrimin e tyre me të njëjtin integritet, në emër të tyre ai i kërkoi gjithashtu opozitës që të djegë mandatet, nëse qeveria vazhdon me të njëjtën kokëfortësi. “Nëse kjo shumicë vazhdon të shkelë Kushtetutën në mënyrë të hapur, flagrante, të shpërfillë mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe në kushtet kur Komisioni Evropian po hesht zgjidhja e vetme është djegia e mandateve!”. Çipi u shpreh se këmbëngulja e qeverisë për të shembur teatrin , do të thoshte anashkalim i vendimit të Presidentit, ndaj edhe Meta duhet të reagojë ndaj një veprimi të tillë. “Nëse ju shpërfilleni nga mazhoranca, dhe dy herë shpërfillet vendimi juaj për të rrëzuar një ligj antikushtetues, ju nuk duhet të jeni më President, por ju duhet të jeni një nga liderët e lëvizjes popullore që duhet të rrëzojë diktaturën!”. Sipas tij, në një situatë si kjo, nuk ka rrugë demokratike, mjete apo negociata me institucione inekzistente. “Nëse Rama nuk tërhiqet zgjidhja do të vijë nga rruga! Zgjedhjen nga rruga Rama do ta provojë shumë të rëndë në kurrizin e tij dhe nuk do ta shpëtojnë as miqtë e tij të SOROS-it apo të Komisionit Evropian”.

Neritan Liçaj: Je kryeministri i këtij vendi, kryeshërbëtori, jo agai i shqiptarëve!

Aktori Neritan Liçaj i angazhuar që prej fillimit në rezistencën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, gjatë protestave të ditës së djeshme i bëri thirrje kryeministrit të heq dorë nga shembja e godinës duke i kujtuar se Kryeministria është në fakt “shtëpia” e shqiptarëve. Ai paralajmëroi kryeministrin se nëse vazhdon në bindjen e tij do t’i duhet të përballet me qytetarët. “Do të vijmë një ditë të gjithë bashkë këtu dhe do të përfundosh si Rikardi III duke bërtitur: Një kalë, një kalë, jap kryeministrinë për një kalë!”. Liçaj u shpreh se detyra e Ramës si kryeministër është të punojë dhe t’i shërbejë popullit dhe jo interesave vetjake. “Fillo të tentosh të bësh shtet siç na premtove kur erdhe, se deri tani nuk e ke bërë!”, u shpreh aktori duke paralajmëruar se në rast të kundërt kryengritja e qytetarëve do të shpërthejë si një ortek që do ta marrë atë përpara. “Ki kujdes je kryeministri i këtij vendi, kryeshërbëtori, jo agai i shqiptarëve!”.

Meta kthen për herë të dytë ligjin për teatrin

Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit të Teatrit Kombëtar. Bëhet fjale për ligjin nr. 37/2018, datë 20.09.2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”. Në arsyetimin e publikuar dje nga Presidenca mësohet se kuvendi nuk ka shqyrtuar tetë nga 9 arsyet e dhëna nga Presidenti i Republikës në dekretin nr. 10 849, dt 27.07.2018, duke shmangur kështu zgjidhjen e çështjes dhe duke krijuar sërish një normë të re ligjore antikushtetuese. Po kështu dhe një arsye që u nis ta trajtonte sërish nuk ka arritur të zgjidhë çështjen e trajtimit preferencial dhe jo të barabartë të një subjekti privat. “Në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 37/2018, të miratuar nga Kuvendi më datë 20.09.2018, Presidenti i Republikës, ka arritur në konkluzionin se, ky ligj nuk ka arritur të zgjidhë në thelb asnjë prej nëntë çështjeve dhe problematikave kushtetuese dhe ligjore të evidentuara në dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10849, datë 27.07.2018, edhe pse ky dekret rezulton të jetë miratuar në tërësi nga Kuvendi. Kuvendi megjithëse është përpjekur që të plotësojë vetëm një prej konstatimeve kushtetuese të Presidentit të Republikës dhe që kishte të bënte me trajtimin preferencial dhe jo të barabartë të një subjekti privat, sërish edhe me ligjin e ri të miratuar, Kuvendi rezulton se nuk ka arritur ta zgjidhë edhe këtë çështje, thuhet në njoftimin e Presidencës”.Gjithashtu presidenti vë në dukje me shqetësim dhe faktin që Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale për tu shprehur përfundimisht mbi këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat