I mbaron mandati, hapet procesi për kreun e KLSH-së

Shqipëria

I mbaron mandati, hapet procesi për kreun e KLSH-së

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 09:35
Bujar Leskaj

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka hapur procesin për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pasuesin e z. Bujar Leskaj. Vendimi ka ardhur pasi z. Leskaj i mbaron më 22 dhjetor 2018, mandati 7-vjeçar.

Njoftimi i plotë i Presidencës:

Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 162 pika 2 të Kushtetutës, si dhe të neneve 19 pika 2, 20, 21, 23 pika 1/a, të ligjit nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, duke qenë se mandati 7-vjeçar i qëndrimit në detyrë i z. Bujar Leskaj si Kryetar i Kontrollit të Lartë Shtetit, përfundon më datë 22 dhjetor 2018, si dhe me vullnetin për realizimin e një procesi sa më objektiv e transparent për përzgjedhjen e një kandidature me integritet të lartë moral dhe profesional të përshtatshme për këtë pozicion Kushtetues, ka vendosur :

Hapjen e procesit për çdo të interesuar, për të shprehur interesin për të qenë kandidat për pozicionin kushtetues të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit që do të zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë me propozim të Presidentit të Republikës.

Presidenti i Republikës fton;

Çdo person të interesuar që plotëson kushtet dhe kriteret e parashikuara në, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nenin 20 të ligjit nr.154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, dhe legjislacionin e brendshëm, që të marrë pjesë në këtë proces të hapur publik, për të shprehur interesin për të qenë kandidat për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të paraqesë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës dokumentacionin si më poshtë;

– Kërkesën për shprehjen e interesit për të qenë kandidat për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit;

– Jetëshkrimin në gjuhën shqipe me të dhënat e plota të kontaktit;

– Dokumentacionin shoqërues që vërteton përmbushjen e kushteve dhe kritereve për t’u zgjedhur në këtë pozicion, të përcaktuara në nenin 20 të ligjit nr.154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

ligjit për shprehje interesi dhe dokumentat shoqëruese mund të dorëzohet me postë ose drejtpërsëdrejti në ambjentet e Presidencës, në adresën: Institucioni i Presidentit të Republikës, Blv. “Dëshmorët e Kombit”, Nr.1 Tiranë, Kodi Postar 1001.

Afati i paraqitjes së shprehjes së interest, shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm, do të jetë duke filluar nga data 12 tetor 2018 deri më datë 30 tetor 2018.

Pas administrimit të dokumentacionit, emrat e personave, të cilët kanë shprehur interesin dhe CV-të e tyre, do të bëhen publike në faqen zyrtare të internetit të Institucionit të Presidentit të Republikës.

Kandidatit të përzgjedhur për këtë pozicion kushtetues, do t’i kërkohet paraqitja e dokumentacionit shtesë si më poshtë:

– Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”;

– Formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e Ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;

– Vetëdeklarim i aplikantit se nuk ndodhet në kushtet e pengesës ligjore të papajtueshmërisë së funksionit sipas përcaktimeve të nenit 21 pika 1, të ligjit nr.154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat