Paloka: Edi Rama rrëzohet me dhunë

Shqipëria

Paloka: Edi Rama rrëzohet me dhunë

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 16:02
Edi Paloka

Edi Paloka, nënkryetar i PD-së akuzon kryeministrin Edi Rama se ka bërë pakt me krimin, ndaj shprehet i sigurtë se ai mund të rrëzohet vetëm përmes dhunës. Por sipas tij, kjo nuk do të thotë që opozita do të bëjë popullin “mish për top” siç bëri Edi Rama me 21 janar.

Por pavarësisht kësaj, z.Paloka thotë për “Gazeta Shqiptare” se opozita po përgatit terrenin për zgjedhje të lira dhe të barabarta. Ai përmend se PD ka paraqitur propozimet për rikthimin në rrugën e kushtetutshmërisë të reformës në drejtësi, ndryshimet kushtetuese për vetingun në politikë, platformën kundër korrupsionit dhe lidhjeve korruptive qeveri-oligarki ndërsa sot do të prezantojë platformën për një proces zgjedhor të lirë. Sipas zyrtarit të lartë të PD-së të gjitha këto lëvizje politike, synojnë rikthimin e vendit në normalitet nëpërmjet rrugëve institucionale.

Z.Paloka, opozita prej disa kohësh ka ndërmarrë një fushatë denoncimesh që jo rrallë kanë “shkundur” qeverinë, por nisma e fundit e kryeministrit Rama ‘antishpifje’ e frenon apo është një shtysë për një betejë më të ashpër kundër mazhorancës?

“Antishpifja” e Ramës nuk është gjë tjetër veçse ashtu si “kallëzimet” në grup të zëvendësit të tij, një tentativë për të mbuluar sa të mundet e për të tërhequr vëmendjen nga skandalet që nuk ndalen për këtë maxhorancë. PD dhe opozita kanë pesë vjet që denoncojnë me fakte të pakundërshtueshme çdo akt antikushtetues, antiligjor dhe korruptiv të Ramës dhe qeverisë së tij, kjo është detyra e parë e një opozite. Së fundmi, opozita ka qenë më e përqëndruar në situatën e rëndë që po kalon vendi lidhur me rendin dhe sigurinë publike si pasojë e lidhjes direkte të qeverisë dhe vetë Ramës me krimin e organizuar.

Në këtë aspekt opozita i ka dhënë zë dhe mbështetje qytetarëve që ndihen të pafuqishëm përballe koalicionit qeveri-krim-oligarki.

Ngjarja e fundit në Bllok, në zonën më të populluar dhe që presupozohet dhe më të sigurtë të kryeqytetit, tregon jo vetëm pasigurinë e jetës në Shqipërinë e Ramës por dhe fuqinë që ka marrë krimi me “rilindjen”. Zhvillohet një betejë e vërtetë nga individë që janë në kërkim nga policia, që në vend të fshiheshin, bredhin të armatosur në zemër të kryeqytetit, vrasin dhe plagosin e pastaj largohen me qetësi. Autori kryesor i krimit është dhe anëtarë i Forcave të Armatosura. Policia “kap” të vrarët. Kjo në zonën “më të sigurtë” të kryeqytetit, pak metra larg nga vendi ku të nesërmen Xhafaj ju fliste ministrave të Brendshëm të rajonit për sigurinë.

Atëherë pse krimi ndihet kaq i fuqishëm?

Për një arsye të thjeshtë, sepse ajo që duhet ta luftojë krimin, qeveria, është vetë pjesë e krimit. Djali i deputetit të “rilindjes” mund të të përdhunojë dhe gjithë shteti duke filluar nga kryeministri, ngrihen në mbrojtje të përdhunuesit dhe sulmojnë denoncuesit e krimit. E ky nuk është rasti i parë dhe as i vetëm. Për Ramën janë “horrat” ata që guxojnë të denoncojnë. Atyre Rama ju qepet këmba-këmbës për t’ju mbyllur gojën. Kështu bëri me Zaganin, kështu po bën dhe me Nuhun. Ndërkohë kriminelët, vrasësit, përdhunuesit dhe trafikantët janë “heronjtë” e Ramës. Siç mbron sot Rrajën e Taulant Ballën, ka mbrojtur dje dhe Roshin, Habilajt, Tahirin e me radhë gjithë krimin që ai ka mbledhur rreth vetes. Rama është i lidhur fort me krimin, por në mënyrën më simbolike e shprehu së fundmi dhe përdhunuesi më i vogël i “rilindjes”, i cili të vetmen fjali që tha publikisht e kishte kërcënim për kryetarin e opozitës; “do ta shohë në zgjedhje Lulzim Basha”. Ky është thelbi i kësaj situate sot në Shqipëri, e denoncuar prej kohësh nga opozita. Rama ka bërë pakt me krimin; ata i japin pushtetin duke marrë votat për të dhe ky iu jep pushtetin të bëjnë ç’të duan pa i prekur kush. Për këtë arsye ata përdhunojnë, dhunojnë, iu vënë gjoba e vrasin kë të duan se në fund e dinë që Rama nuk do t’i prekë. Se vetë zëvendësi i Ramës do shkojë t’i nxjerrë nga policia kur ndonjë “horr” të guxojë të merret me ta.

Si mund t’i kundërvihet opozita…?

E vetmja mënyrë për të shpëtuar vendin nga koalicioni i së keqes që Rama ka bërë me krimin, është t’i vëmë përballë koalicionin opozitë-qytetarë. Çdo qytetarë, intelektual, i angazhuar ose jo, çdokush që kërkon të rrisë fëmijët në këtë vend pa patur frikë se ia dhunojnë apo përdhunojnë, kushdo që kërkon të ndërtojë jetën në këtë vend e nuk e sheh zgjidhjen tek ikja, duhet të bashkohet me opozitën për të larguar shkakun e gjithë të këqijave që kanë pushtuar vendin e që ka vetëm një emër; Edvin Rama.

Ju keni deklaruar se opozita do të ezaurojë të gjitha mënyra institucionale, e nëse Rama do të vijojë të jetë në pushtet, atëherë opozita do i bëjë thirrje qytetarëve për revolta. A besoni se shqiptarët do të ngrihen dhe do të rrëzojnë Ramën për të cilin jeni shprehur se do ta tërheqin zvarrë…?

Unë e kam thënë, siç më keni cituar, që opozita në rastin, kur rrugët institucionale të mos pranohen nga Rama, do t’iu bëj thirrje qytetarëve, të bashkohen me Frontin e Opozitës, për të rrëzuar Ramën e për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të lira.

Mirëpo a keni besim se populli do t’i përgjigjet kësaj thirrjeje?

Unë di të them që sot sipas gjithë sondazheve, janë mbi 70% shqiptarët që kërkojnë largimin e Ramës. Por dhe publikisht, sot janë shtuar zërat, që i kërkojnë opozitës ta drejtojë popullin për rrëzimin e kësaj qeverie dhe këtu nuk e kam fjalën as për militantët e opozitës as për ata që njihen si kundërshtarë të Ramës, por dhe për intelektualë që dikur kanë qenë mbështetës të Ramës e sot nuk shohin zgjidhje tjetër përveç largimit të tij me forcë nga karrigia.

PD e vetme e ca më shumë opozita e sotme kanë zhvilluar protestat më të mëdha që janë zhvilluar ndonjëherë në këtë vend, pra dilema nëse do të na ndjekin ose jo e ka marrë përgjigjen. Ajo që kërkohet sot është që çdo shqiptar që e sheh se asnjë të ardhme nuk ka me këtë qeveri, duhet të bashkohet me opozitën dhe ti japim fund këtij tmerri pafund.

Megjithatë PD ka paraqitur disa platforma, të cilat do t’i konkretizojë sapo të vijë në pushtet, siç janë vetingu në politikë, ndryshimet në ligjin anti-mafia ndërkohë që sot prezanton platformën për zgjedhje të lira…

Opozita ka përgatitur dhe ka paraqitur në vazhdimësi disa platforma përmes të cilave mund të dilet nga kjo gjendje tejet e rëndë ku është futur vendi si rezultat i sundimit të së keqes nëpërmjet koalicionit qeveri-krim-oligarki. Ne kemi paraqitur propozimet tona për rikthimin në rrugën e kushtetutshmërisë të reformës në drejtësi, ndryshimet kushtetuese për vetingun në politikë, platformën kundër korrupsionit dhe lidhjeve korruptive qeveri-oligarki dhe të hënën paraqesim dhe platformën për një proces zgjedhor të lirë. Të gjitha këto lëvizje politike, synojnë rikthimin e vendit në normalitet nëpërmjet rrugëve institucionale. Kështu vetingu i politikaneve synon pastrimin e Parlamentit po dhe të politikës në përgjithësi nga politikanët e lidhur me krimin apo të korruptuar. Eshtë një proces i njëjtë me vetingun në institucionet e drejtësisë apo vetingun e shpallur për punonjësit e policisë. Me pak fjalë; politikanët që rezultojnë të lidhur me krimin apo nuk justifikojnë pasuritë e tyre, largohen nga politika. Tentativat e Ramës për ta paraqitur këtë si një proces që pengon reformën në drejtësi apo veprimtarinë e SPAK-ut dhe Byrosë së Hetimit, janë thjeshtë mashtrime për të mos lejuar që vetingu të kryhet dhe për politikanët. SPAK apo Byroja e Hetimit, do të vendosin përpara përgjegjësisë penale politikanët që rezultojnë të korruptuar dhe në këtë rast vetingu në politike vetëm ndihmon.

Është pikë për pikë procesi që zhvillohet sot në drejtësi dhe polici. Por sot, ndërsa një gjyqtar përjashtohet nga drejtësia kur nuk vërteton që burimi i pasurisë së tij është i ligjshëm, Rama kryeministër mund të qëndrojë i qetë e të mos përgjigjet për vilat dhe luksin ku jeton megjithëse burimi i vetëm zyrtar i tij ka qene rroga ne shtet. Një prokuror apo policë i thjeshtë, largohet po u vërtetua që ka lidhje qoftë dhe të largët me një person që mund të ketë patur qoftë dhe një dënim sado të lehtë penal. Ministri i Brendshëm mund të ketë vëllain kapobandë e të dënuar për trafik droge po nuk e gjen gjë. Deputeti mund të ketë mik familjeje e t’i japë dhe tenderë trafikantëve të dënuar si Balla, madje ka deputetë që rezultojnë dhe bashkëpunëtorë direkt me bandat si Çyrbja, po këta nuk i gjen gjë…Këta mund jo vetëm të qëndrojnë në politikë po dhe ta qeverisin këtë vend.

Ndërkaq platforma që po e quaj antioligarki, synon jo vetëm të shkëpusë lidhjet korruptive të qeverisë me disa biznesmenë pranë saj, por dhe të paralajmërojë biznesin e ndershëm që mos tundohet nga ofertat korruptive në kurriz të interesave të qytetarëve. E çfarë është më e rëndësishmja, zbatimi i kësaj platforme do t’ju riktheje qytetarëve paratë e grabitura nga kjo marrëdhënie korruptive qeveri-oligarki. Të gjitha këto iniciativa, sigurisht që të kthehen në ligje dhe të zbatohen, duan miratimin dhe të maxhorancës.

Kjo, unë jam i bindur që nuk do të ndodhë, sepse i pari që do të përgjigjej do të ishte vetë Rama. Por kjo nuk i bën të pavlefshme këto platforma pasi ato do të jenë hapat e parë që ne do të ndërmarrim sapo të vijmë në pushtet.

Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se do të jetë vetëvrasje hyrja në zgjedhje me Edi Ramën pasi PD nuk do t’i fitonte ato për shkak të blerjes së votave. A do të hyjë PD në zgjedhjet lokale apo do tentohet që bashkë me to të zhvillohet edhe zgjedhjet e parakohëshme?

Me Ramën nuk ka zgjedhje dhe ky është një fakt tashmë jo vetëm i deklaruar nga Berisha, jo vetëm i denoncuar nga PD-ja, por i pranuar dhe nga një pjesë e mirë e opinionistëve që nuk njihen si mbështetës të PD-së. Më e rëndësishmja, është një fakt me të cilin tanimë janë njohur dhe ndërkombëtarët. Eshtë studimi i BE-së ai i cili evidentoi se 20% e shqiptarëve deklarojnë se e kanë shitur votën. Pra, 20 përqind janë vetëm ata që e deklarojnë. Atëherë për çfarë zgjedhjesh mund të flasim në Shqipëri? Në një vend ku kriminelët i kërcënohen opozitës “do na shohësh në zgjedhje”, sepse janë në rolin që ju ka caktuar kryeministri i vendit, për çfarë zgjedhjesh mund të flitet?

Pavarësisht situatës që ju përmendi, a do të marrë pjesë opozita në zgjedhjet lokale?

Sigurisht, në demokraci zgjedhjet janë ato që përcaktojnë se kush qeveris vendin. Ne po bëjmë të gjitha përgatitjet dhe shpejtë do të jemi gati bashkë me kandidatët tanë. Shqipëria nuk do të mbetet pa zhvilluar zgjedhje, sepse Rama nuk lejon zgjedhje të lira e të ndershme. Ne e kemi bërë ndërkohë zgjedhjen tonë midis dy alternativave; vendi pa zgjedhje, pa demokraci apo pa Ramën? Ne kemi zgjedhur demokracinë.

A ka çarje brenda koalicionit pas ardhjes së Shpëtim Idrizit në koalicionin opozitar, nisur nga ndasitë që PDIU ka me PBDNJ-në e Dules?

Nuk ka asnjë përçarje në Frontin Opozitar, ka vetëm zgjerim të këtij fronti. Sot jemi të gjithë kundër së keqes. Rama është ai që ka mbetur vetëm dhe po vazhdon të braktiset përditë edhe nga vetë socialistet. Sot jo vetëm partitë në Frontin Opozitar, por dhe shumë intelektualë me bindje të majta apo siç përmenda më lart dhe socialistë të ndershëm, anëtarë të PS-së, janë bindur se Rama është një e keqe që duhet larguar një orë e më parë.

Me kë parti tjetër synon PD aleancë kundër Ramës? A do ketë një ftesë edhe për FRD-në e Bamir Topit? Gazmend Oketa është tërhequr nga politika, pasi sipas tij nuk mund të qëndrojë në një sallë me kriminelët, por a do të ketë një ftesë për ta rikthyer në PD? Po individë të tjerë…?

Në Frontin Opozitar kundër të keqes, janë të ftuara jo vetëm të gjitha partitë, shoqatat dhe organizatat politike apo shoqërore, po dhe çdo qytetar që sot e ka kuptuar dhe e ndjen se Rama duhet të ikë një orë e më parë për t’i hapur rrugë të ardhmes së Shqipërisë.

Po e përsëris, sot Rama është i vetëm dhe mbahet në këmbë vetëm prej numrit artificial të deputetëve në parlament. E vetmja shpresë e tij është se koalicioni që ka bërë me krimin dhe oligarkinë do të vazhdojë ta mbaj në pushtet. Në krahun tjetër, në krahun e opozitës dhe qytetarëve të ndershëm është i mirëpritur kushdo që kërkon të luftojë këtë të keqe të madhe që ka pushtuar sot vendin.

Cilat do të jenë raportet e opozitës me Kuvendin, deri kur do të vazhdojë bojkoti?

Raportet e opozitës me Kuvendin tanimë janë të qarta. Një parlament që nuk ka përfaqësuar që ditën e parë vullnetin e shqiptarëve, një parlament që është kthyer në strehë dhe mburojë e krimit, një parlament që nuk pyet për Kushtetutën, një parlament që përdoret nga Rama për të grabitur me ligje speciale korruptive, pronat publike dhe private, tani ka mundësinë të kryejë vetëm një funksion dhe t’i bëj një nder të fundit vetes, por sidomos shqiptarëve; të miratojë propozimet e opozitës për shkëputjen e politikës nga lidhjet me krimin e organizuar, prishjen e marrëdhënieve korruptive qeveri-oligarki, kthimin në kushtetutshmëri të reformës në drejtësi dhe krijimin e kushteve për zgjedhje te lira dhe të ndershme.

Në rrethana të tilla sigurisht që ne do të jemi të pranishëm në parlament. Duhet t’iu kujtojë që përveç këtyre iniciativave, ne kemi kërkuar dhe shtyrjen e afatit të komisionit hetimor Tahiri, i cili u bllokua dhe vazhdon të jetë i bllokuar prej Ramës, i cili ka urdhëruar dy institucionet kryesore me të cilat lidhet ky hetim, Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, përkatësisht Fatmir Xhafajn dhe Ardi Veliun, që të mos japin asnjë informacion për këtë komision duke penguar kështu hetimin e Tahirit dhe vetë Ramës.

Kreu i PD-së ka vënë kushte se pa bërë ventingun e politikës nuk do të ketë asnjë pakt me Edi Ramën. Përderisa opozita nuk i ka votat në Kuvend pse refuzon dialogun me mazhorancën?

Nuk ka asnjë pakt me Ramën dhe nuk mund të ketë. Vetingu në politikë ose pranohet ose nuk pranohet, çfarë ka këtu për t’u ulur e dialoguar. Procesi i vetingut në politikë është i njëjtë me atë të institucioneve në drejtësi. Ndryshimet kushtetuese janë të njëjtat që janë diskutuar dhe janë miratuar dhe nga Komisioni i Venecias, atëherë për çfarë duhet të ulemi me Ramën apo për pazare?

Çfarë do të ndodhë nëse mazhoranca nuk do të pranojë vetingun në politikë?

Unë jam i bindur që Rama nuk do e pranojë vetingun për politikanët, sepse e di mirë që i pari që do të largohej nga politika do të ishte ai si për lidhjet e tij direkte me krimin, ashtu dhe për pasurimin nëpërmjet korrupsionit. Në këto kushte opozitës nuk i mbetet gjë tjetër përveçse t’ju bëj thirrje shqiptarëve që të bashkohen për ta shpëtuar vendin nga kjo e keqe. E keqja nuk ikën vetë. Atëherë duhet larguar me dhunë. E përsëris, qytetarët e ndershëm duhet të bashkohen në një koalicion me opozitën për të qëruar një orë e më parë koalicionin e qelbësirave që solli dhe mban në pushtet Edvin Ramën.

Ju thoni që z.Rama duhet larguar me dhunë, por kreu i PD-së ka deklaruar se kryeministrin nuk mund ta rrëzojë me dhunë, por populli këtë e bën për një javë…?

Sigurisht edhe unë për popullin po flas. Nuk e rrëzon as Basha, as unë, populli e rrëzon. Kur flas për “dhunë” kam parasysh largimin e tij nga njerëzit me protesta dhe reagim të fortë. Asnjë diktator nuk ikën më dëshirë.

Do t’i çoni njerëzit “mish për top”…?

Jo kjo nuk do të thotë që ne do t’i çojmë njerëzit “mish për top” siç bëri Rama me 21 janar. Rama bën të fortin se është i bindur që këtij populli “nuk i çohet”. E mbani mend shprehjen e tij me arrogancë përpara protestës së kuksianëve në Rrugën e Kombit. E mbani mend dhe si i dridhej zëri pas proteste. Më pas filloi dhe e trashi zërin prapë. E pra, qytetarët e kanë në dorë të mos e lejojnë ta trashë zërin prapë. Ne do jemi me ta, jo të fshehur pas tyre si Rama, por në krah dhe në krye të tyre kur të jetë nevoja.

Lidhur me ligjin e ri për Teatrin Kombëtar, si do ta parandalojë PD shembjen e godinës duke marrë parasysh se edhe ankimimi në Gjykatën Kushtetuese është në pikëpyetje për shkak se kjo gjykatë nuk funksionon prej muajit mars…?

Ligji i ashtuquajtur “Për Teatrin Kombëtar” është një nga aktet më domethënëse që vërtetojnë se Rama në funksion të vjedhjes dhe grabitjes së qytetarëve të këtij vendi, nuk ndalet përpara asgjëje. Nuk ndalet as përpara shkeljes së Kushtetutës e as përballë kundërshtive të qytetarëve dhe intelektualëve. Në këto kushte opozita do të bëj gjithçka që ka në dorë.

Çfarë konkretisht…?

Ne kemi denoncuar shkeljet kushtetuese dhe grabitjen me ligj të pronës publike dhe private. Kemi paralajmëruar me platformën antioligarki se të gjitha ato biznese që do të hyjnë në marrëdhënie korruptive me qeverinë, siç është dhe rasti i Teatrit, nesër do të mbajnë jo vetëm përgjegjësi penale por dhe do t’ju konfiskohen të gjitha pasuritë.

Ndërkohë ne kemi qenë gjithë kohën në mbështetje të atyre që protestojnë prej një kohe të gjatë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Duhet të theksoj se kjo çështje është shumë më e madhe se sa thjeshtë mbrojtja e godinës së Teatrit dhe nuk zgjidhet thjeshtë duke mos lejuar shembjen e kësaj godine. Kjo çështje dhe shumë çështje të tjera që i kanë ngritur shqiptarët në protesta, sipas grupeve të ndryshme dhe interesave të ndryshme, në fakt kanë një zgjidhje të përbashkët dhe është largimi i Ramës nga pushteti.

Asnjë problem, asnjë çështje nuk do të gjejë zgjidhje në këtë vend deri sa shkaktari dhe krijuesi i këtyre problemeve të vazhdojë të pushtetërojë, përkundrazi problemet që ai gjeneron vetëm do të shtohen. Prandaj të gjitha këto grupime; mbrojtësit e teatrit, bizneset që po falimentojnë përditë, minatorët e naftëtarët, studentët e pensionistët, nxënësit e shkollave të mbyllura dhe prindërit e tyre, ata që ju është hequr ndihma sociale dhe të papunët, fermerët që po ju kalben prodhimet, viktimat e krimit ordinere dhe atij qeveritare…të gjithë duhet të bashkohen në një protestë të vetme me një qëllim të vetëm; të largojnë shkaktarin e vetëm të fatkeqësive të tyre dhe fatkeqësive të të gjithë shqiptarëve, të largojnë të keqen që ka vetëm një emer, Edvin Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat