Pas goditjes së grupit kriminal Bajri, drejtori i policisë holandeze ka folur për aksionin policor “Oaz” me kreun e policisë shqiptare Ardi Veliun.
“Në fjalën e tij, Akerboom theksoi se ky operacion tregoi nivelin e besimit ndërmjet dy policive dhe konfirmoi se do të pasohet nga shkëmbime të mëtejshme informacionesh dhe operacione të tjera të përbashkëta”, thuhet në një njoftim zyrtar nga policia shqiptare.
Njoftimi i plotë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu merr pjesë në takimin e Drejtorëve të Policive Evropiane që zhvillohet në qendrën e Europol në Hagë, Holandë.
Drejtori i Përgjithshëm shoqërohet nga shefi i Zyrës Kombëtare Europol dhe oficeri i kontaktit të Policisë së Shtetit në Europol.
Gjatë kësaj vizite ai zhvilloi një takim të veçantë me Drejtorin e Përgjithshëm të Holandës z. Erik Akerboom.
Në këtë takim ai falënderoi Drejtorin e policisë holandeze për bashkëpunimin gjatë operacionit të fundit të koduar “OAZ”, që u finalizua në bashkëpunim me Policinë holandeze ku u godit një grup kriminal që operonte në Shqipëri dhe Holandë.
Në fjalën e tij, Akerboom theksoi se ky operacion tregoi nivelin e besimit ndërmjet dy policive dhe konfirmoi se do të pasohet nga shkëmbime të mëtejshme informacionesh dhe operacione të tjera të përbashkëta.
Nga ana tjetër, Drejtori i Policisë holandeze shprehu falënderime për punën e policisë shqiptare dhe të oficerëve të kontaktit në të dy vendet.
Në fund të takimit Veliu ftoi Drejtorin e Përgjithshëm Akerboom për një vizitë në Tiranë, ftesë e cila u prit me kënaqësi nga homologu holandez.