Gjyqi ndaj ish-drejtuesve të CEZ-it, kërkohet të dëshmojë Elvis Mata

Shqipëria

Gjyqi ndaj ish-drejtuesve të CEZ-it, kërkohet të dëshmojë Elvis Mata

Më: 25 shtator 2018 Në ora: 15:41
Pamje nga video

Prokuroria e Tiranës kërkon që të thirret si dëshmitar Elvis Mata në gjyqin ndaj dy ish-drejtuesve të CEZ-it, Josef Heisek dhe Jan Ivan, të akuzuar për mashtrim me pasoja të rënda të kryer në bashkëpunim.

Elvis Mata është cilësuar si dëshmitari kryesor që zbuloi skemën e mashtrimit dhe abuzimet me fondet e CEZ-it gjatë kohës kur kompania çeke administronte shpërndarjen e energjisë elektrike në vendin tonë. Gjithashtu, Mata ka qenë edhe drejtor ekzekutiv i kompanisë DIA të Kastriot Ismailajt, e cila mori përsipër që të mblidhte për llogari të CEZ-it faturat e papaguara të energjisë elektrike.

Pikërisht nga ky bashkëpunim mes CEZ-it dhe DIA-s janë zbuluar mashtrime që shkojnë mbi 5 milionë euro, nëpërmjet faturave fiktive për shërbime të pakryera. Por, pavarësisht kërkesës së prokurorisë, me shumë gjasa Elvis Mata nuk ka për tu parqitur, pasi ai është zhdukur prej gati dy vitesh.

Por, prokuroria disponon dëshminë e tij të marrë gjatë kohës së hetimeve ndaj ish-administratorit të DIA-s, Kastriot Ismailaj, i cili është dënuar tashmë nga drejtësia shqiptare. Prokuroria dyshon se edhe dy ish-drejtuesit çekë të CEZ-it, Josef Heisek dhe Jan Ivan kanë bashkëpunuar me Kastriot Ismailajn duke përfituar mbi 5 milionë euro nëpërmjet skemës së mashtrimit me fatura fiktive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat