Pronat, KiE rezolutë për Shqipërinë: Ligji i ri efektiv

Shqipëria

Pronat, KiE rezolutë për Shqipërinë: Ligji i ri efektiv

Më: 23 shtator 2018 Në ora: 12:09
Foto ilustrim

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës ka miratuar rezolutën për mbylljen e procesit të mbikëqyrjes të masave të përgjithshme për grupin e punës që lidhet me kompensimin e pronave.

Konkluzioni i rezolutës është se mekanizmi i ri i kompensimit të pronave, parashikuar me ligjin 133/2015 është plotësisht funksional dhe efektiv.

Në Rezolutë theksohet se Shqipëria ka arritur rezultatet konkrete të angazhimit politik të nivelit më të lartë për të siguruar funksionimin e këtij mekanizmi.

Komiteti i Ministrave vendosi të miratojë rezolutën për mbylljen e procesit të mbikëqyrjes të masave të përgjithshme për grupin e çështjeve që lidhen me kompensimin e pronave, duke përfshirë këtu dhe planin e masave të vendimit pilot të Manushaqe Putos e të tjerë. Në këndvështrimin e Komitetit të Ministrave, Shqipëria i ka përmbushur të gjitha detyrimet sipas vendimit pilot të Manushaqe Putos, për ngritjen e mekanizmit efektiv të brendshëm për kompensimin e pronave të shpronësuara nga regjimi komunist”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Nëpërmjet kësaj zgjidhjeje, Komiteti i Ministrave ka vendosur se, Shqipëria i ka dhënë fund mungesës së gjatë të një mekanizmi efektiv si dhe është vlerësuar mbështetja politike, financiare dhe teknike që është dhënë nga qeveria shqiptare që nga viti 2014 e në vazhdim.

Në këtë rezolutë, dukshëm janë vlerësuar rezultatet sinjifikative si në trajtimin e kërkesave të vlerësuara me vendim nga Agjensia e Trajtimit të Pronave, numrit të vendimeve të zbatuara të kësaj agjencie si dhe vendosjen në dispozicion të burimeve financiare tejet të konsiderueshme nga Qeveria Shqiptare, për të mbuluar të gjitha pagesat e pronarëve për kompensim.

“Vendimi i marrë nga Komiteti i Ministrave, tregon se Shqipëria i ka vendosur në zbatim të gjitha masat e vendosura nga Gjykata Evropiane dhe Komiteti i Ministrave duke vendosur të mos ushtrojë mëmbikqyrjen e kësaj çështje. Komiteti i Ministrave, vlerëson angazhimin konkret të Qeverisë në përmbushjen e detyrimeve të vendimeve të Gjykatës Evropiane si dhe në masat konkrete që ka marrë për të garantuar zbatimin e vendimeve të formës së prerë të gjykatave vendase”.

Në këtë mënyrë zgjidhim përfundimisht pas 25 vjetësh, problemin e madh të kompensimit të pronave, duke patur një formulë kompensimi për pronarët dhe një mekanizëm ligjor efektiv që lejon që pronarët të dëmshpërblehen, mekanizëm të pranuar dhe të certifikuar tashmë dhe me këtë vendim të Komitetit të Ministrave.

Kompensimi i pronarëve tashmë është i garantuar dhe sipas përcaktimeve ligjore do të realizohet brenda afatit ligjor 10 vjeçar.

Tashmë, për qytetarët të cilët prej vitesh kanë hasur ndryshime të shpeshta ligjore ose vendime të cilat nuk janë ekzekutuar, kanë një mekanizëm efektiv i cili siguron ekzekutimin e të drejtës së tyre të njohur për kompensim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat