Kriza te Krimet e Rënda. Hetoi Bajrat, Blerim Tominaj i heshtur përkrah Donika Prelës

Shqipëria

Kriza te Krimet e Rënda. Hetoi Bajrat, Blerim Tominaj i heshtur përkrah Donika Prelës

Më: 22 shtator 2018 Në ora: 19:47
Krimet e Rënda

Blerim Tominaj është prokurori që hetoi për 6 muaj me radhë grupin Bajri të Shkodrës, që konsiderohej i pushtetshëm në kriminalitet. Por Blerim Tominaj, përpara se të mbahet mend për hetimet e shumta, sikurse edhe kolegët e tij të Krimeve të Rënda, do të kujtohet si një ndër 10 prokurorët e ndëshkuar në grup nga Arta Marku.

Edhe emri i tij u bë publik nga organi qendror i akuzës si grupi i rebelëve që kundërshtuan shortin e Shullazit. Një veprim që i ka kushtuar hetim disiplinor dhe nga ana tjetër vazhdon të ketë zemërimin e Markut, që u shfaq përmes një letre publike.

“Unë jam në detyrë me mandat të përkohshëm, por krimi i organizuar dhe korrupsioni ka mandat të përhershëm dhe punon me kohë të plotë. Për këtë arsye, është në detyrimin tim ligjor që të marr masat e nevojshme ligjore për cilindo Prokuror apo Oficer të Policisë Gjyqësore që refuzon pa asnjë shkak ligjor, të ushtrojë detyrën dhe funksionin e tij kushtetues, për të luftuar kriminalitetin dhe krimin e organizuar në veçanti dhe, për më tepër, në Prokurorinë më të rëndësishme në vend”, lexohet në letrën e Markut.

Dhe pikërisht grupi Bajri llogaritet të jetë pjesë e krimit të organizuar. Gjatë konferencës ku u publikua puna e tij dhe e Policisë së Shtetit, Blerim Tominaj u shfaq i heshtur përkrah shefes së re të Krimeve të Rënda, e cila një ditë më parë vendosi dy truproja në hyrje të zyrës për t’u ruajtur nga kolegët. Krisjen e marrëdhënieve vartës-epror, Prela u mundua ta ngjisë me një falenderim: “Gjej rastin të falenderoj prokurorin e çështjes për punën e palodhur, i cili është sot këtu me mua”.

Por, a do t’i shkrijë akujt kjo frazë që ngjan më shumë për kortezi, përsa kohë Blerim Tominaj bashkë me 9 prokurorë të tjerë deklaruan se Donika Prela, ashtu si Arta Marku, po ju cenojnë integritetin dhe pavaresinë.

Në këtë pikë, kryeprokurorja e Krimeve të Rënda nuk ka koment për akuzat e vartësve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat