Mbeturinat, propozohet rritja e ndjeshme e taksave mbi qytetarët

Shqipëria

Mbeturinat, propozohet rritja e ndjeshme e taksave mbi qytetarët

Më: 19 shtator 2018 Në ora: 07:59
Mbeturinat

Menaxhimi i integruar i mbetjeve duket të jetë një sfidë më vete për Shqipërinë pavarësisht nismave të ndërmarra në lidhje me investimet në sektor.

Një studim i fundit i publikuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe hartuar nga konsulentë ndërkombëtare merr në analizë sektorin si dhe shtrirjen në tre faza të investimeve duke parashtruar panoramën e përgjithshme për nevojat që ka vendi në përmbushje të menaxhimit të integruar të mbetjeve.

Studimi vlerëson se investimet e nevojshme në sektor duhet të shihen në dy pozicione, investime rajonale(investime të qeverisë ose të autorizuara prej saj) dhe investime lokale. “Në zonën e mbetjeve Tiranë-Durrës si dhe në zonën e Fierit kostoja e investimeve për facilitetet rajonale si dhe si pjesë e e kostos së rehabilitimit të landfillit së bashku me investimet lokale në landfille do të mbulohen nga investitorë privatë në kuadër të kontratave koncesionare.

Nevojat e përgjithshme për investime deri në fund të periudhës së planifikimit 2032 do të jenë 256 milionë euro për investimet rajonale dhe 196 milionë euro për ato lokale. Për rrjedhojë nevojat në gjithë vendin janë 452 milionë euro si investime që do të kërkohen në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve deri në vitin 2032” thuhet në raport.

I njëjti nënvizon se nga ana e pushtetit lokal duhet që të përballohet një pjesë e mirë e kostove të investimit sidomos me ndarjen në burim, ndarjen e mbetjeve inerte si dhe rehabilitimi i zonave të caktuara.

Ndarja në tre faza e investimeve përfshin vitet 2018-2022 si faza e parë, 2022-2027 si faza e dytë dhe 2027-2032 si faza e tretë. Mesatarisht në çdo vit të fazës së parë në kuadrin rajonal dhe lokal do të duhet të investohen 29 milionë euro për të përmbushur gjithë kërkesat për menaxhimin e integruar të mbetjeve ndërkohe që këto kosto do të rriten gradualisht deri në 44 milionë euro për vit.

Tarifat dhe përballueshmëria e tyre

Për investimet e nevojshme sigurisht që një pjesë e parave do të vijë nga qytetarët ose më saktë nga familjet. Të dhënat e raportit tregojnë se 80 për qind e këtyre të ardhurave do sigurohen nga familjet dhe pjesa tjetër prej 20 për qind nga entitetet tregtare. Në një vlerësim me dy skenarë për tarifat dhe menaxhimin e mbetjeve studimi del në përfundimin se garantimi i menaxhimit me standard do të kërkojë rritje domethënëse të tarifave për qytetarët.

Duke pasur parasysh tarifat e vlerësuara si dhe nivelet e ulëta të mbledhjes së tyre në shumë bashki këto tarifa duhet të rriten në vlerë të konsiderueshme për të zbatuar sisteme të qëndrueshëm të menaxhimit të mbetjeve të ngurta. Meqë një rritje e madhe e tarifave mund të mos pranohet  nga popullsia tarifat duhet të rriten në mënyrë graduale” thuhet në studim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat