Rrëfimi prekës i Olgertit, 10-vjeçari nga Burreli që shet misra në rrugë

Shqipëria

Rrëfimi prekës i Olgertit, 10-vjeçari nga Burreli që shet misra në rrugë

Më: 18 shtator 2018 Në ora: 16:31
Olgert Kurti

E kush nuk e mban mend tregimin “Luli i vocër” të Migjenit, teksa autori i madh thoshte në fillim që askush nuk e njeh Lulin për të përfunduar me tollumbat e tij që “që kanë hapun gojën si me dashtë me e hanger mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin.”

“Luli i vocërr” është botuar më 18 janar të vitit 1936, ku Migjeni ende nuk kishte nisur punë si mësues në Pukë, por realiteti i viti 2018 në Shqipëri nuk është shumë larg atij që përshkuan Migjeni në këtë novelë brilante.

Jemi në Burrel, ku 10-vjeçari Olgert Kurti del cdo ditë në aksin Burrel-Tiranë për të shitur misra të pjekur, si një mënyrë për të siguruar të ardhura për familjen e tij.

Në një video të publikuar nga “Faxweb”, Olgerti shprehet:

Më quajnë Olgert Kurti, jam 10 vjeç, në klasë të pestë. Dal këtu per me shit misra me bo lek me ble rrobat dhe librat.”


Është e pamundur të shikosh këto pamje dhe të mos thyhet zemra, teksa vogëlushi shprehet se del në rrugë çdo ditë në orën 8 të mëngjesit dhe kthehet në shtëpi në orën 7 të darkës duke sfiduar motin e nxehtë dhe vetminë që e shoqëron gjatë gjithë ditës. Për të mos folur pastaj për lodhjen fizike të të miturit, por sytë e tij që kanë një shikim të pafajshëm janë shkëndija shprese.

Më tutje Olgerti thotë:

Mami dhe babi janë pa punë, unë dal vetëm këtu përditë.”

Edhe këpucët e Olgertit janë si të Lulit që përshkruan Migjeni në vitin 1936, të grisura, të shqyera nga varfëria dhe skamja që shumë familje shqiptare vuajnë mbi kurriz.

Nuk dimë për familjen e Olgertit më shumë se sa shohim në video dhe i interesuar për të ditur më shumë është reperi Fatjon Dibra, i njohur si “Stealth_hb”, i cili jeton në Angli prej shumë vitesh.

Fatjon Dibra, ndonëse nuk është shumë i vjetër në muzikë dhe ndoshta nuk njihet gjerësisht nga masa në vend, përmes njw Instastory në Instagram është ofruar i gatshëm të ofrojë ndihmë për familjen e Olgertit nëse i sigurohen të dhënat e familjes së tij, një numër kontakti ose diçka e ngjashme.
Prandaj, nëse dikush, banues në zonën e Olgertit ose i afërm i tij, njeh prindërit e Olgertit të mos ngurrojë të japë të dhënat për ta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat