Një vendim qeverie “zhyt” në pasiguri të apasionuarit pas sporteve nënujore

Shqipëria

Një vendim qeverie “zhyt” në pasiguri të apasionuarit pas sporteve nënujore

Më: 15 shtator 2018 Në ora: 21:22
Ilustrim

Mungesa e zonave të rezervuara për zhytje pengon turizmin dhe pasionin e zhytësve në Durrës dhe qytete të tjera bregdetare. Një hartë e miratuar si pjesë e një VKM-je në vitin 2014 përcakton 9 zona vetëm në Vlorë e Sarandë, ndërkohë vizitat në sitet arkeologjike nënujore mbeten të ndaluara.

Qeveria vendosi të miratonte në vitin 2014 si pjesë e një VKM-je për sigurinë në plazhe dhe det, një hartë me zona ku lejohej zhytja. Kjo nënkupton që në sipërfaqe të caktuara ujore të specifikuara për zhytje, ndalohet lundrimi i mjeteve motorike apo barkave të peshkimit dhe krijohen kushte për sigurinë e atyre që ushtrojnë këtë sport.

Por kur mori vendimin për të bërë hartën e zonave të autorizuara, qeveria la jashtë saj gjithë bregdetin e Adriatikut, përfshi Durrësin, duke ua vështirësuar jetën zhytësve të licesuar të qytetit dhe atyre që mundësojnë trajnim në zhytje apo guida turistike nënujore.

VKM-ja e vitit 2014 ka përcaktuar gjithsej 9 zona zhytjeje në të gjithë bregdetin shqiptar, 6 prej tyre në Vlorë dhe 3 në Sarandë dhe asnjë në pjesën tjetër të bregdetit, përfshi Durrësin.

Denis Nova, i licensuar prej dy vitesh si guidë nënujore thotë se VKM-ja në fjalë dhe mospërcaktimi i zonave të zhytjes në qytete të tjera është kthyer në pengesë serioze për ta.

“Është bërë pengesë deri në pikën e mbylljes aktivitetit”, i tha Nova BIRN.

Kryetari i Federatës Shqiptare të Zhytjes, Igli Pustina, thotë se megjithëse shtojca me hartë që i bashkangjitet VKM-së nuk e ndalon zhytjen në Durrës apo në qytetet e tjera, ajo nuk u mundëson zhytësve siguri dhe monitorim nga institucionet shtetërore. Ndërsa zhytës të ndryshëm nga Vlorë në Durrës i thanë BIRN se zonat e përcaktuara janë pa interes për zhytësit dhe ndalimi për zhytje pranë objekteve arkeologjike përfshi anije të Luftë së Parë Botërore kishte bllokuar mundësitë për turizëm nënujor.

Nga ana tjetër, mungesa e një evidence të qartë të pasurive nënujore bën që zhytja të shihet ende si rrezik për pasuritë arkeologjike të vendit. Pustina thotë se VKM-ja nuk është hartuar në bashkëpunim me grupet e interesit dhe ato zona që janë caktuar nuk përputhen me potencialin që duhet për t’u zhytur.

Këshilli i Ministrave, në përgjigje të një kërkese për informacion nga BIRN, thotë se VKM ka qenë e suksesshme, por pa specifikuar se si ishte matur suksesi i saj sa i përket ushtrimit të sportit të zhytjes.

Në vend ka katër biznese të regjistruara që ofrojnë mësime zhytje apo guidë turistike, disa shoqata, një federatë të njohur nga Komiteti Olimpik Shqiptar, 10 udhërrëfyes turistik të licesuar në këtë fushë dhe disa dhjetra zhytës të licesuar.

Durrësi jashtë harte
Durrësi ka një vijë bregdetare prej 62 km, por të apasionuarit pas zhytjes apo turistë që do të donin ta vizitonin  botën nënujore aty duhet të zhyten duke marrë përsipër vetë rrezikun, pasi ndryshe nga Vlora apo Saranda, këtu nuk ka zona zhytjeje të përcaktuara.

Denis Nova thotë se ata nuk janë përfaqësuar gjatë hartimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave, për “Sigurinë në det e plazhe”, ndërsa thekson se përcaktimi i zonave është jetik për të ushtruar aktivitetin. “Përcaktimi i zonave të zhytjes merr në mbrojtje hapësira të caktuara, aty mund të shtohet popullata e peshkut, e cila është ulur ndjeshëm nga gjuetia pa kriter”, shpjegon ai.

Sipas zhytësit, mospasja e një zone të përcaktuar për këtë sport vë në rrezik jetën e tyre. Ai thotë se zonimi do të rriste sigurinë përgjatë zhytjes, “për shkak të shmangies së mjeteve lundruese në zonë gjatë kohës që qëndrojmë nënujë”.
Po ashtu sipas tij kjo rrit mundësinë e kontrollit nga autoritet shtetërore, krijon mundësinë e pastrimit të zonave nga rrjetat e hedhura prej peshkarexhave dhe i shtohet atraksioneve turistike.

Këshilli i Ministrave, në përgjigje të një kërkese për informacion i tha BIRN e pranoi defektin e VKM-së dhe tha se po “shihet mundësia për përcaktimin e zonave të reja, të lejuara për ushtrimin e aktivitetit për zhytje argëtuese, të cilat të jenë të pozicionuara në të gjithë territorin ujor të vendit”. Edhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Durrës thotë të njëjtën gjë. Por asnjë nga institucionet nuk dha një afat se kur do të bëheshin ndryshimet.

Ndërkohë BIRN mësoi se edhe në bregdetin e Jugut, ku territoret për zhytje janë të caktuara guidat nënujore nuk janë të kënaqura dhe nuk janë pyetur. Një prej tyre, Saimir Kushova nga Saranda thotë se zonat e përcaktuara për zhytje u ofrojnë një referencë zyrtare turistëve për t’u ndjerë më të sigurt, por nga ana tjetër aty nuk gjen asgjë me interes turistik.

“Plazhi i Bunecit, 500 m nga bregu është përcaktuar si një nga zonat për zhytje, por  përveç plazhit të mrekullueshëm në sipërfaqe, pjesa nënujore shfaqet krejt pa interes,” tha Kushova për BIRN.

Edhe në Vlorë ku janë të përcaktuara 6 zona, zhytësit thonë se ato janë të papërshtatshme.  “Zona tek Tuneli ka rërë dhe shtuf; në Dhërmi 500 m nga bregu rrezikohesh nga mjetet lundruese; në Karaburun ka vaska peshku; ndërsa zona shumë të përshtatshme për zhytje, si Jala, janë lënë jashtë kësaj liste,” tha për BIRN instruktori i zhytjes Enton Mishtaku.

Turizmi nënujor i ndaluar me ligj

Një nga zonat e zhytjes të përcaktuar në  VKM, “Zona e Karaburunit [nga moli Raguza 1 deri në “Shën Jon], rezulton njëkohësisht e përfshirë në Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan. Nga praktika e punës së Drejtorisë së Kulturës Vlorë, kjo zonë është e mbrojtur dhe për t’u zhytur duhet leje e veçantë, ndërsa procesi duhet të jetë i monitoruar nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik. Kjo e bën zhytjen aty mjaft të vështirë për t’u realizuar.

BIRN mësoi nga guidat nënujore në Durrës, Vlorë dhe Sarandë se interesin më të madh për zhytje e kanë turistët e huaj, të cilët tërhiqen jo vetëm nga shkëmbinjtë nënujorë dhe fauna, por dhe nga anijet e mbytura përfshi ato gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.

Nova tregon se pak milje nga bregdeti i Durrësit, jo larg njëra-tjetrës, janë 15 anije të mbytura përgjatë Luftës së Parë, të Dytë Botërore, që përbëjnë interes për të apasionuarit pas zhytjes. Po ashtu nën ujë gjenden anije që janë datuar se kanë lundruar deri 2500 vjet më parë.

Por në pikën numër 5 të shtojcës së VKM-së së vitit 2014 thuhet se “zhytja në zonat nënujore me vlera historike dhe mbetje arkeologjike, si edhe në anijet e objektet e mbytura, që mbrohen nga ligji” është e ndaluar. Ndalimi është një përpjekje për të kufizuar “kërkuesit e thesareve” që kanë dëmtuar për vite me radhë gjetjet arkeologjike nënujore në vend.

Nova e pranon problemin, ndërsa thotë madje se pjesë anijesh të mbytura janë nxjerrë e janë shitur për skrap, por ndalimi nga ana tjetër sipas tij nuk ndihmon në ruajtjen e këtyre artefakteve nënujore.

Kryetari i Federatës Shqiptare të Zhytjes, Igli Pustina, thotë se guidat nënujore janë të interesuara dhe mund të shërbejnë për ruajtjen e këtyre relikteve nga dëmtimet e mundshme, në mënyrë që ato të jenë të vizitueshme.

Sipas Novës kjo pengesë mund të zgjidhet nëse aplikohen ligje të ngjashme me vende të tjera europiane “duke autorizuar persona të licensuar nga shteti për guida turistike”.
Ministria e Kulturës në një përgjigje zyrtare thotë se megjithëse nuk është fusha e saj, por e Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, ajo “është e gatshme të japë kontributin e saj dhe të institucioneve të saj të varësisë në përgatitjen e një nënprogrami dedikuar arkeologjisë nënujore”.

Por para se të shkohet këtu, Pustina thotë se ministria e Kulturës duhet fillimisht të identifikojë dhe shpallë Monument Kulture këto anije. Një hartë e zonave të mbrojtura dhe dokumentimi i tyre do të mundësonte ruajtje më të mirë dhe po ashtu krijonte mundësi të vizitave të kontrolluara.

Një hartë e tillë është ende larg të qenit gati. Drejtoria e Kulturës Kombëtare Durrës (DKKD), shpreson se me ligjin e ri të këtij viti për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, parashikohet edhe krijimi i këtyre zonave, “ku do të fillojë identifikimi, hartimi dhe propozimi për shpalljen e zonave të mbrojtura nënujore”.

Të paqartë dhe kontradiktorë.

Nga ana tjetër, institucionet nuk duken fort të interesuar për diçka si zhytja dhe arkeologjia nënujore, që tingëllojnë ekzotike. Institucionet shtetërore, të përmendura si palë në hartimin e VKM-së së vitit 2014, njëkohësisht përgjegjëse për zbatimin e saj i dhanë BIRN përgjigje konfuze dhe kontradiktore në lidhje me vendimin apo detyrat që kishin marrë prej saj.

Ndërsa kryeministria në përgjigjen zyrtare përfshinte policinë dhe disa institucione të tjera përgjegjëse për hartimin dhe zbatimin e VKM-së, këto të fundit i thanë BIRN se nuk kishin qenë pjesë e diskutimit, ndërsa ishte e qartë që nuk kishin informacion për detyrat që kishin prej saj.
“Zonat ku mund të ushtrohet aktiviteti i zhytjes argëtuese janë përcaktuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare, Policinë e Shtetit dhe ministrinë e Kulturës, të cilët i kanë përcaktuar këto zona bazuar në kushtet teknike, sipas fushës së përgjegjësisë”, thuhet në përgjigjen e kryeministrisë.
Drejtoria e Përgjithshme Detare në një letër zyrtare i tha BIRN se ajo nuk ka qenë pjesë e konsultimeve për hartimin e VKM-së, dhe as më vonë kur janë bërë disa ndryshime në të, duke thënë se nuk ishte kompetencë e saj.

Në anën e saj, Policia e Shtetit  e cila po ashtu përmendet në VKM dhe që thotë se ka për detyrë të zbatojë pjesë të saj,  nuk është gjithashtu e informuar. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, bëri me dije se i është drejtuar dy herë policisë kufitare për të survejuar nëse peshkatarët bashkë me peshkun, nxirrnin në breg edhe objekte arkeologjike që binin në rrjetat e tyre.

VKM-ja e vitit 2014-të në shtojcën lidhur me zhytjen e përcakton Drejtorinë e Përgjithshme Detare dhe Policinë Kufitare si institucionet që informohen dhe regjistrojnë objektet arkeologjike të nxjerra rastësisht nga deti, e më pas njoftojnë institucionet e kulturës si Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik apo Drejtorinë Rajonale të Kulturës, por policia nuk ka informacion për këtë përgjegjësi.

Në përgjigjen për BIRN, Policia e Shtetit, ndërsa pranon se kishte të dhëna operative për amfora të nxjerra nga peshkatarët thotë se: “objektet arkeologjike të gjetura nuk dorëzohen pranë Policisë së Kufirit Durrës, por pranë Institutit të Arkeologjisë Nënujore”- duke përmendur një institucion që nuk ekziston në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat