Përgjimi i Strasburgut, Prokuroria thërret Denar Bibën dhe Ledio Biankun

Shqipëria

Përgjimi i Strasburgut, Prokuroria thërret Denar Bibën dhe Ledio Biankun

Më: 15 shtator 2018 Në ora: 16:00
Zëvendëskryetari i KQZ, Denar Biba

Zëvendëskryetari i KQZ, Denar Biba dhe gjyqtari shqiptar në gjykaten e Strasburgut Ledio Bianku, do të duhet që javën e ardhshme të paraqiten në prokurorinë e Tiranës.

Burime pranë kësaj të fundit kanë konfirmuar për Top Channel se për Bibën dhe Biankun janë lëshuar fletëthirrjet përkatëse, në funksion të hetimit të nisur në fund të muajit gusht, pas publikimit të një audio-përgjimi të bisedës që Denar Biba dhe Ledio Bianku kishin zhvilluar në ambientet e kafenesë së gjykatës së Strasburgut.

Pas këtij publikimi opozita akuzoi mazhorancën se nëpërmjet Bibes i kanë bërë shantazh gjyqtarit të Strasburgut Ledio Bianku, në mënyrë që ai të ndikonte për miratimin e kërkesës së qeverisë shqiptare për të pezulluar përkohësisht dhënien e vendimeve për çështjen e pronave për Shqipërinë, derisa ligji i ri për kompensimin e pronave të fillonte implementimin e tij.

Ndonëse nënkryetari i KQZ Denar Biba e mohoi faktin që të kishte shantazhuar mikun e tij Bianku, dhe se audiopërgjimi që ishte publikar ishte një montim i disa pjese të bisedës së tyre duke i ndryshuar kuptimin, Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.

20 ditë pas nisjes së këtij hetimi, prokuroria e Tiranës ende nuk ka versionin origjinal të bisedës së përgjuar Biba-Bianku, por vetëm atë pjesë që është publikuar në media, e cila i kishte mbërritur redaksisë se një media online nëpërmjet e-mailit. Në këto kushte prokuroria, do të procedojë me pyetjtet e dy protagonistëve të bisedës, dëshmitë e të cilëve pritet të hedhin më shumë dritë për zbardhjen e kësaj bisede.

Me shumë interes pritet versioni i gjyqtarit të Strasburgut, Ledio Bianku, pasi bashkëbiseduesi i tij Denar Biba e ka dhënë verisonin e tij për publikun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat