‘Plumbi e kapi në ballë’: Salianji dhe familjarët e 77-vjeçarit akuzojnë policinë

Shqipëria

‘Plumbi e kapi në ballë’: Salianji dhe familjarët e 77-vjeçarit akuzojnë policinë

Më: 14 shtator 2018 Në ora: 13:35
Foto nga vendi i ngjarjes

Ishin orët e para të mëngjesit kur forca të shumta policie dhe RENA zbarkuan në fshatin Remas të Divjakës, ndërsa thuhet se ishin në kërkim të dy personave të kërkuar për vrasje. Por në rrethana ende të paqarta, mbeti i plagosur rëndë një 77-vjeçar. “U terrorizuam. Dëgjuam krisma armësh dhe u zgjuam nga gjumi. Na njoftuan se ishte plagosur xhaxhai në kokë”. Kështu deklaron në një intervistë për Agjencinë e lajmeve ‘BalkanWeb’ Haziz Lika, nipi i Haxhi Likës.

Si ndodhi ngjarja?

Në orën 4 të mëngjesit dëgjuam krisma. Dolëm me vrapë jashtë dhe pamë shumë policë të maskuar që kishin rrethuar shtëpinë e xhaxhait tim Haxhi Lika. U afruam dhe morëm vesh se ai ishte plagosur. Po flinte gjumë kur një plumb e kapi në ballë dhe dhe doli në anën tjetër të kokës. Dy krisma u dëgjuan. Qëlloi policia.

Po më pas çfarë ndodhi?

Policë me maska, me skafandra hynë në shtëpi dhe nisën bastisjen. Se dimë ça kërkonin. Gjetën një armë gjahu, që xhaxhai e kishte me leje.

Shoqëruan njeri?

Dy djemtë e xhaxhait tim u shoqëruan në polici, Arben dhe Martin Lika, 45 dhe 51 vjeç. Nuk kanë bërë asgjë, se di pse i shoqëruan.

Ku punojnë dy kushërinjtë tuaj?

Punojnë në një fabrikë polisterol në Kolonjë të Lushnjës, janë njerëz të ndershëm. S’kanë lidhje me krimin.

Cili është apeli juaj pas ngjarjes?

Duam të dimë se pse policia qëlloi drejt banesës së xhaxhait, dhe e plagosi atë. Familja e tij s’ka bërë asnjëherë asgjë kundër ligjit. Si mund të qëllojë policia në drejtim të njerëzve të pafajshëm. Askush nuk hapi zjarr dhe askush nuk qëlloi ndaj policisë. Duam që të zbardhet ngjarja, xhaxhai im u plagos nga policia kot dhe po lufton me vdekjen.

***

Edhe deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar përmes një postimi në facebook, në lidhje me aksionin e RENEA-s në Lushnjë, ku mbeti i plagosur një i moshuar. “Këta të vrasin dhe në gjumë!” shkruan deputeti demokrat për të cilin policia sot është e tredhur nga krimi.

“Drejtuesit e policisë të tredhur nga krimi dhe të përdorur politikisht nga aleatet e krimit në qeveri, të pafuqishëm për të luftuar krimin dhe bandat bëjnë shoë me sirena dhe Renea nëpër fshatrat e Shqipërisë. Sot që policia e shtetit nuk zbulon autorët e krimeve por i fsheh ata gjen kohën për të goditur në gjumë një të moshuar 77 vjeçar në fshatin Rremas të Lushnjes. Po aq kriminale sa ngjarja është shtrembërimi i të vërtetes nga policia dhe përpjekja per ta shitur si operacion kundër krimit.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat