Edi Rama flet për herë të parë për dialogun Kosovë-Serbi, ja çka thotë për korrigjimin e kufijve

Shqipëria

Edi Rama flet për herë të parë për dialogun Kosovë-Serbi, ja çka thotë për korrigjimin e kufijve

Më: 14 shtator 2018 Në ora: 07:06
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi në Tiranë se për “korrigjimin ose jo të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë” në radhë të parë Kosovës i takon shtetit dhe autoriteteve të saj të përpunojnë një platformë për dialogun.

“Unë jam i fundit njeri që më takon të flas e të bëj komentatorin, ndërsa në Kosovë po bëhet një debat mbi një ide e jo mbi platformë, që ende nuk e kemi parë, ndaj si përfaqësues i qeverisë së Shqipërisë, ndjej thellësisht detyrimin të respektoj deri në fund Kosovën dhe autoritetet e saj” - tha zoti Rama gjatë një interviste në televizionin Top Channel.

Ai theksoi se kjo është një çështje shumë komplekse dhe se nevojitet një ekip i unitetit kombëtar, jo në kuptimin jo fizik e formal, por në kuptimin e qasjes.

“Gjithësekush ka detyrën të kontribuojë për këtë çështje, të përfaqësojë dhe të mishërojë vullnetin për të qenë një zë i unifikuar dhe jo një klub ku dëgjojmë akuza, ku dëgjojmë të flitet për patriotë e për tradhtarë, për kuzhinerë, argatë e shërbëtorë. Këto nuk çojnë asgjëkundi, sepse çështja është shumë më komplekse”.

Zoti Rama tha se Shqipëria ka detyrimin të mbështesë fuqimisht Kosovën, të presë e të ndjekë me shumë vëmendje se çfarë mendojnë përfaqësuesit e saj, dhe për çfarë ata janë në gjendje të bien ose jo dakord.

“Ne nuk mund të bëjmë tutorin e Kosovës. Unë nuk e kam pëlqyer kurrë kur e kanë bërë të tjerët dhe asnjëherë nuk kam marrë përsipër ta bëj vet. Kjo është një çështje ku luhet fati jo thjesht i Kosovës po i kombit shqiptar për shumë vite që vijnë. Mund të gabohet shumë lehtë dhe mund të bëhen gabime me pasoja të pakorrigjueshme për shumë e shumë vite më vonë” - tha ai.

Sipas tij, të thuash se je pro apo kundër korrigjimit të kufijve do të thotë se je pro ose kundër një ideje, e cila është shumë pak për të formuluar një qëndrim strategjik kombëtar.

“Një ide është shumë pak, është krejtësisht e pamjaftueshme. Mund të jetë një ide për të nisur një dialog të brendshëm në Kosovë mes aktorëve, edhe me ne, nëse duhemi për të dhënë opinionin tonë, por nuk mund të jetë kurrsesi një paltformë kombëtare dhe për më tepër një arsye për t’u ndarë me turravrap, që na ka bërë shpesh herë qesharak në historinë tonë. Na ka ndodhur shpesh herë t’i faturojmë të ardhmes gabime të rënda të papjekurisë tonë, me ndarjet në tradhtarë e në patriotë” - tha zoti Rama.

Ai shtoi se tema është shumë komplekse, me një peshë të jashtëzakonshme, ndaj edhe qasja, sipas tij, duhet të jetë e jashtëzakonshme, jo një qasje banale me aktorë që përpiqen të nxjerrin përfitimet e ditës, apo që bëjnë zhurmë të pavetëdijshëm se për çfarë po flasin.

“Nuk dua të vë gishtin tek askush, se nuk dua të bëj atë që bëjnë të tjerët. Në këtë proces të gjithë ata që kanë një përvojë, një peshë përfaqësimi, një njohje, një dije, një ide, të kontribuojnë. Duhet të dalin të gjithë mbi dasitë e politikës së ditës. Këto që po dëgjojmë, të gjitha bashkë, nuk janë kontribute, por janë një kakofoni, që na nxjerrin në një dritë jo fort të lavdërueshme si botë politike shqiptare” - tha ai.

Zoti Rama tha se ka folur me një pjesë të madhe politikanësh shqiptarë dhe me tjerë që janë pjesë e botës vendimmarrëse, si partnerët amerikanë, gjermanë etj.

“Kam ndjesinë e fortë që ne jemi përpara një shansi historik, që duhet ta lexojmë me shumë vëmendje dhe të kuptojmë ekzaktësisht se si duhet t’i qasemi. Të hysh sot në debatin publik “Korrigjim - Jokorrigjim” është thjesht dhe vetëm mungesë pjekurie për ata që kanë një peshë në jetën politike. Për ne dhe mua si kryeministër i Shqipërisë, ky është një moment që më obligon marrjen e një përgjegjësie që është shumë e rëndë” - tha zoti Rama.

Ai shtoi se shqiptarët duhet të kenë një qasje strategjike dhe duhet të shohin shumë më larg se sa kjo ide, e cila duhet diskutuar mes veti me të gjitha aspektet pozitive dhe negative.

“Dialogu në vetvete me Serbinë është një copë e madhe politike, një kafshatë e madhe politike, të cilën ne duhet të jemi në gjendje ta përtypim dhe ta tresim me unitet dhe me dinjitet dhe jo ta kthejmë në një kafshatë që të na ngeci në fyt dhe ta paguajmë me vite të tëra pastaj mungesën e një qasje strategjike në këtë aspekt” - tha ai.

Zoti Rama theksoi se shpesh ia bën vetes pyetjen se ku është bashkimi kombëtar në këtë mes, një pyetje ku fillon biseda e vërtetë, jo si bisedë për t’u ndarë në tradhtarë e në patriotë apo për të penguar njëri tjetrin. Ai shtoi se kur shqiptarët flasin tani për bashkimin kombëtar, e mendojnë atë si një bashkim në procesin e Bashkimit Europian.

“Në këtë moment kemi përpara si vëllazëri shqiptare një situatë kur duhet të përgatitim një dialog, që nuk mund të jetë një ecejake pa fryte. Kjo nuk çon larg dhe duhet bërë një plan i brendshëm strategjik. Së pari u takon ta bëjnë ata që udhëheqin Kosovën, por nuk shoh që po e bëjnë. Flas për tryezën e vendimmarrësve, të burrave të kuvendit në kuptimin tradicional të fjalës, jo thjesht të parlamentit të radhës. E kam fjalën për gjithë ata që janë zgjedhur nga populli i Kosovës, nga presidenti, kryeministri, opozita, ata që janë në koalicion; të gjithë së bashku të ulen e të diskutojnë si burra të kuvendit, si thoshin një herë e një kohë, e jo hidheprit nëpër televizorë, ikeja nëpër zyra, dil e bëj prononcime te dera vetëm për t’u konfliktuar me njëri tjetrin” - tha zoti Rama.

Ai tha se zonja Merkel është kancelare e Gjermanisë dhe qëndrimi i saj është i qartë si kancelare e Gjermanisë, por këtu flitet për atdheun e shqiptarëve, e jo për atdheun e saj.

“Unë nuk jam kundër atij qëndrimi. Por ndërkohë ka një qëndrim të SHBA-ve, që është ndryshe. Po ne ku jemi këtu? Ne kemi nevojë të bëjmë një organizim të brendshëm në radhë moral me veten tonë lidhur me fatet e Kosovës e të vendit tonë. Për të shkuar në këtë dialog realisht me një vizion strategjik” - tha zoti Rama.

Ai po ashtu shtroi pyetjen tjetër: Ku është paketa e Ahtisarit në këtë dialog? “Se ç’do të thotë: Do të korrigjojmë kufijtë? Po pastaj? Çfarë vjen prapa? A e dimë ne? Unë nuk di gjë. Askush nuk di gjë. Atëherë si mund të bëjmë komente? Po Kosova si është sot, a është në rregull? Me 5 vende të BE-së që nuk e njohin? Mos flasim pastaj për Serbinë, për Rusinë, për Kinën” - tha ai.

Zoti Rama tha se tema nuk duhet thjeshtuar: Do të shkëmbejnë apo nuk do shkëmbejnë, sepse kjo, sipas tij, është një çështje shumë e madhe dhe shumë e rëndë.

“Kjo është një çështje historike. Kjo çështje mund të mos paraqitet më në tavolinën tonë edhe për 30 vjet, ndërkohë që sot aty në atë tavolinë ka rreziqe të mëdha. Unë i mirëkuptoj të gjithë ata që kanë ndjenjën e rrezikut, por ka edhe oportunitete të mëdha. Po ne çfarë do të bëjmë? Kush është plani strategjik i Kosovës në tavolinë me Beogradin? Unë nuk e kam parë. Nuk e di kush është” - theksoi zoti Rama.

Ai shtoi se pyetja e sotme nëse korrigjohet apo jo kufiri me Serbinë, i kujtonte se si Kosova humbi 4 vjet për kufirin me Malin e Zi, “që ishte aq i qartë sa nuk bëhej, por humbi 4 vjet vetëm për luftërat e brendshme politike”.

“Këtu tani bëhet fjalë për një kufi, që mund të hapë horizontin e ri për shqiptarët. Ose mund të mos e hapë, po sikur edhe 1 për qind mundësi të ketë për ta hapur, si mund t’ia lejojmë ne vetes që ta bëjmë këtë debat të madh kombëtar kaq thjesht” - tha kryeministri i Shqipërisë në programin “Open” të televizionit Top Channel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat