Dalin pamjet e bastisjes së forcave speciale në Nikël

Shqipëria

Dalin pamjet e bastisjes së forcave speciale në Nikël

Më: 13 shtator 2018 Në ora: 11:45
Pamje nga video

Autoritetet policore kanë publikuar këtë të enjte pamjet e operacionit të nisur orët e para të së mërkurës në fshatin Nikël të Krujës.

Në këtë operacion, ku morën pjesë forcat e RENEA dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë u arrestuan 5 persona me precedentë penalë.

Ishte ora 5:30 e mëngjesit kur në të gjithë fshatin Nikel u ndërpre energjia elektrike dhe forcat speciale ndërhynë për të nisur kontrollet e personave të skeduar.

Policia e Durrësit nën drejtimin e hetimeve nga Prokuroria e Krujës arrestoi Lutfi Hakën, Marklen Hakën, Ylli Çangun, Skënder Lezën dhe Valter Bamin.

Gjatë kontrollit në banesat e tyre u gjetën dhe u sekuestruan një pistoletë e tipit Bareta, një Revolver Trident, tre armë gjahu, një pushkë sportive pleumatike dhe 28 fishekë luftarake me kalibër 9 milimetra.

Zona e Niklës njihet si vendi ku qëndrojnë persona me rrezikshmëri të lartë dhe me precedentë kriminalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat