Italia e gatshme të dërgojë ekspertë për zbatimin e reformës në drejtësi

Shqipëria

Italia e gatshme të dërgojë ekspertë për zbatimin e reformës në drejtësi

Më: 13 shtator 2018 Në ora: 09:59
Etilda Gjonaj dhe Alfonso Bonafede

Italia është e gatshme të dërgojë ekspertë për të mbështetur dhe asistuar në zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo është bërë e ditur nga vetë ministri i Drejtësisë në Itali Alfonso Bonafede, i cili gjatë një takimi me ministren shqiptare Etilda Gjonaj në Romë vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare.

Në njoftimin e ministrisë së Drejtësisë thuhehet se dy zyrtarët e lartë konfirmuan bashkëpunimin në fushën e drejtësisë midis Shqipërisë dhe Italisë, duke theksuar se ky bashkëpunim do të forcohet më tej, si pjesë e marrëdhënieve të forta që ekzistojnë midis dy vendeve.

"Lufta kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, masat kundër korrupsionit si dhe bashkëpunimi në fushën e sistemit penitenciar kanë qenë temat kryesore të diskutimit midis dy ministrave", thuhet në njoftim.

Pasi kanë shprehur vlerësimet e tyre për bashkëpunimin midis dy qeverive, ministrat janë dakordësuar për zbatimin e një plani të përbashkët masash në kuadër të zbatimit të marrëveshjes dypalëshe të nënshkruar në fund të vitit 2017.

Për këtë qëllim javën e ardhshme do të nisin nga puna në Tiranë ekipet e përbashkëta të ekspertëve të të dyja ministrive respektive.

"Zbatimi i plotë i Reformës në Drejtësi, që tashmë po jep rezultatet e para, reforma në sistemin penitenciar, drejtësia për të miturit dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit, janë shtyllat kryesore të bashkëpunimit bilateral, të parashikuar në marrëveshjen kuadër midis dy ministrive", thuhet në njoftimin e ministrisë së Drejtësisë.

Ministri italian ka shprehur dëshirën për të vizituar edhe personalisht Shqipërinë, në vijim të kontakteve institucionale.

Vizita dy ditore e ministres së Drejtësisë dhe Prokurores së Përgjithshme në Itali u organizua nga misioni i asistencës së Bashkimit Europian PAMECA 5, në kuadër të mbështetjes që ky mision u ofron institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat