Tabaku: Edhe me garë të hapur, kundër prishjes së Teatrit

Shqipëria

Tabaku: Edhe me garë të hapur, kundër prishjes së Teatrit

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 16:01
Jorida Tabaku

E ftuara e kësaj të mërkure në emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, në Top Channel, ka qenë deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, biseda me të cilën është fokusuar fillimisht te çështja e Teatrit Kombëtar dhe përfshirja e Komisionit Europian në të.

Pas reagimit të deputetit Eduard Shalsi, i cili në emër të mazhorancës tha se janë gati për hapjen e garës ndaj të interesuarve të tjerë, në vazhdën e konfirmimit të Komisionit Europian që nuk ishte kundër prishjes së Teatrit, por për hapjen e garës, Tabaku sërish shpreh mosbesim.

“Një ndër shqetësimet e ngritura prej nesh ishte hapja e garës, por jo vetëm, pasi këtu flitet edhe për rrëmbimin e pronës publike të Bashkisë së Tiranës për t’u tjetërsuar. Sigurisht që hapja e garës as nuk e zgjidh këtë vendim, ndaj më lind e drejta të pyes, po sikur edhe pas hapjes së garës të fitojë sërish kompania “Fusha”?”, deklaroi Jorida Tabaku.

Ajo u deklaruar kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe pro restaurimit të saj me çfarëdolloj kostoje. “Ata që duan ta prishin dhe duan të ndërtojnë të ri kundër çdo ligji nuk munden. Unë mirëpres tërheqjen e mazhorancës për hapjen e garës, por jemi kundër prishjes”, tha më tej Tabaku.

Sipas saj nuk ka asnjë lloj tërheqjeje nga projekti i prishjes së Teatrit, që shkel me të dyja këmbët Kushtetutën. “Ne i themi jo sjelljes me Teatrin në mënyrë antikushtetuese dhe antiligjore”, konfirmoi ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat