Skemat e reja të ujësjellësve ruralë, përfitojnë 88 mijë banorë

Shqipëria

Skemat e reja të ujësjellësve ruralë, përfitojnë 88 mijë banorë

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 10:05
Ujësjellësi

Rreth 88,000 banorë të më shumë se 70 fshatrave në të gjithë Shqipërinë do të furnizohen me ujë në kuadër të skemave të reja të ujësjellësve ruralë.

Gjatë 5 viteve të ardhshme në të gjithë vendin do të ndërtohen 20 skema ujësjellësish ruralë, në kuadër të programit “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale III” (FUZR III).

Ky program zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe financohet nga qeveria shqiptare, qeveria gjermane përmes KFW-së, si dhe nga Bashkimi Europian.

Sipas FSHZH-së, programi ka si qëllim kryesor furnizimin e popullsisë në zonat rurale me ujë të pijshëm 24 orë/ditë.

Programi synon të furnizojë popullsinë e zonave të përfshira në program me sasi të mjaftueshme uji të pastër higjenikisht, mbi bazën e mbulimit të shpenzimeve dhe tarifave të pranueshme nga komuniteti.

E gjithë kjo mundësohet përmes ndërhyrjeve në shkallë të mesme dhe të vogël në ndërtimin e sistemeve të furnizimit me ujë.

I ndarë në disa projekte të veçanta ky program përbën një nga iniciativat më serioze të këtyre viteve të fundit për të përmirësuar furnizimin me ujë të pijshëm të zonave rurale. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat