Alibeaj: Rama po redukton fondet për ish-të përndjekurit dhe e kalon për PPP

Shqipëria

Alibeaj: Rama po redukton fondet për ish-të përndjekurit dhe e kalon për PPP

Më: 8 shtator 2018 Në ora: 14:06
Enkelejd Alibeaj

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj në një dalje për mediat tha se kryeministri Edi Rama redukton fondin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve dhe e kalon për PPP, koncensione dhe luks.

“Edi Rama godet sërisht ish-të përndjekurit politikë dhe të dënuarit nga komunizmi, duke reduktuar fondin për dëmshpërblimet dhe duke i vënë këto para në dispozicion të koncensioneve korruptive dhe PPP-ve që u jep familjarët dhe miqtë e tij. Për të realizuar këtë skemë që ndëshkon sërish këtë shtresë të masakruar nga shteti i partisë së tij, qeveria Rama ka propozuar së fundmi ndryshime në ligjin e të përndjekurve politikë, duke sjellë regres të madh për procesin e dëmshpërblimit financiar të tyre. Ligji injoron rregullat e trashëgimisë dhe parashikon që pjesën takuese të familjarit që nuk jeton e zhvat Rama, duke e futur në buxhetin e shtetit për ta përdorur për koncesionet korruptive të tij. Ligji deformon mekanizmin e shpërndarjes së dëmshpërblimit, duke hequr dyshemenë dhe duke përcaktuar në vend të tij tavanin e dëmshpërblimit prej 1 milionë lekë. Po ashtu, ligji i hap derën Qeverisë të rishikojë dëmshpërblimet e marra nga të përndjekurit, që do të thotë se edhe ata të përndjekur e familjarë që janë dëmshpërblyer duhet të rrinë me panik se Qeveria mund të vendosë kthimin ose reduktimin e dëmshpërblimit”, tha ai.

Për demokratët, heqja e dëmshpërblimit është një tregues i radhës, “se ata që qeverisin sot janë bijtë biologjikë dhe ideologjikë të diktaturës së djeshme. Njerëz që nuk kanë kërkuar kurrëfarë ndjese për krimet e kryera”.

“Paçka se sot tamam si në sistemin e djeshëm komunist jemi nje shtet pa Gjykatë Kushtetuese, pra pa nje institucion ku mund te ankohesh, është detyrim moral, kushtetues dhe mbi te gjitha politik i Partise Demokratike, që ditën e parë të qeverisjes së saj ky ligj do të shfuqizohet, për të rikthyer edhe njëherë shpërblimin e plotë dhe të drejtë të ish të përndjekurve politike”, thotë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat