Basha: Zgjedhje lokale dhe politike me një qeveri të çliruar nga krimi

Shqipëria

Basha: Zgjedhje lokale dhe politike me një qeveri të çliruar nga krimi

Më: 6 shtator 2018 Në ora: 09:11
Lulzim Basha

“Partia Demokratike me aleatët, po përgatiten fuqishëm që të konkurrojnë dhe të fitojnë zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e përgjithshme të mbikëqyrura nga një qeverisje e çliruar nga krimi”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ftuar në emisionin “Fakt” në Syri.net përballë gazetarit Çim Peka, foli për aksionin opozitar në muajt në vijim, që paraprin zgjedhjet lokale. “Aksioni i opozitës do të jetë i ndërthurur në të gjitha rrafshet. Aksioni do të jetë shumëplanësh; do të jetë aksion politik. Partia Demokratike dhe aleatët tanë kanë ngritur një grup të përbashkët pune i cili brenda një jave, brenda dhjetë ditëve do të parashtrojë platformën politike për arritjen e objektivit numër një; që është t’i japim fund bashkëqeverisjes me krimin, të çlirojmë qeverisjen nga krimi”, ka deklaruar Basha.

Zgjedhje lokale e politike njëkohësisht

I pyetur nëse do pranojë të bëhen zgjedhjet lokale me Edi Ramën kryeministër, Basha ka dhënë këtë përgjigje: “Synimi ynë është i qartë dhe prerë: T’i japim fund bashkëqeverisjes me krimin të Edi Ramës. Largimin e kësaj qeverie dhe t’iu japim njerëzve një zgjidhje politike e cila kalon jo vetëm e thjeshtë përmes zgjedhjeve lokale, por përmes shprehjes së vullnetit të shqiptarëve me zgjedhje të lira e të ndershme, për të pasur një parlament të pastruar nga krimi dhe një qeveri që përfaqëson votën e qytetarëve. Zgjedhjet lokale janë pas 10 muajsh. Ne nisim sot përgatitjet për t’u futur dhe për të fituar zgjedhjet lokale, me zgjedhje të lira dhe të ndershme

dhe me një qeveri të çliruar nga krimi. Këta janë objektivat tanë politikë… Në tryezën tonë të opsioneve, gjithçka politike është alternativë. Por, në momentin që po më pyesni, Partia Demokratike me aleatët, po përgatiten fuqishëm që të konkurrojnë dhe të fitojnë zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e përgjithshme të mbikëqyrura nga një qeverisje e çliruar nga krimi”, ka deklaruar Basha.

Përgatitjet

“Bashkë me procesin e riorganizimit të brendshëm të Partisë Demokratike, do të nisë edhe procesi i konsultimit për kandidatët dhe anëtarët e këshillave bashkiakë dhe për kryebashkiakë. Do të nisim konsultimet me anëtarësinë e PD, me qytetarët dhe ky është një proces që do të ecë paralel me kauzat e tjera, betejat e tjera politike, ku siç ju thashë parësore dhe kryesore është çlirimi i Shqipërisë nga bashkëqeverisja me krimin”. I pyetur për emra të mundshëm si kandidatë për Bashkinë e Tiranës Basha tha: Është totalisht e parakohshme, mendoj aspak e vlefshme në këtë moment të hedhim në media emra ndërkohë që kemi shpallur një proces. Dhe që procesi të jetë serioz duhet që qytetarët, anëtarët e PD, faktorët e tjerë, të dëgjohen para se të merren vendimet të cilat do të respektojnë dhe do të përfaqësojnë konsensusin dhe unitetin rreth emrave në çdo bashki, natyrisht edhe për anëtarët e këshillave bashkiakë.

Aksioni politik

Basha ka folur edhe për betejën politike në vijim. “Opozita ka përcaktuar prioritetin e saj më madhor që është: T’i japë fund bashkëqeverisjes me krimin dhe kjo nënkupton gjëra të qarta dhe konkrete. Për momentin nënkupton largimin e menjëhershëm të Fatmir Xhafës, Taulant Ballës, Jurges Çyrbjes, të cilët me minimumin e standardeve të vettingut sot nuk do të jenë më as deputetë, por duhet të jenë nën hetim. Dhe vetë koka e Meduzës, që është vetë Edi Rama, arkitekti i këtij sistemi dhe sot peng i këtij sistemi”, tha Basha.

Ankesa në Kushtetuese

Shoqata e Pronarëve: Ligji i ri na shkaktoi 4.4 miliardë euro dëm

Ligji 133 i qeverisë Rama për vlerësimin dhe kompensimin e pronave, jo vetëm që nuk e zgjidhi ngërçin e pronave, por duket se e ka thelluar më tej. Këtë fakt e vërtetojnë çështjet që presin të shqyrtohen në Gjykatën Kushtetuese, nga shoqata pronësi me drejtësi, e cila ka depozituar 5 çështje të cilat presin të shqyrtohen për shkak se gjykata nuk ka kuorumin e nevojshëm për të marrë vendime. “Sipas skemës së përllogaritur në bazë të ligjit të qeverisë, agjencia e trajtimit të pronave ka konkluduar se shteti shqiptar u detyrohet pronarëve një vlerë kompensimi prej 629 milionë euro. Ndërkohë që sipas çmimeve të vitit 2016, kjo vlerë është 9 herë më e vogël, pasi vlera reale përllogaritet në 4.9 miliardë euro”, shprehet Myrshit Vorpsi. Ndërkohë që pronarët shqiptarë presin plotësimin e kuorumit të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata e Strasburgut e ka dhënë sinjalin e parë që skema e qeverisë Rama për kompensimin e pronarëve nuk është e drejtë. “Në çështjen Sharra kundër shtetit shqiptar gjykata e Strasburgut ka vendosur të mos pranojë mënyrën e kompensimit të vendosur nga qeveria shqiptare. Strasburgu i thotë qeverisë që pronarët duhet të kompensohen me vlerën reale që ka toka dhe jo me vlerën që ka patur në kohën kur është shpronësuar”, thotë Vorpsi. Por sipas Vorpsit kjo përpjekje e shtetit shqiptar për të ulur në maksimum vlerën e kompensimet për pronarët i ka dhënë disa efekte, më kryesori në to humbjen e të drejtës së ankimimit për ata që nuk e bënë atë brenda 30 ditëve.

Akuzat

Ndërtimet te Liqeni, 5 pyetjet e PD për Veliajn

Zëdhënësja e PD Ina Zhupa ka vijuar akuzat ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në një dalje për mediat ajo i drejtoi kryebashkiakut 5 pyetje, që ishin 5 akuza. “Veliaj  që del përditë në tv, për çdo tematikë, nuk del të japë përgjigje për betonizimin e Parkut. Qytetarët kanë të drejtë të dinë përpara zgjedhjeve, se çfarë planifikohet për tokën e tyre publike, për shëndetin e tyre, për gjelbërimin e vetëm që i ka mbetur Tiranës. · Pse Veliaj nuk merr përsipër përgjegjësitë për planin për betonizimin e Parkut? · Pse hesht Veliaj para qytetarëve që duan të dinë fatin e mushkërive të vetme të qytetit? · Cilit oligark ia ka premtuar Veliaj ndërtimin e kullave në Parkun e Liqenit artificial? · Sa para të pista do të pastrohen nga ndërtimi në tokën publike në një zonë që duhet të ishte e mbrojtur? · Cilat janë interesat dhe fitimet e tij dhe të shefit të tij në këtë aferë betonizimi të Parkut”?, pyeti Zhupa.

Debati për kufijtë

Rama takohet me Shpend Ahmetin e Visar Ymerin

Në kulmin e debatit për kufijtë mes Kosovës dhe Shqipërisë, kryeministri Edi Rama ka pritur kryetarin e Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, por edhe deputetët e tjerë të Partisë Social Demokrate Visar Ymeri dhe Aida Dërgutin. Lajmin për takimin e tyre e kanë dhënë vetëm Rama dhe Ahmeti, të cilët kanë shpërndarë nga një foto në rrjetet sociale. “Me Shpendin, Aidën, Visarin dhe Elisën, duke këmbyer sot opinionet për ecurinë e punëve andej e këtej bjeshkëve”, shkruan Rama në Instagram. Ndërsa në Facebook, Shpend Ahmeti shkruan: “Bashkë me Nënkryetarin Visar Ymeri, dhe Sekretaren Aida Dërguti në takim me Kryeministrin Rama për të diskutuar bashkëpunimin ndërpartiak, si dhe zhvillimet aktuale politike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat