Tiranë/ Zjarri tek çerdhja mund të jetë i qëllimshëm. Ja dyshimet e ekspertëve

Shqipëria

Tiranë/ Zjarri tek çerdhja mund të jetë i qëllimshëm. Ja dyshimet e ekspertëve

Më: 20 gusht 2018 Në ora: 13:53
Zjarrëfikësit

Duket se zjarri i rënë në çerdhen nr 14 në Tiranë pak ditë më parë, mund të jetë i qëllimshëm. Lidhur me ngjarjen e cila ndodhi në 16 gusht, blutë e Tiranës po e hetojnë si një akt të qëllimshëm shpërthimin e bombolës së gazit në magazinën e çerdhes nr.14, në lagjen “Ali Demi”, në Tiranë.

Hetimet po kryhen nga komisariati nr.1 dhe Prokuroria e Tiranës, ndërsa pista kryesore lidhet me një akt të qëllimshëm që mund të ketë pasur si shkak konfliktet e pronësisë, raporton “Ora News”.

Dyshimet e para

Bombola nuk ka qenë në përdorim në momentin kur ka ndodhur shpërthimi, në orën 04:57 të mëngjesit, pasi në atë kohë në çerdhe nuk ka pasur njeri.

Kjo ka ngritur dyshime nga ana e ekspertëve për një ndërhyrje të qëllimshme nga persona ende të pa identifikuar, që kanë pasur si motiv mosmarrëveshjet lidhur me pronësinë e godinës.

Disa persona të dyshuar

Në çastin e shpërthimit, çerdhja ka qenë bosh. Tashmë hetuesit e komisariatit nr.1 janë duke hetuar disa persona të dyshuar, për të cilët ka dyshime se mund të jenë implikuar në shpërthimin e qëllimshëm, duke dëmtuar tubat e gazit.

Për zbardhjen e ngjarjes, do të jenë kamerat e sigurisë ato që do të hedhin dritë. Grupi i hetimit po analizon me detaje kamerat e sigurisë të marra nga bizneset e zonës, për të evidentuar ndonjë lëvizje në magazinë në kohën kur ndodhi shpërthimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat