Shqipëria po plaket

Shqipëria

Shqipëria po plaket

Më: 14 gusht 2018 Në ora: 13:14
Pensionistët

Numri i lindjeve pësoi sërish rënie në tremujorin e dytë të viti. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, lindjet ishin më pak se 5600, në rënie drastike me 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ky është tremujori i dytë radhazi kur lindjet bien me ritme dyshifrore krahasuar me një vit më parë. Në tremujorin e parë të vitit lindjet kishin rënë me 18%.

I vetmi lajm pozitiv është se, ndryshe nga tremujori i parë, së paku në të dytin pati një rritje natyrore të popullsisë, sepse numri i lindjeve e tejkaloi atë të vdekjeve me rreth 770 më shumë.

Megjithatë, në katër qarqe të vendit shtesa natyrore ishte negative edhe këtë tremujor. Në Vlorë, Korçë, Fier dhe Berat numri i vdekjeve e tejkaloi atë lindjeve.

Numri i lindjeve pësoi rënie në të gjitha qarqet e vendit, ku vlera më e ulët u regjistrua në Gjirokastër, me 87 lindje në tre muaj. Mosha mesatare e shqiptarëve ka arritur tashmë në 35 vjeç, ndërsa Instat ka parashikuar se në vitin 2031 ajo ka për t’u rritur në afro 42 vjeç.

Pakësimi dhe plakja e popullsisë do të jetë një problem madhor për ekonominë shqiptare brenda disa dekadash. Një popullsi më e vogël nënkupton edhe një treg më të vogël dhe një forcë pune më të pakët.

Shqipëria do të ketë gjithnjë e më shumë pensionistë dhe gjithnjë e më pak forcë pune aktive që të paguajë kontribute dhe taksa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat