Miell grek i pasigurtë, bllokohen 27 ton në Kakavijë!

Shqipëria

Miell grek i pasigurtë, bllokohen 27 ton në Kakavijë!

Më: 9 gusht 2018 Në ora: 14:49
Ilustrim

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar një ngarkesë prej 27 ton miell gruri me origjinë greke për shkak se nuk kishte fletë analizë që konfirmon sigurinë e produktit.

Trupa inspektuese e DRAKU, Gjirokastër gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën Doganore Kakavijë konstatoi se një subjekt i cili pretendonte të fuste në Shqipëri miell gruri kishte parregullsi në vërtetësinë e dokumentacionit që shoqëronte ngarkesën.

Saktësisht, fleta e analizës e paraqitur nga subjekti nuk korrespondonte me të dhënat e stampuara në thasët e miellit të grurit. Pra, nuk vërtetohej se kjo fletë analize i përkiste këtij produkti si dhe nuk garanton sigurinë dhe cilësinë e miellit që do të hynte në tregun tonë. Për më tepër subjekti nuk dispononte në gjuhën shqipe certifikatat e sigurisë ushqimore bazuar legjislacionit në fuqi.

Menjëherë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u bë bllokimi i ngarkesës me sasi 27 ton duke u bazuar legjislacionit në fuqi, gjithashtu do të ndjek procedurat doganore për kthimin në origjinë. 

"Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën sërish thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para – produkte shtazore dhe jo shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara dokumentacion të plotë veterinar e fiskal – pasi është një detyrim ligjor i tyre përveçse përbën një masë tepër të rëndësishme për sigurinë ushqimore të klientëve të tyre. Gjithashtu inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët", thuhet në një njoftim zyrtar të AKU-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat