Historia misterioze e ish-ministrit peruan që la Majamin për Tiranëns

Shqipëria

Historia misterioze e ish-ministrit peruan që la Majamin për Tiranëns

Më: 9 gusht 2018 Në ora: 09:21
Manuel Augusto Blacker Miller

Më 10 shtator të vitit 2012 shtetasi peruan, Manuel Augusto Blacker Miller, zbriti në aeroportin e Rinasit me një vizë biznesi në pasaportë, me duar në xhep dhe me një laptop të hedhur në sup.

Bileta prej Majamit në SHBA drejt Tiranës ishte paguar nga biznesmeni shqiptar, Arben Shuaipi, i cili kishte dalë me një pankartë t`i uronte mirëseardhjen në aeroport.
Milleri u prit me të gjitha nderimet e rastit, nisur nga statusi i ish-ministrit të Jashtëm të Perusë, biznesmenit dhe konsulentit financiar në Amerikë.

Çfarë ishte më e rëndësishmja, Milleri në ato momente ishte njeriu që do t`i siguronte biznesmenit Shuaipi dhe partnerëve të tij italianë 300 milionë dollarë për ndërtimin e inceneratorit për djegien e mbetjeve në Fier.

Tashmë ai duket se është larguar nga Shqipëria me 170 mijë euro të marra nga Shuaipi dhe një tjetër biznemen fierak në një kohë kur gjasat janë që të dënohet me burg.
Hetimet ndaj tij nisën nga Prokuroria e Tiranës në maj të vitit 2014, ndërkohë që më 23 maj 2017 ai u shpall nga gjykata fajtor, me akuzën e “mashtrimit më shumë se një herë” duke u dënuar me tetë vite burg në mungesë. Por, gjykata e Apelit pritet që më 26 shtator të vendosë përfundimisht fatin e tij.

Por historia e Millerit është më e komplikuar se kaq.
Ish-ministri është i dënuar me katër vjet burg në Peru, pasi sëbashku me ish-ministra të tjerë të ish-kryeministrit, Alberto Fujimori, kanë ndihmuar grushtin e shtetit në vitin 1992.
Gjatë pesë viteve të qëndrimit të tij në Shqipëri ai, jo vetëm që arriti të merrte lehtësisht statusin e azilantit politik dhe të ishte aksionar kryesor në një kompani shqiptare, por mbërriti edhe në Kryeministri, pasi më parë ishte bërë “familjar” edhe me politikanë të tjerë në vend.

Investigimi i publikuar nga Qendra për Gazetari Cilësore tregon sesi ish-ministri peruan, i favorizuar nga dobësitë institucionale, arriti të mashtronte lehtësisht për një kohë të gjatë në nivelet e larta të biznesit dhe politikës në vend.

Ndërkaq, nuk është e qartë se ku Miller ndodhet realisht.

Egla Muzaka, ish-avokatja që mbrojti Millerin në procesin penal të shkallës së parë, në një komunikim në rrjetin social Facebook, u shpreh se nuk ka patur prej kohësh komunikim me të.

“Nuk kam arritur të bisedoj. Një klient tjetër imi që e njeh Millerin më komunikoi se gjendej në Brazil..”, – tha ajo.

Ndërkaq, avokatja e tij në gjykatën e Apelit, Manushaqe Zhulali, i tha gjykatës nëseancën e majit të vitit 2018 se ajo nuk kishte gjithashtu dijeni se ku ndodhej klienti i saj.

“…Takimin e fundit me Millerin e kam kryer në gusht të vitit 2017, ku më ka dhënë prokurën e përfaqësimit në gjykatë. Unë nuk e di pse nuk është paraqitur ai në gjykatë sot”, – theksoi ajo.

Ish-ministri la Majamin për t`u zhvendosur në Tiranë
Ende mbetet e paqartë se si Milleri kaloi pikën kufitare të Rinasit dhe hyri në Shqipëri pa u ndaluar nga policia, në një kohë kur ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar nga Peruja.

Në Majami ai jetonte me gruan dhe fëmijët pas arratisjes nga vendi i tij në nëntor të vitit 2002, me rënien e qeverisë së ish-kryeministrit, Fujimori.

Biznesmeni fierak, Arben Shuaipi, u njoh me Millerin përmes dy partnerëve të tij italianë, Gianpaolo Azola dhe Alberto Palidini, me të cilët kishte themeluar kompaninë Apollonia Investments, e cila synonte të ndërtonte një incenerator për djegien e mbetjeve dhe prodhimin e energjisë në Fier.

Pasi kishin bërë gati pothuajse gjithçka për t`i hapur rrugë investimit, ata kërkonin një fond investimi prej 300 milionë eurosh dhe ky fondiu premtua nga një këshilltar financiar në SHBA që ishte Milleri. Ai premtoi nga bisedat në telefon se do t`i siguronte këto pará nga një fond amerikan investimi.

“Në fakt, për të siguruar investimin prej 300 milionë eurosh kishim dy variante: të lobonim për investimin me një këshilltar ekonomie në Milano të Italisë, dhe me Millerin që ndodhej në SHBA…”, – tha Arben Shuaipi.

Për të parë nëse mund t`i ndihmonte biznesmenët në këtë sipërmarrje që do të vendosej në Fier në vitin 2012 me ndërmjetësinë e Shuaipit, Milleri u takua në Nju-Jork me ish-kryetarin e Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, dhe përfaqësues të tjerë të kësaj bashkie.

Vetëm katër ditë pas ardhjes në Tiranë, nëpërmjet një kontrate fiktive dhe pa transaksione bankare Millerit i kaluan 80% të aksioneve të kompanisë Apollonia Investments.

“Milleri vetëm premtonte se ishte i angazhuar totalisht me partnerët e tij jashtë Shqipërisë, se do të sillte investimin, por në mënyrë që të ishte bindës te partnerët kërkonte rritjen e kapitalit të tij në kompaninë Apollonia Investments”, – tregon Shuaipi.
Ndërsa nga verifikimi i kapitalit të aksioneve të Millerit në ekstraktin e kompanisë Apollonia Investments, ato rezultojnë në vlerën e 11 milionë lekëve.
Ndërkaq, biznesmeni Shuaipi mori përsipër të paguante për shtëpinë me qira ku Milleri do të qëndronte në Tiranë, zyrat luksoze, ushqimin e tij dhe për çdo shërbim tjetër të nevojshëm.

Në total, nga shtatori deri në dhjetor të vitit 2012 Milleri arrin t`i marrë biznesmenit një shumë prej 150,000 eurosh.

Teksa biznesmenët prisnin që Milleri të siguronte fondin e investimit për të nisur punën, ky i fundit u takua edhe disa herë të tjera me ish-kryebashkiakun, Zeqaj.
Pas shumë takimesh dhe premtimesh Milleri dhe aksionarët e tjerë të Apollonia Investments, arrijnë të gjejnë sipërfaqen e tokës dhe të marrin lejen për ndërtim nga kryebashkiaku i Fierit.

“Historia e këtij personi më bën të ndihem keq, sepse është hedhur shumë baltë mbi personin tim duke përdorur çështjen e tij. Ai ka ardhur shumë herë në Fier dhe jemi takuar…”, – thotë ish-kryebashkiaku, Baftjar Zeqaj.

Sipas Shuaipit, Milleriiu kërkonte gjithmonë edhe pak më shumë kohë, por ndërkaq vijonte të takonte edhe biznesmenë të tjerë shqiptarë duke iu premtuar pará për investime të mëdha.

Një nga këta biznesmenë ishte Iljaz Fisheku, i afërm i biznesmenit Shuaipi, i cili ushtron veprimtarinë tregtare në fushën e hidrokarbureve.

Nëpërmjet një marrëveshjeje mes shoqërisë Fisheku të Iljaz Fishekut dhe Apollonia Investments që administrohej nga Milleri, të mbajtur më 8 mars 2013, palët binin dakord: “…të bashkonin përpjekjet për sigurimin e një strukture financiare që do ta përdornin në të ardhmen për importimin e produktit të naftës…”.

Për këtë marrëveshje Millerivendos kushtin që Fisheku duhet të paguajë 21 mijë euro në një llogari bankare në Amerikë, pará këto që do nevojiteshin për shërbime të ndryshme për procedurën e nevojshme për sigurimin e strukturës financiare.

Më 8 mars 2013, nëpërmjet një transaksioni bankar kompania Fisheku nga banka BKT në Tiranë kalon 20 mijë euro në llogarinë e kompanisë European Contact me seli në Majami, Florida.

I pyetur nëpërmjet e-mail-it nëse kishte pritur kompania e tij shumën prej 20 mijë eurosh të transferuara nga Shqipëria në llogarinë bankare të European Contact, presidenti i kësaj të fundit, Enrico Cortesano, refuzoi të komentojë.

“Ne nuk mund të japim lajme për këdo që na shkruan pa asnjë kredencial…”, – u përgjigj ai.

Në kushtet kur asnjë nga fondet e investimeve nuk po vinte, Arben Shuaipi e denoncoi Millerin në polici dhe ndaj tij nisi procesi gjyqësor.

Pas 42 seancash të zhvilluara, gjyqtarët e Tiranës, Tereza Lani, Altin Abdiu dhe Migena Laska,më 23 maj 2017 e deklaruan fajtor duke e dënuar me 8 vite burgim.
Milleri përgjatë gjykimit pretendonte në pafajësinë e tij, duke e njohur detyrimin financiar, por duke argumentuar se kjo ishte një marrëdhënie civile dhe jo penale.
Prokurori i çështjes, Gjergji Tako, thekson se Milleri kishte gjithmonë ankesa për mënyrën sesi po zhvillohejgjyqi ndaj tij.

“…Ai ishte i çuditshëm, bënte shumë kërkesa në gjyq dhe ankohej gjithmonë për përkthyesit. Pasi mësoi dënimin, filloi të qeshë në sallën e gjyqit dhe më la përshtypjen se ishte fare i qetë…”, -tregon prokurori.

Ndërkaq, përmes avokatëve të tijish-ministri e ankimoi çështjen në Apel, por nuk mori pjesë në dy seancat e para gjyqësore, duke e bërë të paqartë praninë në seancën e muajit tjetër.

Nëse Apeli konfirmon vendimin e Shkallës së Parë, atëherë Milleri duhet të burgoset menjëherë për të vuajtur dënimin.

Milleri premtoi në Kryeministri investimin
Për të realizuar planin për ngritjen e inceneratorit në Fier, kompanisë Apollonia Investmentsme aksionar kryesor Millerin i duhej të kalonte edhe një pengesë tjetër, atë të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit, i cili duhet të jepte aprovimin final për ngritjen e inceneratorit në Fier dhe që varej drejtpërdrejt nga ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha.

Sipas Shuaipit, Milleri shoqëruar nga ai dhe italiani Alberto Palidini,ia doli të zhvillojë një takim me ish-kryeministrin, Berisha, në zyrën e tij, duke shpalosur projektin, qëllimin e tij dhe kërkuar lejen nga KKRRT-ja për të filluar ndërtimin.

“Gjatë takimit Berisha na tha se për të marrë lejen duhej patjetër që kompania të sillte një certifikatë sigurie, të quajtur proof of funds dhe kjo certifikatë lëshohej vetëm nga bankaku ndodhej fondi prej 300 milionë eurosh që ishte i destinuar për financimin e këtij projekti”, -tregon Shuaipi.

Shuapi thekson Manuel Augusto Blacker Miller i premtoi Berishës që do të arrinte t’ia siguronte këtë provë dhe do t`ia dërgonte brenda një jave. Në fakt, ai nuk arriti t’ja tregonteaskujt ndonjëherë këtë provë.

Ndërkaq ish kryeministri Berisha i pyetur nëse i kujtohej të kishte takuar Miller theksoi se ish kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo i kishte kërkuar me insistim ta bënte këtë dhe si pasojë ai i kërkuar këshilltares së tij ekonomike.

“Nuk e kam pritur vetë por i kam kërkuar këshilltares time Zana Guxholli që ta pres dhe ta dëgjoj,” theksoi Berisha.

Shëtitjet në Tiranë, Rogner e universitet
Në Tiranë Milleri ishte frekuentues i bareve dhe restoranteve të shtrenjta.
Ai frekuentonte shumë shpesh hotelin Rogner, ku qëndronte gjatënë shoqërinë e laptop-it të tij. 

Praninë e shpeshtë të Millerit në Rogner e konfirmojnë dhe punonjësit e këtij hoteli në qendër të Tiranës, por recepsionisti i hotelit Rogner thotë se prej gjashtë muajsh tashmë Manuel Augusto Blacker Miller nuk i frekuenton ambientet e këtij hoteli.
“Ai është urdhëruar të mos hyjë në ambientet e këtij hoteli për shkak të sjelljes jo të mirë në aspektin e detyrimeve financiare që ka këtu”, – thotë recepsionisti që nuk pranoi të identifikohet.

Edhe një punonjëse e nje pastiçerie që ndodhet në zonën e ish-Bllokut, pasi ballafaqohet me foton e Millerit në telefonin tonë, thotë se ky person vinte gjithmonë vetëm në lokalin e tyre, por prej katër muajsh ajo tregon se Milleri nuk e ka frekuentuar më këtë pastiçeri.

Sipas prokurorit Gjergji Tako, Milleri ka deklaruar në një nga seancat gjyqësore se ishte punësuar si pedagog pranë Fakultetit Ekonomik në Tiranë.

Por, gjatë një komunikimi në zyrën e tij me dekanin e këtij fakulteti, Dhori Kule, ky i fundit na konfirmoi se “nuk ka pasur asnjë pedagog me këtë emër në borderotë e këtij fakulteti”.

Por, në një video-regjistrim ish-ministri i Jashtëm i Perusë shfaqet më 26 maj 2015 duke dhënë mësim në Universitetin privat Luarasi në Tiranë, ku iu shpjegon studentëve përballjen me tregun e punës dhe sistemin ndërkombëtar, financiar.

Gjatë një bashkëbisedimi me ish-rektorin e këtij universiteti privat, Arben Malaj, ky i fundit tha se nuk e kujtonte nëse shtetasi peruan ka dhënë mësim ndonjëherë në këtë universitet, pasi koha e video-regjistrimit, sipas tij, nuk përkon me periudhën e drejtimit prej tij të këtij universiteti.

Por, megjithatë, Malaj verifikoi rastin nëpërmjet kryefinancieres së këtij universiteti duke e pyetur nëse ka pasur ndonjëherë në listë-pagesë Manuel Augusto Blacker Millerin, por mori konfirmimin se ndaj këtij personi nuk ka asnjë pagesë nga universiteti.
Malaj shtoi se Milleri mund të jetë ftuar si lektor i jashtëm për të bërë një orë komunikim me studentët e universitetit. Sipas tij, shpeshherë ky institucion fton pedagogë të jashtëm dhe një gjë e tillë kryhet pa pagesë.

Ndalimi nga policia dhe azili në Shqipëri
Blacker Miller hyri në Shqipëri me një vizë biznesi që kushtonte 30 euro, lëshuar nga konsullata shqiptare në Nju-Jork. Por, pas disa muajsh qëndrimi në vend, pa dalë ndonjëherë prej tij, në janar të vitit 2013 ai u paraqit për të marrë një leje të gjatë qëndrimipranë zyrave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Tiranë. Në këtë kohë ai u njoftua se ndaj tij kishte një urdhër-arresti të qeverisë peruane për motive politike dhe policia e ndaloi menjëherë.

“Ndalimi i tij nga policia për ne ishte një bombë, pasi nuk kishim asnjë të dhënë për aktivitetin e tij në Peru;plus që në atë periudhë media ndalimin e tij dhe projektin e investimit tonë e trumbetoi negativisht”, -shpjegon Arben Shuaipi.

Milleriu mor në pyetje nga policia, ndërsa vendosi të aplikonte për t`u pajisur me statusin e azilantit polik në Shqipëri duke pretenduar se nga vendi i origjinës përndiqej politikisht.

Ai u la i lirë dhe më 15 korrik të atij viti iu miratua kërkesa për azil.

E pyetur se mbi çfarë kriteresh ishte bazuar Drejtoria për Shtetësinë dhe Refugjatët për dhënien e statusit të azilantit Manuel Augusto Blacker Millerit, Ministria e Brendshme u shpreh se “nuk mund të japë të dhëna për raste që dëmtojnë të dhënat personale”.
Besnik Zela, shefi i Departamentit të Migracionit pranë Drejtorisë së Kufirit në Policinë e Shtetit, thotë se në sistem Milleri rezulton se ka një leje të përhershme qëndrimi, dhënë kjo në vitin 2014.

Këshilltari për Median në Ministrinë e Brendshme, Ardi Bita, thotë se ndaj Millerit nuk është marrë asnjë vendim dëbimi apo revokimi të statusit të azilit nga Drejtoria për Shtetësinë dhe Refugjatët, pasi ministria është në pritje të dënimit në formë të prerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat