Baza e parë ajrore e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, media e njohur zbulon detajet

Shqipëria

Baza e parë ajrore e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, media e njohur zbulon detajet

Më: 5 gusht 2018 Në ora: 16:47
NATO

Shqipëri: Në territorin e Shqipërisë do të ngrihet baza e parë ajrore e NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Vendimi është marrë nga Këshilli i Atlantikut Verior, organi kryesor për vendimmarrjen politike të NATO-s.

Fjala është për shndërrimin e bazës ajrore të Kuçovës në bazë ajrore të Aleancës Atlantike. Lajmin e ka bëri me dije Kryeministri Rama të shtunën (08.2018) përmes medias sociale. "NATO do të investojë më shumë se 50 milionë Euro vetëm për pjesën e parë të projektit për bazën ajrore të  Kuçovës", shkruan Rama.

Realizimi i këtij projekti, që pritet të fillojë sivjet, do ta kthejë Kuçovën, thekson Rama: "në një bazë mbështetëse për NATO-n për furnizim ajror, mbështetje logjistike, mbështetje për policimin ajror, trajnime dhe stërvitje të Aleancës Atlantike."

Vendimi vjen pas ofertës së Shqipërisë

Ofertë e pranuar! Kështu duket se është vendimi i Aleancës Atlantike që në Shqipëri të ketë bazën e parë ajrore në rajon. Pa kaluar katër muaj nga vizita zyrtare e Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në SHBA, oferta që ajo i bëri Sekretarit Amerika të Mbrojtjes, James Mattis, në emër të qeverisë së Tiranës: "për eksplorimin e mundësive për një footprint të NATO-s apo të SHBA-së në Shqipëri", duket se u pranua. Vetë Ministrja e Mbrojtjes, Xhaçka, e cilësoi të shtunën vendimin si "një vlerësim të madh të Forcave të Armatosura të Shqipërisë".

Vlerësimi mbështetet në plotësimin e detyrimeve të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, që nga pjesëmarrja e forcave të saj të armatosura në strukturat e NATO-s në të gjitha angazhimet që lidhen me sigurinë, me trupa në misione në Afganistan, Letoni, Kosovë, Detin Egje, në misionet e BE-së në Mali dhe Bosnjë- Hercegovinë deri në angazhimin në luftën globale kundër terrorizmit. Përtej detyrimeve të saj si vend anëtar i NATO-s Shqipëria është sot një vend që prodhon siguri në rajon dhe më gjerë. 

Përfitime shumëplanëshe

Shqipëria në territorin e saj ka 3 baza ajrore operacionale: Baza Ajrore e Tiranës, ku ndodhet edhe Qendra Kombëtare e Kontrollit dhe Raportimit për NATO-n.  Ajo i raporton Qendrës së Sistemit të Integruar të Mbrojtjes Ajrore të NATOs, e njohur si Combined Air Operation Centre (CAOC); Baza Ajrore e Laprakës, në periferi të Tiranës që përbëhet nga helikopterë që përdoren për transport qeveritar dhe emergjenca; Baza Ajrore e Kuçovës. Avionet luftarakë sovjetikë dhe kinezë që trashëguan Baza Ajrore e Tiranës dhe Kuçovës ishin kaq të vjetra dhe jashtë përdorimit, sa vetëm para pak vitesh u bë e mundur të shiten ose  për scrap ose muzeumeve. Shndërrimi i bazës ajrore të Kuçovës në bazë ajrore të NATO-s është një mundësi që  Shqipëria të këtë një bazë ajrore moderne. Kjo pasi kjo bazë do të ketë dy funksione: do të jetë bazë për forcat ajrore të Shqipërisë dhe bazë ajrore për NATO-n. Investimi strategjik prej 50 milion Eurosh,  vetëm për fazën e parë të projektit, flet vetë sesi teknologjinë dhe avionet që do përdoren. Mjafton vetëm fakti i shndërrimit të saj në një bazë ajrore të NATO-s për të marrë me mend sesi do të modernizohen kapacitetet e forcave ajrore vendase. Kryemnistri Rama e sheh përfimin edhe më tej kur shkruan se: "një investim i këtyre përmasave krijon mundësi për zhvillim ekonomik dhe social të gjithë rajonit ku planifikohet ndërtimi i kësaj baze ajrore me teknologjinë e fundit".

Përfitime ka edhe rajoni, për të cilin shndërrimi i bazës ajrore të Kuçovës në një bazë ajrore të NATO-s tregon një vëmendje të shtuar ndaj rajonit, përballlimit të rreziqeve të mundshme nga përpjekjet e Rusisë për të rritur ndikimin e saj, destabilizuar dhe nxitur konflikte. Përfitime ka BE në synimin e tij për një rajon pranë tij, si Ballkani Perëndimor, që të jete në siguri, paqe dhe stabilitet./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat