Shpresë nga vettingu; Ekspertët: Sinjal pozitiv. Po bien të paprekshmits

Shqipëria

Shpresë nga vettingu; Ekspertët: Sinjal pozitiv. Po bien të paprekshmits

Më: 1 gusht 2018 Në ora: 19:58
KPK

Seancat e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve kandidatë për nivelet kryesore të drejtësisë vazhdojnë, dhe as këtij procesi nuk i kanë munguar reagimet politike, të juristëve apo organizatave të shoqërisë civile që e monitorojnë procesin. Qytetarët, megjithë dyshimin që ruajnë, vazhdojnë të shpresojnë për një drejtësi e re.

“Është shumë i drejtë, por e mira është që të fillonte nga koka. Mos ikin ca hajdutë e vijnë ca të tjerë, ajo është e keqja. Nuk jam shumë entuziaste, them se gjithë janë njësoj… jo ca i heqin, ca i lënë. Ata të gjithë bashkë kanë punuar, kështu që… Po ky popull këtë ka pritur me gjithë këto padrejtësi që i janë bërë vendit tonë dhe ne si individë. Shyqyr që mori një rrugë të mbarë! Besoj se po. 100%. Nëse nuk besojmë, i bie ta fillojmë dhe një herë Shqipërinë nga e para. Deri tani, shumë mirë, por është puna të dalë e vërteta. I kënaqur 100% nuk jam”,janë komentet e disa qytetarëve për punën e bërë nga KPK deri më tani.

Afrim Krasniqi nga Institutit të Studimeve Politike po ndjek hap pas hapi procesin dhe veçon një të mirë themelore nga seancat e vettingut.

“Askush nuk e ka menduar para disa vitesh që njerëz jashtëzakonisht të pushtetshëm e të paprekshëm do arrinte një ditë e do dilnin para drejtësisë e do jepnin llogari për pasuritë e tyre, milionat e tyre, për jetën e tyre dhe ky është një sinjal pozitiv”, u shpreh Afrim Krasniqi.

Për juristin Sokol Hazizaj e ardhmja do të provojë më shumë se sa deri tani nëse vetë rivlerësimi kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve do të mund të marrë notë pozitive si proces.

“Ajo që është për t’u çuditur është se e reja që ka sjell KPK është sjellja e një metodike të re llogaritëse. KPK nuk ka bërë asgjë më tepër se një tabelë përmbledhëse të pasurisë”, tha Sokol Hazizaj.

Në dyert e Vettingut këto ditë, Arben Rakipi, i cili është dhe një prej ekspertëve të nivelit të lartë të reformës në drejtësi, theksoi se vettingu po zbulon keqfunksionimin e disa institucioneve kyçe, konkluzion që e ndan edhe Afrim Krasniqi.

“Parë në tërësi vendi ka nevojë që të gjithë vlerësimet, konkluzionet, kriteret me të cilat bazohen këto vlerësime te rishihen. Prodhimi që do dalë është krejt i ndryshëm nga ai që kanë dhënë këto institucione qoftë për persona të caktuar qoftë dhe për procesin në tërësi”, u shpreh Arben Rakipi.

Ndërsa Afrim Krasniqi thotë se: “Nëse marrim konkluzionet e nivelit të parë shumica janë përqendruar tek llogaritja e pasurive që në tërësi ka qenë i saktë, por ka problem në dy aspekte së pari në raportin mes individit dhe Shqipërisë informale të tranzicionit dhe së dyti qytetarët shqiptarë kanë paguar me taksa një numër institucionesh që rezulton se nuk e kanë bërë punën e tyre gjatë viteve. Nëse pranojmë që gjithë këto rezultate janë pozitive, të sakta atëherë do të duhet të reformojmë tërësisht këto institucione për të parë se si është e mundur që mekanizimi i kontrollit të pasurisë, prokuroria tatimet dhe strukturave të tjera që nuk kanë funksionuar deri tani dhe kush mban përgjegjësi për këtë gjë”.

Përgjegjësitë i kanalizojnë tek ligjvënësi. Dyshojnë nëse politika për shkak të veprimeve e mosveprimeve të saj e do në të vërtetë reformën në Drejtësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat