Ndryshimet në ligjin për lojërat e fatit unifikojnë procedurën e tatimit

Shqipëria

Ndryshimet në ligjin për lojërat e fatit unifikojnë procedurën e tatimit

Më: 1 gusht 2018 Në ora: 12:10
Ministria e Financave dhe Ekonomisë

Nuk ka asnjë ndryshim në ligjin “Për lojërat e fatit” dhe asnjë relaksim sa i përket tatimit mbi lojërat e fatit, përkundrazi ka njehsim të aplikimit për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit.

Pas kthimit nga Presidenti të ligjit “Për të ardhurat”, Ministria e Financave dhe Ekonomisë sqaroi sot se ndryshimet e propozuara në ligjin, për tatimin mbi lojërat e fatit, nuk sjellin asnjë ndryshim apo relaksim të tatimit për kategoritë e lojërave të fatit nga ligji i vitit 2015, përkundrazi, unifikojnë procedurën e tatimit, për të gjithë kategoritë e lojërave të fatit, përfshirë Lotarinë Kombëtare, që me ligjin e vjetër ka qenë e përjashtuar.

“Kuadri rregullator dhe fiskal i lojrave të fatit është vendosur dhe standardizuar në vitin 2015 me Ligjin 155/2015 “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërise” i cili përcakton konceptet, përkufizimin dhe mënyren se si tatohen të gjitha kategoritë e lojërave të fatit”, thuhet në një njoftim për shtyp të MFE-së.

Neni 52/2 i këtij ligji, sipas MFE-së, përcakton shprehimisht se të gjitha kategoritë e lojërave të fatit tatohen në masën 15 për qind mbi të ardhurat bruto.

“Në ligjin e sipërcituar, Neni 4, pika 40, përcaktohet qartësisht baza e tatueshme, që është e ardhura bruto nga loja. Eshtë ky sistem fiskal dhe rregullator të cilin Presidenti në argumentat e tij e cilëson si “regjim fiskal dhe rregullator të rreptë, që synon shtimin e barrës fiskale, me qëllim dekurajimin e këtij aktiviteti”’, vijon sqarimi i Ministrisë.

Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, është pikërisht ky sistem fiskal të cilin synon të unifikojë ndryshimi i miratuar nga Parlamenti dhe i kthyer nga Presidenti.

“Kjo, sepse e vetmja kategori që bënte përjashtim nga ky rregull, ishte Lotaria Kombëtare, e dhënë me ligj të veçantë nga Qeveria Berisha në vitin 2013, nr. 95/2013 “Për miratimin e marrëveshjes së licencës për Lotarinë Kombëtare ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet i autorizuar, dhe shoqërisë “Oesterreichische Lotterien”, Gmbh, nëpërmjet shoqërisë “Olg project” Shpk, sipas të cilit kjo kategori lojrash është e tatueshme në masën 10%”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Ndryshimi i propozuar, sipas MFE-së, jo vetëm që nuk bie ndesh me rregullimin e vendosur në vitin 2015, por e unifikon këtë rregullim, duke përfshirë edhe Lotarinë Kombëtare në të njëjtin kuadër fiskal.

“Pra, nuk ka asgjë të re përsa i përket shkallës tatimore apo bazës së tatueshme lidhur me tatimin mbi lojrat e fatit, por qëllimi i ligjëvënësit i shprehur qartë në këtë parashikim ligjor është përcaktimi i një regjimi fiskal dhe rregullator të njejtë, njësoj i aplikueshem, për të gjitha kategoritë e lojrave të fatit”, vijon njoftimi.

Sipas MFE-së, “Presidenti, nëpërmjet mos dekretimit, ndoshta pa dashje, ka rrëzuar pikërisht parimin që synon të mbrojë, pra parimin e një sistemi të rreptë dhe njësoj i aplikueshem për të gjithë”.

“Nëse ndryshimet e kthyera nga Presidenti nuk do të hyjnë në fuqi, atëhere do të kemi një trajtim të diferencuar të një subjekti në treg, i cili do të vijojë të tatohet me shkallë tatimore 10%”, shprehet MFE.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat