Shqiptarët “braktisin” Lekun, të “çmendur” pas monedhës Euro

Shqipëria

Shqiptarët “braktisin” Lekun, të “çmendur” pas monedhës Euro

Më: 27 korrik 2018 Në ora: 14:12
Ilustrim

Banka Qendrore Europiane renditi Serbët dhe Shqiptarët si më të pasionuarit në Rajonin e Ballkanit për përdorimin e euros.

Sipas të dhënave që i përkasin vitit 2017, serbët mbajtën në monedhën euro 64.2 për qind të kursimeve të tyre në banka, teksa shqiptarët u renditën të dytët duke mbajtur 43.2 për qind të kursimeve totale në valutën euro.

Euro shihet të jetë më pak dominante në kursimet e maqedonasve (36.6%), boshnjakëve (35.3%) dhe turqve (16.25).  Siç shihet nga të dhënat turqit preferojnë më pak përdorimin e euros në rajonin tonë pasi vijojnë të kenë të orientuar pjesën më të madhe të tregtisë dhe shërbimeve në dollarin amerikan.

Edhe pse interesat për kursimet në monedhën e përbashkët janë më të ulta se në monedhën kombëtare, Shqiptarët vijojnë të ruajnë kursimet në euro, tregues i mosbesimit në monedhën kombëtare.

Por sipas të dhënave të BQE euro vijon të jetë prezente në vendet jashtë zonës së euros më shumë në sektorin e tregtisë, importeve dhe eksporteve se sa në kursime dhe depozita. BQE parashikon se prezenca e euros në shërbimet bankare do të vijë në ulje në vijim për shkak të angazhimeve që kanë marrë vendet jashtë BE për të përdorur monedhat e tyre kombëtare.

Shqipëria është bërë pjesë e këtij procesi teksa muajin e kaluar kanë hyrë në fuqi disa masa që inkurajojnë përdorimin e euros nga bankat, pasi Banka e Shqipërisë ka rritur kostot për rezervat dhe euro dhe ka ulur ato për lekun.

Në rang global euro mbeti monedha e dytë më e fuqishme pas dollarit amerikan.  Në tremujorin e fundit të 2017 dollari amerikan zuri 62 % të këmbimeve ndërkombëtarë, euro 20 %, valuta kineze renminbi 1.2 % dhe yehni japonez 4.9%.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat