Basha takon ministrin gjerman: 7 propozimet e opozitës për zgjidhjen e kolapsit në Drejtësi

Shqipëria

Basha takon ministrin gjerman: 7 propozimet e opozitës për zgjidhjen e kolapsit në Drejtësi

Më: 24 korrik 2018 Në ora: 15:41
Foto nga takimi Basha-Roth

Përmbushja e kushteve të vendosura Shqipërisë për hapjen e negociatave, që nga shteti ligjor, lufta kundër krimit e korrupsionit e deri tek drejtësia e pakapur politikisht ishin në qendër të takimit të kryetarit te PD, Lulzim Basha me ministrin gjerman të Shtetit ne Ministrinë e Jashtme Gjermane, Michael Roth.

Duke e falenderuar ministrin Roth për angazhimin e tij personal që çështja e Shqipërisë të mos hiqej nga axhenda e vendeve anëtare gjatë Samitit të Luksemburgut, në fund të qershorit, Basha tha se me refuzimin që qeveria po i bën marrjes në konsideratë të kushteve te vendosura për Shqipërinë, rrezikon që edhe vitin tjetër vendit të mos i hapen negociatat.

Me një qeveri të lidhur me krimin, Shqipëria e ka te pamundur të bëjë progres në rrugën drejt BE.

 Për këtë lideri i opozitës solli si shembull rastin e dy ministrave të brendshëm Tahiri e Xhafa dhe përdorimin e vetingut si mjet presioni ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve për t’u garantuar paprekshmërinë qeveritarëve të lidhur me krimin e të përfshirë në afera te mëdha korruptive, siç është edhe rasti i fundit me ligjin special për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Basha u ndal në mënyrë të detajuar tek reforma në drejtësi, e cila me ndryshimet dhe amendamentet e bëra nga qeveria është kthyer në padrejtësi, në pushtet ndëshkues në duart e qeverisë.

Basha e njohu ministrin gjerman me 7 propozimet e opozitës për zgjidhjen e kolapsit të krijuar nga ndërhyrjet politike pë kapjen e drejtësisë.

Respektimi i kushtetutës  së miratuar me konsensus në korriku 2016, që do të thotë zhbërje e ligjeve në kundërshtim me Kushtetutën.

Zgjidhja e situatës së paligjshmërisë në organin e Prokurorisë, duke i dhënë fund kapjes politike të Prokurorit të Përgjithshëm

Zgjidhja e situatës së paligjshmërisë në procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve të jashtëm të KLGJ-së e KLP-së.

Zgjidhja urgjente e ngërçit të krijuar në Gjykatën Kushtetuese.

Zgjidhja urgjente e ngërçit për ngritjen sa më shpejt të KLGJ dhe KLP sipas Kushtetutës, që të zhbllokohet edhe krijimi i SPAK dhe BKH.

Ecuria kushtetuese dhe ligjore e procesit të vetingut. Ndërprerja e menjëhershme e ndërhyrjes politike në proces nga ana e maxhorancës, që ka sjellë deri tani një proces të deformuar.

Ngritja e një komisioni koordinimi i balancuar dhe i paanshëm për të mbikëqyrur konstitutimin e organeve të reja të drejtësisë. Sipas parashikimeve kushtetuese duhet të ishte ngritur një më parë.

Lideri i opozitës shprehu bindjen se këto probleme madhore nuk zgjidhen me korrigjime sipërfaqësore, por me një qasje tërësore e të mirëmenduar. Për këtë zgjidhje, Lulzim Basha siguroi Ministrin gjerman të Shtetit, përgjegjës për Europën, se opozita është e gatshme të kontribuojë në mënyrë konstruktive.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i shprehu Ministrit gjerman për Europën, Michael Roth, besimin se mbështetja dhe angazhimi i Gjermanisë janë shumë të rëndësishëm për Shqipërinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat