Paradoks, shqiptarët ikin jashtë me pushime, vendi “mbushet” me të huaj

Shqipëria

Paradoks, shqiptarët ikin jashtë me pushime, vendi “mbushet” me të huaj

Më: 23 korrik 2018 Në ora: 12:10
Ilustrim

Teksa turistet sidomos nga vendet e Europës perëndimore po zgjedhin gjithnjë e më shumë Shqipërinë për të kaluar pushimet, vetë shqiptarët i janë rikthyer vrullshëm udhëtimeve jashtë për të pushuar.

Të dhënat e fundit për muajin qershor nga INSTAT tregojnë se numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Qershor 2018, është 411.165 krahasuar me Qershor 2017, ky numër është rritur 7,8 %.

Vendet të cilat tërheqin më së shumti shqiptarët për pushime jashtë janë Turqia nëpërmjet ofertave gjithëpërfshirëse dhe Greqia për shkak të afërsisë dhe çmimeve konkurruese. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në gjashtëmujorin parë 2018, është 2.396.317, duke u rritur 5,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Turistët nga Kosova në rënie, rriten nga Perëndimi

Fluksi i vizitorëve nga Europa Perëndimore po zëvendëson fluksin e pushuesve tradicionale nga Kosova. Sipas të dhënave të INSTAT fluksi i vizitoreve të huaj u rrit me 9,1 për qind në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, por pushuesit nga Kosova vijuan trendin rënës edhe këtë vit, me 0.4%  në krahasim me një vit më parë.

Blendi Shima, Drejtori i Hotelerisë në Rafaelo Resort në Shëngjinit një nga pritësit kryesore të vizitorëve nga Kosova, tha se është i prirur më shumë për rezervime paraprake me agjencitë që sjellin turistë nga Perëndimi sidomos nga Polonia. Ai tha se turistet nga Kosova janë shumë ndjeshëm nga ndryshimet e klimës, ndërsa prenotimet në avance e shmangin këtë risk. Ai tha se në vitet në vijim synon të çojë 80 për qind të akomodimit me turistë nga perëndimi me ofertat në avancë, duke lënë të kuptojë se pushuesit nga Kosova edhe pse janë baza, nuk janë në prioritet i hoteleve të mëdha.

Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në gjashtëmujorin e parë 2018 është 1.919.504 duke u rritur me 9,1 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Në Qershor 2018, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Maqedonia ka pasur rritjen më të madhe me 58,3 %, ndërsa uljen më të madhe e kanë pasur shtetasit nga Anglia me 10,9 %. Në gjashtëmujorin e parë 2018, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe 26,4, nga Maqedonia me 15,5 për qind, nga Gjermania 18,8% dhe nga Greqia me 10,5 %.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat