Shqipëria me borxhin publik më të lartë në rajon

Shqipëria

Shqipëria me borxhin publik më të lartë në rajon

Më: 23 korrik 2018 Në ora: 08:28
Ilustrim

Deri dy vite më parë, Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi kryesonin në rajon për nivelin e lartë të borxhit publik, që e kalonte nivelin e 70% të asaj që prodhon ekonomia në një vit (prodhimi i brendshëm bruto-PBB).

Ky nivel konsiderohet i paqëndrueshëm për vendet në zhvillim dhe me konkurrueshmëri të ulët, pasi aftësia paguese e borxhit mbetet e ulët. Për këtë arsye institucionet ndërkombëtare ndërkombëtare  rekomandojnë që për vendet në zhvillim borxhi të mbahet në nivelet e 40-50% të PBB-së.

Edhe vetë Shqipëria e ndërmori një sfidë të tillë, teksa në projektbuxhetin afatmesëm të vitit 2015 parashikonte me ambicie që në 2018-n, borxhi publik të ulej në 61.9% të PBB-së.

Por, 2017-a u mbyll me një tregues prej 70.1% të PBB-së, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti kishte zbritur në 69%, që sipas të dhënave të Komisionit Europian për vendet kandidate është më i larti në rajon. Ndryshe nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia kanë arritur ta ulin ndjeshëm këtë tregues në të njëjtën periudhë, duke e zbritur atë në 59% të PBB-së në tremujorin e parë, pra 10 pikë përqindje më pak sesa tek ne.

Nga fqinjët, Serbia, brenda vitit 2017 e uli borxhin publik në 61.5% nga 71.3% të PBB që ishte më 2016. Serbia ishte vendi me nivelin më të lartë të borxhit publik në Rajon, por tani këtë renditje e kryeson Shqipëria. Ministria e Financave e Serbisë ka argumentuar se raporti i borxhit të qeverisë ndaj PBB ra me afërsisht 10 pikë përqindje të PBB-së në vitin 2017. Më shumë se gjysma e kësaj rënieje ishte për shkak të vlerësimit të dinarit kundrejt euros dhe dollarit amerikan. Ndërsa performanca e fortë fiskale, e cila e çoi  suficitin primar në gati 4% e PBB-së, ishte faktori i dytë i rëndësishëm për reduktimin e fortë të borxhit vitin e kaluar. Gjithashtu qeveria e Serbisë ka argumentuar se efektet e reduktimit të borxhit erdhën nga rritja ekonomike (3.5% më 2017) e ndihmuar nga  inflacioni i ulët. Interesat e ulëta të borxhit dhe gjithashtu balanca primare pritet ta ulë borxhin e Serbisë edhe në dy vitet në vijim duke e çuar atë në fund të vitit 2019 në 55% të PBB-së.

Pse nuk u ul borxhi në Shqipëri dhe pritshmëritë jo pozitive të FMN

Në vitin 2015, Ministria e Financave parashikonte që në 2017-n borxhi të zbriste në 65.6% të PBB-së, kurse ekonomia të rritej me 4.5% në të njëjtin vit.  Financat parashikonin se një rritje reale mbi 4% ishte e nevojshme për të siguruar një ulje të qëndrueshme të borxhit publik, si dhe reduktimin e papunësisë. Por, faktikisht ekonomia u zgjerua zyrtarisht me 3.8%, sipas INSTAT, ndërsa borxhi publik qëndroi në rreth 70% të PBB-së. Sidomos në 2018-n, performanca buxhetore nuk ka qenë shumë ë e ulët sesa pritshmeritë, me një rritje minimale prej 2.2% për 6 mujorin.

Nga ana tjetër, qeveria ka ndërmarrë një valë angazhimet për projektet e partneritetit publik privat (PPP), të cilat pritet të rrisin më tej borxhin publik. Qeveria ka angazhuar deri më tani katër projekte nga paketa “1 miliard” në formën e koncesioneve me Partneritet Publik-Privat me vlerë 86 miliardë lekë, nga 148 miliardë lekë që pritet të angazhohen në total këtë vit. Së bashku me koncesionet PPP të dhëna deri në dhjetor 2017, vlera totale e koncesioneve me PPP arrin në 259 miliardë lekë, ose 17% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. 

FMN ka kërkuar vazhdimisht që PPP-të të regjistrohen si borxh publik (qeveria llogarit vetëm shpenzimet korente të vitit actual) në mënyrë që ato të mos përbëjnë borxh të fshehur. FMN ka shprehur vazhdimisht shqetësimet lidhur me aftësinë e qeverisë për të vazhduar me konsolidimin fiskal dhe uljen e borxhit publik, teksa ka plane për investime të mëdha në formën e partneritetit publik-privat (PPP).

Si rrjedhojë, në prill të këtij viti, FMN ndryshoi pritshmëritë me rritje për ecurinë e këtij treguesi në raport me tetorin e vitit të kaluar, sipas statistikave të saj zyrtare. Për vitin 2018, FMN pret që borxhi të jetë 71.3% e PBB-së, më i lartë sesa pritshmëritë e fundit të qeverisë prej 68.7% e PBB-së në kuadrin e fundit buxhetor afatmesëm. Projeksioni i FMN është rritur dukshëm edhe për vitin 2019 (shih grafiket e parashikimit të FMN dhe ndryshimit të projeksionit në prpjekbuxhetet e qeverisë). FMM pret që borxhi të jetë 68.5% e PBB-së në 2019-n, përkundrejt projeksionit të qeverisë prej 66.4%.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat