Dhuna ndaj avokatit, babai i të kërkuarit akuza të forta ndaj prokurorit të Durrësit

Shqipëria

Dhuna ndaj avokatit, babai i të kërkuarit akuza të forta ndaj prokurorit të Durrësit

Më: 23 korrik 2018 Në ora: 08:06
Kadri Voga

Babai i Mond Vogës, i shpallur në kërkim si autor i dhunës ndaj avokatit Ilia Ilia në Durrës, ngre akuza të rënda ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja, duke e quajtur atë hajdut dhe kriminel.

Sipas tij, prokurorin e ka denoncuar për vjedhje dhe korrupsion pasi ai ka përvetësuar pasurinë e familjes së tij. Kadri Voga, teksa i kërkon ndjesë publike avokatit, kërkon nga strukturat shtetërore të veprojnë pa tolerim për të zbardhur këtë ngjarje të shëmtuar dhe të vihen para drejtësisë autorët. Ai thotë se djali i tij është shtyrë dhe paguar nga prokurori Ndoja për të dhunuar avokatin Ilia Ilia.

Z. Voga, e keni parë ngjarjen ku djali juaj Mond Voga dhunon para Prokurorisë së Durrësit avokatin Ilia Ilia?

Personalisht e dënoj ashpër veprimin e tim biri. Ngjarje shumë, shumë e shëmtuar. Ngjarja e ndodhur në Durrës ndaj avokatit Ilia Ilia është e rëndë, ngjarje e pazakontë dhe këto veprime për mua janë të dënueshme. Unë e dënoj ashpër veprimin e djalit tim Mond Voga, i cili ka kryer këtë akt të shëmtuar ndaj avokatit të nderuar Ilia Ilia.

Çfarë lidhje ka djali juaj me prokurorin Arjan Ndoja?

Djali im, Mond Voga, e ka pasur në shkollë Arjan Ndojin. Im bir nuk është edukuar t’i përkasë kësaj kategorie dhunuesish, por është shtyrë apo paguar nga Arjani. Ai ka përdorur Mondin për të bërë punët e veta të pista. Unë si baba kërkoj ndjesë publike për veprimin e djalit tim. Më mirë të më kishte dhunuar mua. Nuk do të isha prekur dhe turpëruar nëse do isha unë në vendin e avokatit Ilia Ilia. Avokatit, familjes dhe të afërmve të tij si dhe opinionit publik u kërkoj falje në emër të familjes për arsye se djali im nuk ka qenë i tillë dhe nuk është i tillë. Ai është i shtyrë nga një prokuror kriminel, hajdut, Arjan Ndoja.

Njiheni personalisht me prokurorin?

Pse keni këtë opinion për të? E njoh shumë mirë. E njoh pasi kam pasur probleme ligjore me atë kriminel me kollare. Ai më ka zhvatur në mënyrë të paligjshme pronën e familjes. Me këtë prokuror jam në gjyqe, ka 10 vjet. E kam denoncuar për vjedhje, për korrupsion, për veprime antiligjore, kam bërë kërkesa, letra të gjitha instancave shtetërore deri në ambasadën amerikane për këtë prokuror, por asnjë lloj veprimi nuk është marrë mbi të. Është një prokuror që është gabimisht në organet e drejtësisë. Është një prokuror që përkrah vetëm kriminelët. Është një prokuror, që ka gjetur djalin tim që e përdor për mashë dhe e shtyn në krime, e përdor për të fortë dhe e përdori dhe me këtë veprim ndaj avokatit Ilia Ilia.

Nëse ai iu ka zhvatur pronën familjare dhe paskeni gjithë këto probleme gjykatave, si shoqërohej djali juaj me të?

Çuni im Mond Voga e ka pas shok shkolle. Gjithmonë i kam thënë që të largohej prej këtij personi se mua nuk më duket njeri i mirë. Por ai nuk hoqi dorë nga ai. Arjan Ndoja arriti të shtyjë djalin tim të masakrojë familjen e vet, vëllain, motrën, nënën. Arriti deri aty që i mori të gjithë pasurinë, lokalin që e kishim bërë familjarisht dhe sot ekziston në Hipotekë te familja e Arian Ndojës.

Po si arriti ta merrte lokalin, që thoni se paska qenë i familjes tuaj?

Ai e mori këtë duke bashkëpunuar fuqishëm me shokë të tij prokurorë dhe gjyqtarë, të pamoralë, të cilët i blinte me lekë. Mua më humbte gjyqi, fitonte Arjan Ndoja.

Keni ndonjë apel për djalin tuaj apo për organet kompetente?

Vlen të theksoj dhe kërkoj nga organet e drejtësisë, kryesisht nga Kryeministri i Shqipërisë që kjo çështje të zbardhet deri më një. Të thellohet edhe më tej hetimi ndaj Arjan Ndojit, qoftë edhe ndaj djalit tim që është viktimë e tij dhe që është paguar për ngjarjen e ndodhur. Në rast se nuk zbardhet, ndaj prokurorit që ka shtyrë çunin tim për ta kryer këtë veprim, unë do bëj vetëgjyqësi.

Ku ndodhet djali juaj aktualisht?

Këtë nuk di ta them. Ai është shpallur në kërkim dhe është fshehur. Nuk e di se ku ndodhet, nëse do ta dija, të jeni të sigurt se do ta dorëzoja më duart e mija në Polici dhe të përballet me drejtësinë për veprimin e tij të shëmtuar. Nga ana tjetër i bëj kërkesë publikisht të dorëzohet.

Nuk keni kontaktuar me Mondin pas ngjarjes?

Absolutisht. Për herë të fundit e kam parë mëngjesin e ditës kur ndodhi ngjarja. Që nga ai moment, Mondi nuk ka shkelur në shtëpi. Pas ngjarjes, Policia e kërkoi dhe nuk e gjeti në shtëpi. Ai e di që është shpallur në kërkim dhe prandaj nuk vjen në shtëpi. Po nëse kontakton me ne, unë do t’i kërkoj të dorëzohet dhe të përballet me veprimet e tij. Të dalë para drejtësisë dhe të tregojë të vërtetën. Të tregojë që është shtyrë nga Arjani për të goditur avokatin. Nuk di çfarë të them, jam shumë, shumë i indinjuar për këtë ngjarje. Nuk do ta përjetoja kaq keq, nëse do më kishin dhunuar mua.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat