VKM për etiketat ushqimore, ndryshimet që hyjnë në fuqi vitin tjetër

Shqipëria

VKM për etiketat ushqimore, ndryshimet që hyjnë në fuqi vitin tjetër

Më: 21 korrik 2018 Në ora: 13:26
Ilustrim

Çdo produkt ushqimor që do të tregtohet në Shqipëri duke nisur nga viti 2019 do të duhet që të ketë në etiketë të gjithë përbërësit, vlerat apo alergentët që janë përdorur. 

Një vendim i qeverisë shqiptare detyron tashmë Operatorët e Biznesit Ushqimor që duke filluar që nga ky vit dhe në vazhdim, të nisin të sigurojnë kriteret, pasi viti 2019 do të ndalojë në mënyrë kategorike mos deklarimin e origjinës së lëndës së parë. 

Kjo nismë ka si qëllim shmangien e abuzimeve duke garantuar një sistem të konsoliduar të gjurmueshmërisë, e cila është hallka e parë e zinxhirit për sigurinë e produkteve ushqimore. Gjithashtu deklarimi i të dhënave synon që konsumatori shqiptar të informohet përsa i përket karakteristikave të ushqimit, efekteve dhe vetive të tij në mënyrë që të mos ketë më pas pasoja në shëndet.

Deri më sot, paraqitja e vlerave ushqimore ka qënë fakultative, ndërsa me vendimin e ri këto operatorë detyrohen t’i paraqesin ato në etiketat e notifikuara të produktit. 

Ndryshimi i bërë vjen edhe në kuadër të kërkesave të Bashkimit Europian për përmirësim të legjislacionit në lidhje me informimin e konsumatorit. Vendimi i fundit përcakton ndër të tjera që Të gjithë produktet që aktualisht janë në treg dhe që preken nga ndryshimet e VKM-së në fjalë, do të vazhdojnë të shiten me etiketat aktuale të miratuara, por jo më shumë se një vit nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat