Vettingu në Polici/ Përzgjidhen 30 komisionerët, procesi nis javën e ardhshme

Shqipëria

Vettingu në Polici/ Përzgjidhen 30 komisionerët, procesi nis javën e ardhshme

Më: 21 korrik 2018 Në ora: 12:54
Ilustrim

Janë përzgjedhur 30 komisionerët që pritet të kryejnë Vettingun në Policinë e Shtetit.

Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se gara ka përfunduar dhe se janë përzgjedhur 5 komisionerë të Vlerësimit të Jashtëm, 15 anëtarë të sekretariatit teknikë, 5 anëtarë të përzgjedhur  nga ILDKPI dhe 5 përfaqësuesë nga bota akademike, përkatësisht nga Universiteti i Tiranës, pra 30 në total që do kryejnë Vettingun në Policinë e Shtetit që do nisë nga drejtori i Përgjithëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, 12 drejtorët në qarqe e më pas në rang hierarkik deri në punonjësit në nivel bazë të policisë.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, në një lidhje direkt nga oborri i Ministrisë së Brendshme ka sqaruar sesi do të funksionojë procesi në radhët e uniformave blu.

Përsa i përket mënyrës sesi do të funksionojë, fillimisht do të jetë një kontroll jashtë syrit të medias, njësoj si në rastin e Vettingut në drejtësi, bëhet një kontroll për pasurinë. Secili ka bërë një deklaratë paraprake, çdo efektiv dha këtë deklaratë. 5 maji ishte afati i fundit. Këto deklarata, nëse ka një rezultat do të kalojë në një seancë dëgjimore publike. Ajo çfarë shohim për prokurorë e gjyqtarë nga fillimi i shtatorit do të jetë edhe për policinë, duke filluar nga drejtori Ardi Veliu.

Janë mbi 200 efektivë që janë larguar me dëshirë, dikush me arsye shëndetësore e dikush me arsye familjare. Nuk dolën para sitës së Vettingut. Nuk ka emra të njohur, vetëm 4 ish-drejtues. Ka një debat për këtë pikë për të larguarit nga Policia nëse do t’i nënshtrohen Vettingut, por ligjërisht e kanë të pamundur këtë gjë.  Ripranimet do të kalojnë në filtrin e Vettingut. Ata që do hyjnë në Polici do plotësojnë një formular deklarimi. Gjatë gjithë kohës janë në filtrin e Vettingut. Zëvendësimi do të bëhet me pjesën e efektivëve që vijnë nga Akademia e Sigurisë, ndërsa i përket pjesës së gradave, të gjithë ata që do të kalojnë këtë proces me sukses kanë të drejtë të konkurrojnë për grada. Pritshmëritë janë që brenda muajit korrik të nisë puna.  

Gjithashtu, burime nga Bordi i Përzgjedhjes i thanë ku bëjnë pjesë ministria e Brendshme, Avokati i Popullit, Shërbimi Informativ Shtetëror, Komisioni i Diskriminimit dhe Komisioneri për të dhënat personale kanë përfunduar filtrin e kandidatëve, duke miratuar 2 ditë më parë listën me 30 përfaqësues.

Procesi i Vettingut në Policinë e Shtetit pritet të nisë javën e ardhshme, ndërsa rezultatet e para pritet të shihen në fillim të shtatorit, ku njësoj si me Vettingun e prokurorëve dhe gjyqtarëve, edhe drejtuesit e policisë së Shtetit do zhvillojnë seanca dëgjimore publike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat