Investime për furnizimin me energji elektrike të zonave turistike

Shqipëria

Investime për furnizimin me energji elektrike të zonave turistike

Më: 21 korrik 2018 Në ora: 11:29
Nënstacioni i ri në Gjirin e Lalzit

Një investim prej 458 milionë lekësh për ndërtimin e nënstacionit të ri në Gjirit të Lalzit pritet të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me energji elektrike në këtë zonë turistike.

Ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri bashkë me administratorin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela inspektuan kantierin ku po punohet për ndërtimin e nënstacionit të ri në zonën e Gjirit të Lalzit.

Ministri Gjiknuri u ndal tek filozofia me të cilën tanimë do të strukturohet plani i investimeve që do të kryhen në rrjetin elektrik me përparësi turizmin.

“Po investohet në ato zona që kanë potencial të madh të rritjes ekonomike, siç janë zonat me përparësi turizmi nga Orikumi deri në bregdetin e Velipojës në mënyrë që i gjithë brezi ku pritet një investim i madh në fushën e turizmit dhe ku do të ketë aktivitet ekonomik të shtuar do të mbulohet me një furnizim bashkëkohor të energjisë elektrike”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Sipas tij, objektivi i dytë është kryerja e investimeve në ato elementë që çojnë në mirë menaxhimin e kompanisë.

Investimi në vlerën 458 milion lek është kryer në masën 40% deri më tani ndërsa pritet të përfundojë plotësisht në fillim të vitit të ardhshëm.

Paralelisht me këtë investim, Operatori i Sistemit të Transmetimit po ndërton linjën 110 kV Sallmone-Gjiri i Lalëzit.

Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela theksoi se kjo është një zonë në të cilën nuk është investuar që nga koha e elektrifikimit.

“Ka nisur fazën e parë që është realizimi i këtij nënstacioni dhe do të pasohet me fazën e dytë në fund të vitit, me zhvillimin e rrjetit 20 kilovolt. Në këtë fazë të dytë do të investohen rreth 1 miliardë lekë, ku parashikohen rreth 10 fidera të linjës 20 kilovolt”, deklaroi kreu i OSHE-së.

Sipas tij, të dy këto investimi i japin zgjidhje përfundimisht problemit të energjisë elektrike jo vetëm të Gjirit të Lalzit, por edhe të fshatrave përreth, Hamallaj e Ishëm.

“Paratë që qytetarët paguajnë për konsumin e energjisë elektrike, Operatori ia kthen qytetarëve me cilësi shërbimi me investime me një furnizim më të mirë të energjisë elektrike”, tha Çela.

Deri më tani OSHEE ka investuar mbi 1.5 miliard Lekë për infrastrukturën energjetike nga Gjiri i Lalzit, pjesa e plazhit (Adriatiku), e deri në Golem të Kavajës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat