Si i shpëtoi drejtësisë shqiptare për 13 vite shtetasi nga Kosova vrasës me pagesë

Shqipëria

Si i shpëtoi drejtësisë shqiptare për 13 vite shtetasi nga Kosova vrasës me pagesë

Më: 21 korrik 2018 Në ora: 10:08
Ahmet Ajeti

Tentoi t’i bënte atentat Lul Berishës në këmbim të 80 mijë eurove, që do t’ia jepnin porositësit Endrit Dokle dhe Dritan Coli, ekstradohet pas 13 vitesh shtetasi nga Kosova, Ahmet Ajeti.

35-vjeçari rezulton se është dënuar edhe me akuzën e “vrasjes me paramendim” me 20 vite burg. Sipas të dhënave, ngjarja ku do t’i bëhej atentat anëtarit të bandës së Durrësit ka ndodhur në gusht të vitit 2005, pas nisjes së konflikteve brenda anëtarëve të vetë bandës.

Ajeti ka qëndruar 13 vite në arrati për shkak edhe të amullisë në sistemin e drejtësisë shqiptare. I riu u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ashtu si edhe 15 të pandehurit e tjerë të bandës, në fillim të vitit 2012. Ndonëse duhet të ishte shpallur në kërkim që prej nisjes së hetimeve, edhe pas dënimit, 35-vjeçari nuk ishte person i kërkuar.

Vetëm në mars të vitit 2016, Ahmet Ajeti është shpallur zyrtarisht person në kërkim ndërkombëtar. Ai është dënuar nga drejtësia shqiptare si vrasës me pagesë për këtë grup.

"Ahmet Ajeti është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana më datë 07.03.2016, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin nr. 01, datë 16.01.2012, e ka dënuar me 20 vjet burg për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’, dhe ‘Armëmbajtje pa leje’”, bëhet e ditur nga Policia.

EKSTRADIMI
Ahmet Ajeti, pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar, u arrestua nga Policia e Kosovës në fillim të vitit 2017. Zyrtarisht, autoritet shqiptare kërkuan ekstradimin e tij më 16 maj të vitit 2017, kërkesë e cila u pranua nga drejtësia e Kosovës.

Por, i riu ushtroi të drejtën e padisë për këtë vendim të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës për ekstradimin e tij. Për këtë arsye, çështja kaloi në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe vetëm pas vendimit të kësaj të fundit, iu hap rruga ekstradimit të 35-vjeçarit në Shqipëri, ku është dënuar për vrasje me pagesë.

Ishte dëshmia e Adriatik Colit, të penduarit të bandës, që solli dënimin e Ajetit për “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Coli deklaroi në Gjykatë se Ajeti, më 30 gusht të vitit 2005, do të organizonte atentat ndal Lul Berishës dhe për këtë kishte marrë një shumë prej 80 mijë euro. Ajeti bashkë me një bashkëpunëtor, Osman Korpuzin, janë porositur nga Endrit Dokle dhe vetë Adriatik Coli, për ekzekutimin e Berishës.

Për këtë arsye, ai bashkë me Korpuzin janë nisur nga Tirana për në Durrës për të vrarë Lul Berishën. Por, në momentin që do të kryhej atentati, 35-vjeçari nga Kosova është konfliktuar me një person tjetër në lokal, ndërsa prisnin të mbërrinte Lul Berisha.
Në grindje e sipër, pasi nxori pistoletën, Ajeti mbeti vetë i plagosur duke bërë që atentati të dështonte.

Porosia, pas konflikteve mes anëtarëve të bandës
Endrit Dokle dhe Dritan Coli, pas konflikteve që kishin me Lul Berishën, kishin vendosur të paguanin vrasës për eliminimin fizik të këtij të fundit. Për realizimin e këtij qëllimi, ata arritën një marrëveshje me Osman Korpuzi e Ahmet Ajeti, të dy nga Kosova. Pasi janë takuar në Tiranë dhe kanë rënë dakord për një shumë prej 80 mijë euro, nëse atentati finalizohej me sukses, dy shtetasit nga Kosova janë nisur në drejtim të Durrësit.

Pasi kanë qëndruar në një hotel, Ajetit dhe Korpuzit iu janë dhënë secilit nga një pistoletë, njëra tip “Zastava” dhe tjera top “Uzi”, si dhe një fotografi për të identifikuar lehtësisht Lul Berishën. Pasi kanë shkuar në lokalin ku qëndronte zakonisht Berisha, aty, Ajeti, pas një sherri banal, në tentativë për të nxjerrë pistoletën, plagosi veten. Më pas, një prej shoqëruesve largoi dy armët nga vendi i ngjarjes, ndërsa shoku i tij, Korpuzi, njoftoi Policinë për t’i ardhur në ndihmë të plagosurit. Ata thanë për Policinë se kishin ardhur për pushime në Durrës, por pas kontrollit fizik, në portofol iu është gjendur një fotografi e Lulëzim Berishës e mbështjellë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat