Rivlerësimi, hije mbi pasuritë e Zaganjorit

Shqipëria

Rivlerësimi, hije mbi pasuritë e Zaganjorit

Më: 20 korrik 2018 Në ora: 19:30
Xhezair Zaganjori

Në Shqipëri, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ngriti sot dyshime mbi pasuritë e Kryetarit të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, në seancën dëgjmore në kuadër të procesit të rivlerësimit. Ndërsa Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të pasurive të zyrtarëve të Lartë, nuk kishte konstatuar asnjë parregullsi në deklarimet e zotit Zaganjori, Komisioni, në të kundërt, foli për një seri problemesh që sipas tij kishte gjetur falë një hetimi të thelluar.

Sipas relacionit të lexuar gjatë seancës, kryetari i Gjykatës së Lartë rezulton të ketë bërë deklarata të pasakta, të pamjaftueshme dhe fiktive si dhe kishte mungesë të burimeve financiare, lidhur me një apartament në qendër të Tiranës, një mjedis për zyrë, një bodrum dhe një dyqan. Të gjitha në një godinë të vetme, që sipas zotit Zaganjori nuk janë blerë, por janë ndërtuar në një truall të trashëguar nga familja e bashkëshortes. Ndaj tij megjithatë, Komisioni ngriti pretendimin se nuk kishte paguar detyrimet ndaj shtetit për qeratë e perfituara, apo dhe se kishte mospërputhje për shpenzimet e shkollimit të fëmijëve, të deklaruara më të ulta se sa kishin rezultuar nga verifikimet e bëra nga vetë Komisioni.

Zoti Zaganjori, i cili përvec të ardhurave nga pagat mujore dhe qeratë, ka deklaruar dhe përfitime të larta financiare nga puna pranë një instituti në Gjermani, deklaroi se i kishte ofruar komisionit afër 40 faqe me shpjegime dhe dokumenta, për të gjitha pikëpyetjet e ngritura gjatë procesit, duke kërkuar rikonfirmimin e tij në detyrë.

Deri më tani, tre prej anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, Tom Ndreca dhe Artan Zeneli, janë rrëzuar gatë procesit të rivlerësimit. Për një tjetër anëtar, Edmond Islamajn, i cili u deklarua i pastër nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Komisioneri publik ka bërë ankim në Kolegjin e Apelit duke pretenduar se hetimi ndaj tij ka qenë i mangët.

Gjykata e Lartë ka 19 anëtarë. Nga viti 2013 deri në vitin 2016, përplasjet mes shumicës socialiste bën të pamundur zëvendësimet e anëtarëve mandati të cilëve kishte përfunduar. Ndonëse ligji parashikon që ata mund të qëndrojnë në detyrë, deri në momentin e zëvendësimit, disa prej tyre preferuan të mos e ushtronin këtë të drejtë. Reforma në Drejtësi e cila hyri në fuqi në vitin 2016, bllokoi emërimet, për shkak se ato duhet të kalojnë përmes institucioneve të reja të parashikuara prej saj. Deri para pak ditëve, Gjykata e Lartë funksionte me vetëm 9 anëtarë. Pas rrëzimit të tre anëtarëve në procesin e rivelrësimit, ajo ka mbetur me vetëm 6 gjyqtarë, ndërkohë që numri çështjeve që presin shqyrtimin është afër 26 mijë, dhe një jesë e tyre i përkasin vitit 2015./Voa/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat