Shtyhet projektligji për gjyqtarët, PS: Po dialogojmë me LSI-në

Shqipëria

Shtyhet projektligji për gjyqtarët, PS: Po dialogojmë me LSI-në

Më: 20 korrik 2018 Në ora: 10:05
Kuvendi i Shqipërisë

Dështojnë për të dytën herë përpjekjet e maxhorancës për të joshur deputetët e LSI-së dhe për të siguruar 84 votat që kërkon ligji për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Edhe projektligji për ndryshimet në Kodin Rrugor, që gjithashtu kërkon shumicë të cilësuar, u refuzua nga opozita. Në këto kushte kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka shtyrë sërish votimin e projektligjeve për në datën 23 korrik. Ai i bëri thirrje opozitës, kryesisht LSI-së, që të jap konsensus.

“Propozoj që për hir të një dialogu të rëndësishëm me një pjesë ende të përgjegjshme të opozitës, propozimi i deputetit Ndreu dhe ai për ndryshimet në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve shtyhen për seancën e datës 23”, tha Balla. Kreu i grupit të PS-së, ka shprehur siguri që ditën e hënë do të ketë qëndrim pozitiv të opozitës kundrejt ligjit të gjyqtarëve, duke theksuar se ndryshimet janë shumë të rëndësishme.

“Për projektligjin për disa ndryshime në kodin rrugor diskutimi quhet i ezauruar, kjo mbartet vetëm për votim. Kurse për ligjin tjetër besoj dhe shpresoj që opozita ditën e hënë të ketë reflektuar mbi këtë kërkesë dhe detyrimin që ka Kuvendi në kuadër të vijimit të implementimit të Reformës në Drejtësi të vijojmë ta kemi çështje të hapur për diskutime ku mirëpresim dhe diskutimet e opozitës”, citon ai.

Deputetët e LSI-së, nën presion dhe joshje  

Në fillim të seancës parlamentare, deputetët e PS-së kanë shprehur interes për bashkëpunim me opozitën e majtë, LSI-në. Ata anë kapur në bisedime të afërta dhe përqafime me kolegët e tyre kundërshtarë. Në disa foto të realizuar nga gazeta “Shekulli” shihet qartë interesi i Partisë Socialiste për të negociuar para futjes për votim të projektligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Aktiv në këtë “mision” është shfaqur Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Në një përqafim me deputetin e LSI-së, Luan Rama, shihet një gjest i munguar mes tyre prej kohësh, pasi LSI, aleatja e dikurshme e Rilindjes, tashmë është në krah të opozitës që ka zhvilluar një betejë të ashpër politike në këtë sallë. Ndonëse LSI, në qëndrimin e saj publik shprehet se: “Nuk pranon miratimin e Ligjit të Magjistraturës, sepse është antikushtetues dhe shpreh vullnetin e “mbrapshtë” të qeverisë Rama”, nga ana tjetër, nuk e ka mbyllur mundësinë e bisedimeve, kur bëhet fjalë për interesa reciproke. Në këtë “operacion” të bindjes së kolegëve të LSI-së është përfshirë edhe deputeti Ervin Bushati.

Qëndrimi i PD-së për projektligjin

Deputetët e Partisë Demokratike kanë kundërshtuar në mënyrë kategorike votimin e këtyre ligjeve dhe e kanë braktisur seancën plenare ditën e djeshme. PD-ja e ka justifikuar largimin e saj me refuzimin e mazhorancës për të rivotuar projektligjin për Teatrin Kombëtar. Demokratët këmbëngulin se votimi është nul, pasi është provuar se deputeti Vangjel Tavo, që ishte jashtë shtetit, rezulton të ketë provuar. Deputeti i PD-së Edmond Spaho, u ka kujtuar deputetëve socialistë parregullsinë e procesit të votimit për projektligjin e TK, duke kërkuar rivotim të ligjit në përputhje me rregulloren, në të kundërt ka “kërcënuar” se do largohen nga seanca. “Në seancën e shkuar grupet opozitare kërkuan të rivotohet ligji për prishjen e Teatrit Kombëtar, pasi një deputet i mazhorancës kishte votuar dhe për një deputet të opozitës.

Kryetari i Kuvendit porositi të mblidhet Këshilli i Votimit dhe Procedurave, që u mblodh dhe vërtetoi qëndrimin e opozitës se votimi në emër të një deputeti të opozitës ishte kryer. Sa kohë ky votim ka qenë i parregullt në përputhje me rregulloren duhet të përsëritet. Kërkoj të rivotohet ligji për Teatrin pasi votimi ka qenë i parregullt dhe, për shkak se ju nuk lejoni të korrigjohet ky veprim i gabuar nga ana e Kuvendit, në shenjë proteste do të largohemi nga kjo seancë, pasi nuk mund të qëndrojmë në një Kuvend ku vidhet vota edhe kur nuk ka nevojë për ta bërë këtë”, tha Spaho. Megjithatë, deputetët e LSI-së nuk i ndoqën pas, por qëndruan në sallë.

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese

Deputeti i PR-së, Fatmir Mediu, në fjalën e tij, ka lëshuar alarmin e mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë. Ai ka akuzuar kreun  e qeverisë së ka ekzekutuar drejtësinë në funksion të pazareve të pista. Kreu i republikanëve u përqendrua tek rënia e shtetit për shkak të mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke e cilësuar situatën aktuale një grusht shteti. “Ne jemi në kushtet e një grushti shteti dhe banditizmi kushtetues. Nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, Nuk kemi Gjykatë të Lartë, nuk do ketë Gjykata Apeli, nuk do ketë Gjykata Rrethesh së shpejti. Ne që pretendojmë se BE ka standardin më të lartë në respektim të shtetit të së drejtës. Sot nuk ka as KLD as KLP as gjyqësor sepse nuk mund të emërohet askush. Sot të gjitha gjyqet kundër qeverisë fitohen nga qeveria ndërkohë që më parë rreth 90% e tyre fitoheshin nga qytetarët. Gjyqësori gjykon padrejtësitë dhe korrupsionin e qeverisë në rastet më të shumta, prandaj për qeverinë ai nuk duhet të mosekzistojë”, tha Mediu.

Bllokimi i Magjistraturës

Deputeti i PD-së Gazmend Bardhi rrëzoi pretendimet e maxhorancës, se duke bllokuar Ligjin për Magjistraturën po bllokon pikërisht plotësimin e gjykatave me gjyqtarë të rinj.  “Ligji për Magjistraturën nuk e zgjidh problemin në Gjykatën Kushtetuese dhe as të Gjykatës së Lartë. Ky është një mashtrim i madh. Studentët e sapodiplomuar nga Magjistratura emërohen në gjykatat e shkallës se parë pasi në dy gjykatat e mësipërme emërohen gjyqtarë me eksperiencë pune minimum 15 vjet” – deklaroi Bardhi duke shprehur domosdoshmërinë që palët të ulen e të gjejnë zgjidhje për krijimin e institucioneve që përcaktohen në Kushtetutën e miratuar me konsensus për Reformën në Drejtësi.

LSI, Nora Malaj: Negociojmë, por këtu ka një hile të madhe

Deputetja e LSI-së dhe ish-zv.ministrja e Arsimit Nora Malaj, në një intervistë për gazetën “Shekulli” ka bërë me dije se thirrja e PS-së për bashkëpunim është një “farsë politike e nevojës”, të cilën e përdorin sa herë kanë nevojë të plotësojnë interesat e tyre personale. Nga ana tjetër, Malaj thekson se politika është gjithmonë histori negocimesh dhe nëse bëhet fjalë për interesa të përbashkëta, është e gatshme të bashkëpunojë, por jo me histori kulisash dhe arrogancë të shfaqur.

Malaj, do ta votoni Ligjin e Magjistraturës?

Ne kemi thënë qartë dhe saktë: “Nuk jemi pjesë e kësaj farse politike”. Ne e kemi votuar në legjislaturën që shkoi për të bërë atë që quhet Reforma në Drejtësi. Jemi të vendosur si grup parlamentar që ta çojmë deri në fund të vërtetën e gjësë, në mënyrë që të realizohet standardi dhe cilësia, dhe të mos marrim mbi supet tona turpin e asaj që quhet “farsë politike të nevojës”. LSI-ja është shumë e qartë dhe e ka thënë edhe radhën e shkuar, që jemi shumë të gatshëm të ulemi në momentin kur ka transparencë dhe vlerësim të situatës, jo me histori kulisash dhe arrogancë të shfaqur, të cilën e shikojmë edhe në debatet parlamentare.

Këtu nuk kemi të bëjmë me debat, por thjesht me dëshirën për të dëgjuar dikë dhe të tjerët për të mos dëgjuar. Shkolla e Magjistraturës është shumë e rëndësishme, sepse bëhet fjalë për nevojën që ka drejtësia në drejtim të së drejtës, ku shikojmë që Shqipëria ka pafundësisht probleme. Por problemi më i madh është problemi i historisë së pronave, e situatës së drogës që fatkeqësisht janë futur në listën e pjesë më të keqe të mundshme të shpërndarjes së kësaj situate, por nuk mund të bëhemi pasardhës.

Kujtojmë, se ju vazhdoni të kërkoni votimin e Ligjit të Koncesioneve. Nëse maxhoranca vendos kusht këtë ligj që, edhe ju të votoni Ligjin e Magjistraturës, do të bashkëpunoni?

Politika është gjithmonë histori negocimesh, edhe nëse jemi forca politike të ndryshme. Kur vjen puna për interesa të përbashkëta jemi dakord të bëjmë vlerësime, kur ka transparencë dhe produktivitet të kësaj gjëje. Këtu nuk  shikojmë transparencë, as produktivitet. Madje, shohim hile shumë të madhe, që nën sirtarë janë të bëra gati listat dhe kjo është histori e shëmtuar. Deri tani, është shumë e qartë vendimmarrja jonë: Nuk bëhemi pjesë e kësaj farse.

Petrit Vasili: Rilindja luan kungulleshkën me Ligjin e Magjistraturës

Kreu i grupit parlamentar të LSI Petrit Vasili, ka reaguar dje, përmes një statusi në rrjetet sociale për qëndrimin e mazhorancës ndaj Ligjit të Magjistraturës, por edhe ndaj Reformës në Drejtësi. “Rilindja luan kungulleshkën me Ligjin e Magjistraturës”, shkruan Vasili duke shtuar se “ky është qëndrimi i turpshëm i një maxhorance pazarxhinjsh që Reformën në Drejtësi e ka thjesht një plaçkë tregu dhe qëllimin e vetëm kapjen e drejtësisë”. “Rilindja sot e bëri të qartë që Reforma në Drejtësi për të është asgjë më shumë, se një pazar i rëndomtë njerëzish të rëndomtë. Propozoi Rilindja një ligj që jepte fuqi Kuvendit të vendoste për Shkollën e Magjistraturës për 2 vjet.

Pastaj ne komisionin e (anti)ligjeve ditën e fundit me logjikë ordinerësh e bëri pa afat, ulëriti dhe me demek e argumentoi dhe e votoi. Me Kungulleshkë do ta bëjnë drejtësinë. Se kjo kungulleshkë është: themi dy vjet. Po pse dy? Po sa? Pa limit? Po pse pa limit? Themi një vit. Ky është qëndrimi i turpshëm i një maxhorance pazarxhinjsh që Reformën në Drejtësi e ka thjesht një plaçkë tregu dhe qëllimin e vetëm kapjen e drejtësisë. LSI ka votuar Kushtetutën dhe shtate ligjet duke besuar te Konsensusi në 140 vota dhe tek Komisioni i Venecias, dhe jo tek Rilindja që donte një reforme në drejtësi me vota të blera”, shkruan Vasili.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat