Pjetër Arbnori "kthehet" në Parlament, kundërshtarët politikë shtrëngojnë duart

Shqipëria

Pjetër Arbnori "kthehet" në Parlament, kundërshtarët politikë shtrëngojnë duart

Më: 19 korrik 2018 Në ora: 10:35
Pjetër Arbnori në Parlament

Kontributi i Pjetër Arbnorit, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë prej vitit 1992 deri më vitin 1997, është vlerësuar nga politika shqiptare.

Në ambientet e lulishtes së Parlamentit shqiptar u vendos këtë të enjte, busti i tij. Në ceremoninë e rastit, ishin të pranishëm familjarët, miqtë e tij, mjaft politikanë të djathtë dhe të majtë, edhe kundërshtarë të tij politikë. 

Nuk munguan as ish-deputetët. Ra në sy prania e ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli, e cila edhe pse tashmë nuk është më deputete e Kuvendit të Shqipërisë, nuk mund të mungonte në këtë ceremoni përkujtimore. 

Sakaq, në ceremoni ka marrë pjesë edhe Genc Ruli, ish-ministri të cilin Lulzim Basha e la jashtë listave të 25 qershorit 2017. Por atmosfera ka qenë e qetë, dhe kryedemokrati Basha duket se i ka lënë pas qejfmbetjet! Teksa ish-lideri demokrat Sali Berisha bisedonte me Rulin, Basha është afruar dhe ka shtrënguar duart me të.

Ashtu siç dhe rasti e do, politikanët kundërshtarë, kanë shtrënguar duart me njëri tjetrin.

Ish-kryeministri Sali Berisha, Presidenti Ilir Meta e kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi janë ndaluar për t’u përshëndetur me njëri-tjetrin për pak sekonda ndërsa Berisha e cilësoi një kryevepër realizimin e bustit.

Busti u zbulua nga ish-kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e të ndjerit. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e përurimit të bustit të Arbnorit, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi u shpreh se Pjetër Abrnori mbetet njeri i dashurisë për njerëzit.

“Pjetër Arbnori ishte një personalitet politik i vendosur dhe i respektuar. Jeta vuajtjen ia derdhi lumë, kurse lumturinë ia dha me vonesë dhe ia mori shpejtë”, u shpreh kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

 Ndërkohë një fjalim të shkurtër ka mbajtur edhe Besnik Mustafaj si mik i Pjetër Arbnorit.

“Faleminderit zotni Pjetër që u ktheve në shtëpinë tënde, tani e mbrapa nuk do të na largohesh më. Ky Parlament do të mbetet shtëpia e patjetërsueshme e tij. Ai ishte një burrë i pjekur dhe i ditur, i aftë ta zgjedhë fjalën e duhur. Ishte pajtues, por jo në dëm të së vërtetës. Nëse do ulej në këtë sallë sot, do të ishte kundërshtar politik i Gramoz Ruçit. Por ai prapë për këtë bust do ta falënderonte atë”, tha Besnik Mustafaj.

Pjetër Arbnori lindi në Durrës më 18 janar 1935 dhe ndërroi jetë në Napoli më 8 korrik 2006. Arbnori ka qenë i përndjekur politik në kohën e regjimit komunist, shkrimtar, deputet dhe Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Ai është quajtur "Mandela i Ballkanit", për shkak të kohës së gjatë të kaluar në burgjet e diktaturës komuniste për 28 vjet.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat