Nënshkruhet marrëveshje me ICMP për gjetjen e personave të zhdukur

Shqipëria

Nënshkruhet marrëveshje me ICMP për gjetjen e personave të zhdukur

Më: 18 korrik 2018 Në ora: 15:22
Nënshkruhet marrëveshje me ICMP

Ministria e Brendshme nënshkroi sot marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

Për Ministrinë e Brendshme nënshkroi zv.ministrja Rovena Voda ndërsa në emër të ICMP firmosi Matthew Holliday, drejtues i ICMP për Ballkanin Perëndimor. Ceremonia u bë gjatë një takimi ku morën pjesë zyrtarë të lartë të qeverisë, përfaqësues të ICMP, diplomatë të akredituar në Tiranë dhe veprimtarë e ekspertë të shoqërisë civile.

Marrëveshja synon intensifikimin e përpjekjeve për gjetjen e personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste në Shqipëri, nga 29 nëntor 1944 deri në 2 korrik 1991, duke përcaktuar në veçanti rregullat e bashkëpunimit për identifikimin, gjetjen e personave të humbur, si dhe për koordinimin e punës me organet përgjegjëse.

Zv.Ministrja e Brendshme Rovena Voda në fjalën e mbajtur me këtë rast nënvizoi se “ballafaqimi me të kaluarën është një detyrim ligjor dhe moral për të gjitha grupet shoqërore, si parakusht për arritjen e paqes sociale në vend. Zbardhja e fatit të personave të zhdukur do të vendosë drejtësi për të gjithë familjarët e tyre, do të mbyllte plagën e rëndë të shoqërisë tonë, si dhe do të vendoste paqe dhe stabilitet“.

Më tej ajo u shpreh për angazhimin e plotë, pavarësisht vështirësive objektive e ndërlikimeve që mund të dalin.

Znj.Voda tha se ”Qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekjeje që të përmbushë detyrimet e saj që burojnë nga kjo marrëveshje. Ne jemi të ndërgjegjshëm se ky është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, i cili kërkon shumë angazhim dhe punë, të palëve të përfshira në zgjidhjen e kësaj çështjeje, por shprehim përkushtimin tonë që të ndërmarrim të gjitha masat që ky proces të jetë sa më rezultativ.”

ICMP është organizata ndërkombëtare e ngarkuar ekskluzivisht për të punuar në çështjen e personave të zhdukur. Ajo do të krijojë një Zyrë Shërbimi për gjetjen e personave të humbur, duke përdorur metoda tekniko-shkencore të zbulimit dhe identifikimit, si dhe shkëmbimin e informacionit me organet kompetente në kuadër të koordinimit të bashkëpunimit, me qëllim realizimin e aktivitetit administrativ.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat